Profesor Arben Merkoçi është padyshim modeli i shqiptarit të suksesshëm, i ambasadorit të shkëlqyer të vlerave shqiptare në botë. Ai është duke drejtuar drejtuar disa projekte evropiane në fushën e nanoteknologjisë dhe biosensorëve si dhe vazhdon te udhëheqë disa studentë të doktoratës. Një ndryshim i rëndësishëm në karrierën e tij profesionale është marrja përsipër e detyrës si Co-Editor in Chief e revistës prestigjioze të Elsevier, Biosensors & Bioelectronics, revista më e rëndësishme në nivel botëror në fushën e biosensorëve. Po si nisi udhëtimi i tij?
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Unë, në përgjithësi, i kisha pasion shkencat e natyrës, matematikën, fizikën, kiminë, biologjinë që në shkollën 8-vjeçare e më pas në gjimnaz. Ishin në përgjithësi lëndë që më gëzonin kur merresha me to, në një farë mënyre ishin një loje e bukur për mua. Kam pasur mësues të shkëlqyer në shkollën “Fan Noli”, apo dhe në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Do t’i përmendja të gjithë me radhë, sepse të gjithë, ndoshta, kanë ndikuar tek ajo dashuri që kisha për këto lëndë.
Mësues të mirë janë ata që jo vetëm dinë të transmetojnë njohuritë e tyre, por që edhe nxisin, motivojnë nxënësit, u venë në dukje atyre meritat, aftësitë që kanë. Kjo e nxit shumë besimin tek vetja që ka nxënësi, e bën t’i kushtohet më shumë të mësuarit, të ketë ëndrra për profesionin e tij. Të tillë ishin mësuesit që kam pas fatin të kem. Dëshirat a mia në kohën kur do të aplikoja për degën e universitetit ishin elektronika, fizika bërthamore dhe arkitektura. Kimia nuk ishte në listën e aplikimit, u vendos rastësisht dhe unë e pranova. Nuk gabova pasi ishte diçka që më kishte pasionuar, pavarësisht se nuk e kisha futur në listën e degëve që kërkoja. Sot jam i lumtur, sepse në fushën ku punoj, nanoteknologjia dhe biosensorët, me duhet të punoj me të gjitha ato lëndë që unë i kisha aq për zemër. Është një fushë shumëdisiplinore që kërkon njohuri të kimisë, fizikës, biologjisë, elektronikës etj.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Udhëtimi im profesional fillon në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer për mua, pasi aty njoha nga afër profesorë te cilët edhe sot mund të them se do të ishin të denje për çdo universitet në botë. Ishin profesorë që edukonin dashurinë për profesionin e kimistit. Nuk mund të harroj kiminë e përgjithshme, me profesorët Minella Karajani, Mihal Prifti, Sami Mehqemeja. Ishte kontakti i parë me kiminë universitare dhe për mua këta profesorë u bënë modele për t’u ndjekur. Vijoi më pas me profesorë po aq të mirë e të talentuar të kimisë organike, si Maruf Haxhimusaj, Pandeli Troja, Kosta Koçi, të kimisë fizike: Viron Kola, Ilo Mele, Tahir Elezi, Marita Koroveshi, te inxhinierisë kimike: Muharrem Frasheri, Dhimiter Haxhimihali, Roland Pinguli, Elmaz Shehu, Edi Plasari, Niko Dhamo, të matematikës: Qazim Turdiu, apo fizikes Florian Vila dhe Afërdita Veveçka e profesorë të tjerë që u kërkoj ndjesë nëse emrat e tyre nuk i përmenda. Momenti që vërtet ndikoi në udhëtimin tim profesional ishte viti 1986, kur unë mbarova studimet për Kimi Industriale dhe, meqenëse pata nota të larta, u caktova të punoj si pedagog ne Katedrën e Kimisë Analitike. Ishte një katedër me profesorë të shkëlqyer, duke filluar nga profesoret Niko Laço, Fehti Sazani, Alqi Çullaj, Sefer Matja, Odeta Glozheni, Argjirulla Çabej, Filip Lubonja dhe kolegu dhe miku im, Besnik Baraj. Ishte një katedër që edukoi tek unë jo vetëm konceptet bazë të kërkimit shkencor, por mbi të gjitha dëshirën dhe pasionin për kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin midis