Genc Drini
Në kohën që rrethanat e gjeopolitikës, dhe përpjekjet e shqiptarëve çuan në krijimin e shtetit të dytë shqiptar, atë të Kosovës, një e drejtë e ligjëshme, ndihmuan dhe ndihmojnë shqiptarët për afirmim kombëtar në Maqedoni, Preshevë, po dhe në Mal të Zi dhe Çështja Çame përpiqet të vitalizohet, dhe gjithçka shkon drejt favorizimit të Bashkimit Kombëtar, një pjesë e klasës politike shqiptare në gjithë arealin e shqiptarëve, me korrupsionin e thellë, me çveshjen moral politike të pa shoqe, dallaveret e pa fund me të cilat po zhvasin dhe rrënojnë shqiptarët, po i rrënojnë dhe shanset e mëdha historike që do çonin në lulëzimin e kombit shqiptar. E nesërmja do jetë produkt i asaj sesi do reagojnë shqiptarët ndaj këtyre fenomen-bartësve negativë dhe shansit historik që nuk duhet humbur. Duket sikur këto dy fjalë hyrëse nuk kanë të bëjnë me një kritikë letrare për një roman, po nuk është ashtu. Romani “Malësorja e Bjeshkëve Tona”, brenda vlerave letrare në mesazhin që përçon ka një meritë të veçantë se i thërret ndërgjegjes kombëtare, duke na kujtuar se çfarë e mban në këmbë dhe e ngren një komb dhe çfarë e rrënon, dhe kjo qe dhe një ndër shtysat për këtë kritikë.
X
Vështirë se gjen një autor tjetër që të jetë bërë një me personazhet që i përshkruan, ua grabit fjalët si askush tjetër, gjuhën po ashtu, i merr për vete vuajtjet e tyre, mundimet shqetësimet e tyre, ndan me ta gëzimet e shkurtëra, përpjekjet, shpresën, është një prej tyre. Ky mishërim i njëmëndtë, i kthyer në një stil funksional, është instrumenti letrar në të cilën realiteti dhe fiksioni kthehen në një, dhe me të cilin shkrimtari Lulash N. Palushaj në romanin e tij “Malësorja e Maleve tona” përcjell me vërtetësi palcën e botës malësore të Malcisë së Madhe e me jehonë më të gjërë atë gjithëshqiptare.
Sjell bjeshkët me zanat e shtojzavallet, po jo për ti kundruar si frymëzime romantike. Nuk është e magjishmja e tyre që e përfshin. Është hymnizimi i reales, femrës malësore që krijon mitet. Ajo e mahnit, e bën për vete, e drithëron, malësorja “si gastare” po që nuk thyhet dhe kështu kthehet në lindëse, e mbështetje e fortë e vatrës, vatrës që e mbush plot me fëmijë, me shumë meshkuj lindjen e të cilëve e përshëndesin martinat. E mbushin shtëpinë e ke pse të jesh gjallë. Nga vatra lindin Oxhaqe, e kullat mbeten të pathyeme. Romani na merr me vete për të na treguar një vistar të vlerave malësore, shqiptare burrnore që si gjen kund, ku gjithçka mbahet me “Nder e jo kori”, e kjo është shtylla e parë e botës malësore ku mbështetet vijimi i asaj jete epike dhe i përjetësisë së shqiptarëve.
Ashtu linear si në një stil kronike përzgjedhëse, është befasues i gjithë rrëfimi “i ngutur”, ku duket sikur zhvillohet veç një ngjarje që nuk ka të ndalur. Janë veç dy familje, pak personazhe, por ndjehet kaq përgjithësues sa të ngjet sikur gjithë malësia ndodhet në ecje edhe çvendoset tash e parë nga një vend në tjetrin në tërë hapsirat e Malësisë, të njejtët njerëz. E i gëzohet kësaj ecjeje ku malësorët kudo që drejtohen nuk harrojnë asgjë, duket sikur marrin me vete në rropamën e tyre, në ndërgjegjen e tyre, në çdo hap të gjithë fshatrat e tyre, me shtëpitë, bëmat historitë, jetën e përditëshme me gëzimet, shpresat dhe vuajtjet, sikur i përjetojnë në palc të gjitha njëherësh dhe shkrimtari i përjeton bashkë me ta. Një ecje unike brënda vetvetes, një sjellje brenda territoreve të veta, e që shtrihet më gjërë kudo në gjithë shqiptarinë. E nuk kuptohet sesi ndonjë lexuesi, sidoqë e konsideron epike, i duket si një jetë e varfër me pak ngjarje që përsëriten. Nuk tingëllon vërtetë kështu as në realitet dhe as në libër. Është një jetë e përditëshme plot ajkë ku rrjedhin së bashku ngjarjet dhe mendimi që dhe projekton të ardhmen. Ecin mendimi edhe malësori, “ngjiten” për në bjeshkë. Kalojnë në Jutbinën e kreshnikëve, Deçiq, Veleçik, në gjithë Bajrakët e në Shkodër e më tej. E në Bajrakët e Malësisë, malësorët lidhen në krushqi, e në krahina të tjera të veriut, deri në Kosovë, oxhakë me shumëlidhje gjaku, krushqi ngjizëse në mes shqiptarëve… E shpërthenin në dasma, kanga, vallet dhe loja e bajrakut. Një jetë e pasur për tu pasë lakmi. Nuk e gjen në ritmin e qyteteve të bujshme që shpesh vetëm i përlan njerëzit në rutinën e pa ndalur, i rrëmben në një ngut pa thelb që ua lë bosh ndërgjegjen që vetëm e vetëm ajo kur është e plotë e bën të pasur jetën e njeriut. Nuk është ritmi dhe sasia e ngjarjeve që “çon peshë, po pesha e tyre”. Është qëllimi i veprimit që synon idealen, morali që i përshkon e lartëson ngjarjet i ngarkon ato emocionalisht, dhe e bën të pasur jetën. Një përkushtim i thellë për çdo hap që hedh malësori i jep peshë jetës së tij, se pesha e çdo hapi është e lidhur me jetën. Po dhe me vdekjen. Kjo e bën atë jetë më të pasur dhe të vyer se çdo tjetër dhe nuk mvaret as nga ritmi bosh dhe as nga kamja.
Malësorët, e më gjërë shqiptarët, bëmat e tyre i masin me lartësitë e maleve. Kjo botë e paraqitur kështu mund të dukej e sajuar butaforike e vetëmitifikuar dhe irreale. Po jo, malësorët nuk dështojnë, se ndërgjegjen e balancojnë në ligjësitë, traditat dhe doket e vyera, dhe progresin e synojnë me maturi. As autori nuk dështon se në po ato ligjësi, në kontrast të thellë me majat e larta të maleve, majat e vlerave, ai e sheh dhe humnerën e turpit edhe më të thellë. Zgjidh e merr po deshe të keqen rrënuese që larg moralit të lartë, është i zhytur aty thellë në humnerë. Autori nuk e fsheh me naivitet të keqen që përvidhet për ti prishur vlerat, po e shfaq pa ngurrim para malësorëve, para të gjithë shqiptarëve, duke e ballafaquar me kodet e traditës më të mirë. Kërkon tua kujtojë dhe ti shmangë nga ato përjashtime devijuese të karakterit dhe moralit që mbeten si njolla turpi për ata që i bëjnë, po dhe ua shuajnë tymin e oxhakut. U kujton se gjithnjë kërkohet ajo që është kulmore për malësorët, për shqiptarët, “ Nder e jo kori. Nder për malësoren, gastare që nuk thyhet, e mjerim për një thërmim në copa copa që kthehet në një kori që djeg shtëpi, fise e male. E vatrat, oxhaqet nuk qëndrojnë në këmbë pa nder, shëmben. Ruaje burrninë se je i nderuar, e kundërta ësht zhburrnim, një fjalë të çon ose të rrëzon, është shërim dhe