kolegeve. Katedra jonë ishte një bërthame shkencore, e cila i ngjan një grupi kërkimor shkencor, në konceptin që përdoret sot në të gjithë botën. Ishte profesor Alqi, i cili më afroi të beja temën e masterit me elektrodat jono selektive, meqenëse në katedër sapo kishin sjellë si dhuratë nga Hungaria një instrument që lejonte të bëje matje me këta sensorë. Ishte një teme kërkimore mjaft e re për kohen dhe kjo më entuziazmonte, edhe pse eksperienca në ketë fushe ishte zero. Nisja e kërkimit shkencor, në një fushe të re, ishte për mua një shtysë e fortë. Më duhej të studioja shumë dhe në të njëjtën kohë të kryeja eksperimente në një terren shkencor fare të panjohur. Ishin vite të paharruara, pasi munda të njoh dhe bashkëpunoj me kolegë të shkëlqyer, ku do të veçoja Dr. Stilian Buzo, në laboratorin klinik të spitalit të Tiranës me të cilin kam mësuar shumë, por edhe jemi gëzuar bashkërisht, kur shikonim që elektrodat selektive po aplikoheshin për matjen e elektroliteve në gjak, një temë mjaft e rëndësishme kjo për sëmundjet kardiovaskulare, midis të tjerave. Bashkëpunimi im vazhdoi dhe në Institutin Bujqësor në Tiranë, në fushën e analizave me të njëjtët sensorë të ekstrakteve të tokave.
Mbas mbrojtjes me sukses të temës së Kandidat i Shkencave fillova bashkëpunime me laboratorë të huaj. I ftuar nga Prof. Pungor, i konsideruar “babai’ i elektrodave jono selektive, munda të shkoj për një specializim të shkurtër në Budapest dhe me pas i ftuar nga një tjetër ekspert ne ketë fushe, Prof. Karayanis, fillova një bashkëpunim me Universitetin e Janinës në Greqi. Hungaria dhe Greqia ishin dy vendet e parë që më hapën më tej horizontin në fushën time të kërkimit. Ishte pikërisht akumulimi i eksperiencave që më bëri të fitoj një bursë studimi postdoktorale në Universitetin e Padovës. Ishte një nder për mua të isha një nga dy fituesit e kësaj burse të shpallur për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, Ballkanit dhe Austrisë. Ishte viti 1993, kur unë fillova studimet postdoktorale në Padova, duke punuar me një nga profesorët më prestigjioze të kimisë analitike, Prof. Carlo Maccà. Ishin dy vite pune mjaft intensive dhe të frytshme në rezultate dhe publikime, por që u kurorëzuan pozicionin e profesorit të ftuar në 1995 në Universitetin Politeknik të Barcelonës dhe në Universitetin Autonom de Barcelonës (UAB). Për shkuarjen time ne Barcelonë nuk mund të le pa përmendur mbështetjen e kolegëve dhe miqve të mi, profesorëve Besnik Baraj dhe Kastriot Spahiu, të cilat ndodheshin atje dhe bashkërisht krijuam komunitetin apo familjen shqiptare të Spanjës. Ishte pikërisht UAB, ku pata fatin të punoj me një nga profesorët më të dëgjuar në fushën e biosensorëve, profesor Salvador Alegret, kolegu dhe tashmë miku im i ngushtë. Udhëtimi im profesional pati një ndryshim të madh kur vendosa të shkoj për të punuar në SHBA. Në vitin 2002 u ftova nga profesor Joseph Wang i Universititetit të New Mexico, në Las Cruces NM, SHBA, për të punuar në laboratorin e tij si menaxher shkencor. Të punuarit me profesor Wang ishte dhe është, një ëndërr për këdo në botë që punon në fushën e sensorëve dhe nanteknologjisë. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme e cila më dha mundësinë të rikthehesha në Barcelonë ku fitova titullin si Senior Scientist (çmimi Ramon y Cajal) në 2003 në UAB dhe si “Professor ICREA” (www.icrea.es) në 2008 në Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë (www.icn2.cat ), për të cilin jam një nga bashkëthemeluesit dhe ku punoj dhe sot që prej krijimit te tij. Aktualisht jam drejtues i Grupit të NanoBioelektronikës dhe Biosensorëve (www.nanobiosensors.org).