helm për të helmuar. Besnikëri e jo hjekësi se konsiderohesh si vrastar..të prish rodin e nderit shtëpiak. Mos u bëj spiun se faqen e zezë kush s’ta lan. Një përshkrim i drejtpërdrejtë, i vërtetë, gati hiper realist, dhe me ndjenja të forta, i shtyllës së parë të botës malësore i “nderit e jo korisë”, përbën dhe shtyllën e parë mbajtëse të prozës së autorit. Shkrimtari Palushaj shpalos një vistër të pa fund kontrastesh që mbajnë në tokë ngrehinën madhështore të ndërgjegjes së malësorëve të Malësisë së Madhe dhe që në nuancat e veta të larmishme shtrihet njëlloj madhështore në të gjithë shqiptarët në gjithë hapësirat shqiptare. Nder e jo kori. Është një ekuilibër që e kthen gjithë epikën në një realitet të pa përsëritshëm. Kontrasti i thellë i bën majat e vlerave më të larta, maja bashkuese të shqiptarëve. Prej burrave që kishin arritë ato maja vlerash lëshohej kushtrimi e të gjithë u besonin e u shkonin pas sa herë qielli mbulohej nga re të errëta, “turku në njërën anë, në tjetrën malaziasi”. Kushtrimi jehonte në gjithë shqiptarinë, dhe autori i sheh malësorët, të gjithë shqiptarët, të bërë një. E u deshtën tubime e pushkë për të çarë “retë”, shumë pushkë e shumë gjak. U desht Greca e Memorandumit, si shkruan, që e siguruan trimat e Malësisë. Malësorët e pritën Luigj Gurakuqin e Dedë Gjo Lulin.., Mehmet Shpendin e sa të tjerë përfaqësues të Malësisë të të gjithë bajraqeve, që gjetën mbështetje e siguri. Aty është dhe Isa Boletini i Kosovës shqiptare.” Identifikimi nga malësorët i vetes së tyre brenda kombëtares, ndërgjegjëja identitare e tyre e theksuar është shtylla e dytë e vërtetë dhe e lartë ndërgjegjësore që i ngren dhe mbron malsorët, e të gjithë shqiptarët, dhe që është e pa shkëputëshme nga shtylla e parë. E përcjellur kjo në libër dhe si porosi kombëtare dhe morale për malësorët, për të gjithë shqiptarët e sotëm dhe të brezave të ardhshëm, ruejtja e ndërgjegjes identitare, ruejtja e identitetit kombëtar është dhe shtyllë e dytë po më thelbësorja që mban në këmbë fort ngrehinën e romanit të Palushajt. Se aty matanë malesh , dhe ma larg, qenë ata të tjerët banorë, e prap do të jenë, që nuk rrinin në caqet e tyre po kalonin malet e mësynin bjeshkët e fshatrat shqiptare, për të grabitur tufat, shtëpiat e malësorëve, e vra malësorët, e ua vështirësonin jetën deri ku nuk shkon më. Kështu lëshoheshin ç’ njeh koha malazest në një lodrim të egër një mijë vjeçar shpatash, pushkësh, plagësh, vrasjesh, e grabitjeje tokash. Malazes e serbë lëshu mbi Malësi, mbi Shkodër për ta pushtu, e mbi Kosovë. Përplasje pa fund, përsëritur në një cikël mbijetese që i frenonte malësorët e gjithë shqiptarët të mëkëmben dhe të përparojnë me kohën. Autori e vuan historinë. Vuan kur sheh sesi shumë kohë më parë, malaziasit ia dolën të lëkundin një masë malësorësh, si ata shqiptarë të Kuçit, që i thyen, i kthyen në puthadorës deri dhe i sllavizuan. Me zjarrin e armëve prej Rusie dhe me vendime të fuqive të mëdha malazest dikur ia arritën rëmbyen disa toka shqiptare. Nuk gjetën qetësi derisa dhe emrave të disa shqiptarëve t’ua shtonin një “viç”, e kënaqeshin kur shihnin në vend të qeleshes së bardhë mbi kokat e shqiptarëve me prapashtesën “viç”, të vume kapicën e zezë malazeze. Ishte mjerim të përfytyroje sesi i përçanë shqiptarët. Sidoqë zakonet nuk i kishin ndryshuar dhe vijonin të flisnin shqip, malazest dhe serbët arritën ti ndërsenin shqiptarëkapicëzinjtë” , dhe të gjithë së bashku iu vërsulën egërsisht malësorëve me qeleshe, shqiptarëve. Malazest ia dolën përsëri të përlanin të tjera territore me luftat Ballkanike që shpërhyen, sidoqë shqiptarët luftuan me të gjitha fuqitë e veta kundër tyre. Në atë orë të keqe të vitit 1913 kur Fuqitë e mëdha përsëri i hynë në hak Shqipërisë, e përgjysmuan, e lanë Kosovën e vise tjera jasht kufini nën pushtimet sllave e greke, e ndanë në mes Malësinë e Madhe, e ndanë vëllaun me vëlla, në dy anë, “gur e kufi” krajlitë, kufiri mes permes shqiptarëve.” Një epikë e dhimbshme shpaloset nga autori për ato ngjarje: “Luftërat Ballkanike e tërë ato dallavere për të marrë Shkodrën, lodroheshin ushtritë serbomalazeze mbi Malësinë e Madhe kryq e tërthuer. Gjak e tmerr. Lëshoheshin shtëpiat për të shpëtuar pleq e fëmijë. Luftonin malësorët e shkretë… pa armë e bajoneta.. I futet Mali i zi …duke regjistruar mbiemrat shqiptare me prapashtesën “viq”. Dekrete të forta mbretërie në Kosovë, Plavë e Guci, Malsi që mbeti nën Mal të Zi, dhe Krajë e Ulqin … Këndej nën Mal të Zi frikë e trishtim a po shpëtojmë gjallë. Shqiptarët si pyet kush, si të mos ishin gjallë.. Andej në Shqipni ngatrresa për pushtet; Nga t’ia mbaje nuk e dije e as ta merrte mendja. Je në token atnore po sundon knjazi i Cetinjës, je nën sllavin.. duhet ose të jetosh ose të vdesësh! Duhej qëndresë! E pra duhej jetë, duhet të jetohej e të fitohej. Virtutet nuk ua kishin lejuar malsorëve të jenë ksenofobë, as në ato kushte të vështira robnie. E kthehet autori e flet për shqiptarët e sllavizuar duke kujtuar se që heret “lypën probatini ua dhamë, lypën të falim gjaqe, ua falëm, ..duke menduar se ato fise ish shqiptare po tash malazeze ishin të rrjedhës së Dukagjinit, flisnin shqip dhe mbanin veshjet shqiptare, por nemaqiqët u kishin dhënë helmin” . Nuk u duhej atyre as fisnikëria as miqësia e malësorëve, e sllavëve të vërtetë jo që jo. U duhej veç zhdukja ose tjetërsimi i shqiptarëve . Dhe sa të jetë e mundur dhe gjuha shqipe e zhdukur. Një letër nuk mund të lexonin malësorët, as shkrim e këndim nuk i lejonin të mësonin, veç vonë shumë pak. Tash e parë nën dhunën dhe kërcënimin e shtetit të Malit të Zi, kërcënimin që mund të kthehej në vdekje. Dhe ja, ku autori na tregon për dy hije të veshura si ushtarë me “kapicë” që një ndër ditët i ngjiten kodrës dhe befas lëshojnë në dorën e Prëtit, që mendonte për djalin e vet ushtar, një letër të rrethuar me vijë të zezë. E hutuar, ngado që e sillte ajo nuk kuptonte asgjë, vetëm ca germa, cirilike veç… Nuk kuptonte por duart po i dridheshin ..e..kur dikush i tha se i biri nuk ishte më..si ta çante thika, iu mpi qënia..e më pas lotë rrëke e gjamë, e mbet me lotë, e vetëm lotë. Heshtje. Askush nuk u tregoj as si kish ndodhur dhe as ku është varrosur… I duhej dikuj të penetronte nëpër atë mjegull të errët pushtuesish për të gjetur si e ku. E patën marrë ushtar malësorin Gjergj,”, në ushtrinë ku nuk flitet shqip e gjuhën nuk ia merr vesh”. Është më lehtë të përballesh me armikun në teh shpatash e grykë pushkësh, se kur je ushtar. Nuk e di kur të sulmon, kur je zgjuar apo në gjumë. Sa herë dhe i vritnin ushtarët shqiptarë. Shkrimtari, ndal turrin kësaj rradhë dhe përcjell ankthin, e me hapa të heshtun përpiqet ta ndjekë djaloshin ushtar, si për ta mbrojtur, po diku ia zhdukin. Familjes dhe autorit. E asnjë lajm më prej ushtarit, ditë të tëra dhe shumë muaj ankthi, deri te letra e errët që çoj peshë vajin e pa shterrshëm! Dhimbje e thellë. Kërkohet një forcë si e Anteut për të dalë nga ajo gjëndje, një forcë për të jetuar dhe luftuar, një shpresë. Nuk mund të ndodhë ndryshe, jeta duhet të vazhdojë që të përtërijë dhe shpresën. Nika fejohet me Rushen, e më pas kunorë në kishë, djali i parë, këngë e krisma, jeta vazhdon dhe shpresa me të.
Lufta e Dytë Botnore, i kushtoi rëndë dhe shqiptarëve po gjaku i derdhur nuk i dha rrugë bashkimit të shqiptarëve, Shqipnisë Etnike për të cilën pjesa më e madhe e shqiptarëve u përpoq dhe luftoi. Komunizmi në të dy anët qe zjarri i kuq që e pengoi, zjarri i kuq që përçau. U vu një kufi edhe më i egër ndarës mes shqiptarëve, kufiri në mes Shqipërisë e Jugosllavisë. UDB, pushkaton. Komunizmi vret në të dy anët.. Po historia s’ka mbaruar shkruan Palushaj. Përsëri duhet punë, dhe bashkimi i shqiptarëve do të vijë. Malësorit, burrit shqiptar i duhet një pushkë, një kullë, një grua dhe fëmijë, djem shumë, një arë, një tufë dhensh, një katund si një bashkësi, disa katunde, shkolla, qytete, një hapësirë shqiptare për të jetuar, një shqiptarii për ta mbrojtur dhe ecur drejt progresit të kohës, e plot këngë për të himnizuar jetën.
Kjo botë e malësorit, e shqiptarëve nuk duhet të humbasë, duhet të vazhdojë, po autori e ndjen që një pjesë e asaj botë do ndryshojë, e ngutet që disa nga ato visare të çmuara etnografike që do ikin t’ia kalojë historisë. Përcjellja me besnikëri e asaj që ai vetë e ka përjetuar dhe vullneti për ta mbrojtur dhe përcjellë atë trashëgimi të rrallë etnografike është shtylla e tretë që e mban romanin “Malësorja e Bjeshkëve tona”.
Sidoqë kohërat ndryshojnë, dhe lehtësitë e jetesës janë shtuar, maqinat, celularët dhe kompiuterat janë bërë pronë të gjithëve, dhe e malësorëve deri në bjeshkë, dhe Malësi dhe malësorë do ketë gjithmonë, dhe bjeshkë dhe kope dhensh, dhe ara, dhe qytete e qytetarë, dhe emigracion mund të ketë, shkrimtari Palushaj beson se nuk do mundet zhvillimi ta shkatërrojë strukturën shpirtërore të malësorëve të paisur me celular apo jo, dhe të të gjithë shqiptarëve. Do ndërtohet e ardhmja e përbashkët në trojet tona të bashkuara, dhe u thotë jemi të gjithë bashkë, vlerat tona, identitetin tonë do ti ruajmë. Shtojmë se as dhe disa figura që rastësisht u bënë drejtues të shqiptarëve po vendin duhet ta kishin në humnerën e antivlerave, nuk do mund të dominojnë e dëmtojnë, se do dominojë kodi gjenetik i shqiptarëve, kodi i vlerave , dhe është ai që do tu kundërvihet.
Do ishte një kundrim i ftohtë formal, standard nëse një lexues, apo kushdo që merr përsipër dhe bën një shkrim kritik, vetëm të numërojë vlera, të gjykojë për nuanca, të shprehë vlerësim apo dhe rezerva për një libër. Krejt ndryshe është kur i frymëzuar nga libri i kthehet një meditimi rikrijues vetiak, dhe një roman ëshë i suksesëshëm pikërisht kur arrin të zgjojë interesimin tek lexuesi për idetë që shtrohen në roman dhe nxit për debate ideshë dhe estetike, qoftë dhe të kundërta. Në këtë pikëpamje libri i Palushajt është si një libër që mund ta quajmë “të hapur”, që nuk mbaron në faqen 224, por mëton të nxisë të tjerët të vazhdojnë të thonë fjalën dhe frymëzimet e tyre si një kontribut në vazhdimësi në qëmtimin dhe evidencimin e vlerave që duhen ruajtur dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
Dhe mbi të gjitha një libër nuk përballet kurr me asnjë konkurent, Nuk është kurrë në garë me asnjë libër tjetër, nuk i vlen krahasimi, sepse ai është në garë vetëm me vetëveten, dhe ai që e shkruan poashtu. Libri është në garë krijuese vetëm për të arritur plotësinë e tij. Me veçantinë letrare, moralin që përçon, atdhedashurinë, e përsëri atdhedashurinë si mesazh, dhe me kontributin e veçantë në etnografinë si thesar, “Malsorja e Bjeshkëve Tona”, roman i parë i autorit, e ka arritur plotësinë e tij. Një ambicie letrare e arrirë dhe e vyer e shkrimtarit Lulash N. Palucaj.
Londër,6 prill 2016
e-mail adresa: [email protected]