Moment mjaft i rëndësishëm në karrierën time profesionale ka qenë padyshim dhe zgjedhja ime si Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prej vitit 2006 dhe Anëtar i Bordit të Akreditimit të Universiteteve të Shqipërisë, që prej dy vjetëve pozicione që më kanë krijuar mundësinë që krahas punës time në Spanjë, të jap kontributin tim edhe në fushën e shkencës dhe arsimit në Shqipëri.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Kyçi i suksesit është puna e vazhdueshme dhe me pasion, këmbëngulja për të arritur objektivat dhe bashkëpunimi me kolegët. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme por nga më të rëndësishmet është familja. Ndërsa në fillimet e karrierës time frymëzimi im ishin prindërit, më pas u bashkua bashkëshortja ime, Enkeleda Xhelo, e cila ka qenë dhe është një mbështetje e fuqishme në karrierën time. Enkeleda ishte një nxitje dhe motivim për të gjitha arritjet, duke qenë edhe ajo vetë e suksesshme në karrierën e saj profesionale, që nga kryerja me vlerësimet “Cum Laude” të masterit dhe doktoratës në Barcelone e deri tek pozicioni që mban aktualisht si editore e revistave shkencore në Institutin e Studimeve Katalane, që është Akademia e Shkencave e Krahinës se Katalunjës. Motivimi im ishin dhe janë dhe dy djemtë e mi, Florind dhe Silver, me te cilët edhe konsultohem në momente deçizive të karrierës sime. Tashmë edhe Lia, mbesa 2-vjeçare, gëzimi ynë i papërshkrueshëm.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Të shpërngulurit nga atdheu dhe integrimi personal dhe profesional në një vend të huaj janë një sfidë e madhe. Unë kam pasur tre shpërngulje të mëdha: Italinë, Spanjën dhe SHBA-në. Secila prej tyre kishte vështirësinë e veta. Ishte jo vetëm gjuha, por mbi të gjitha përballja profesionale e bashkëpunimi me kolegë elitarë, në një shkencë si nanoteknologjia, krijimi i besimit reciprok për të bashkëpunuar në projekte mjaft të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto kërkonin dhe kërkojnë, një përgatitje skrupuloze, si dhe një eksperiencë të madhe.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Është e vërtetë, e bej shpesh bilancin e jetës time profesionale dhe me bindje them se kam marrë vendimet e duhura dhe, ne se do ta përsërisja nga e para, do të ndiqja të njëjtën rrugë. Eksperiencat e mia në universitete të ndryshme prestigjioze të botës më kanë ndihmuar të ngrihem profesionalisht dhe të kem sot bashkëpunëtorë dhe miq në të gjithë botën.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Besimi tek vetja dhe aftësia për të komunikuar shkencën qe unë bej tek bashkëpunëtorët e mi dhe kolegë të tjerë në të gjithë botën nëpër konferenca ndërkombëtare ku ftohem rregullisht, pothuaj dy tre herë në muaj, janë vërtet një triumf i madh për mua. Triumfin e shikoj tek kënaqësia që më jep profesioni që ushtroj dhe respekti dhe dashuria që ndjej nga shumë kolegë që tashmë janë miqtë e mi nga të katër anët e botës.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Atdheu, Shqipëria është gjithçka për mua. Është vendi qe me edukoi dhe me beri te jem këtu ku jam sot, është vendi ku prehen prindërit e mi te shtrenjtë te cilëve ju dedikoj gjithçka, vendi i familjes time te madhe me te cilën, edhe pse larg, jam mjaft i lidhur.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Dëshira për të studiuar shumë, për të qenë i suksesshëm në jetë, këmbëngulja për të zgjidhur problemet edhe kur ka shumë vështirësi, dashuria për familjen, të krijuarit / paturit e një shoqërie të vërtete janë disa nga trashëgimitë e vyera që më ka dhenë Shqipëria.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Fjalën emigrant, si çdo i huaj në një vend tjetër, e kam shumë të dëgjuar por aspak nuk e kam ndjerë. Duke punuar në kërkimin shkencor kam pasur rastin të punoj gjithmonë me njerëz nga e gjithë bota. Grupi që unë drejtoj aktualisht, ka rreth 30 vetë nga 15 kombësi të ndryshme. Të punosh në një ambient të tillë është të jesh me fat, është të ndjehesh qytetar i botës dhe fjalën emigrant pothuaj e kam të harruar.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Ka shumë mundësi për të bashkëpunuar dhe shumë platforma që sot i fton shqiptarët që punojnë në fushën e shkencës për të bashkëpunuar. Mund të përmend që nga Ministria e Diasporës, Instituti AlbShkenca e deri tek IBA (Intellectual Brand Albania) që ofrojnë bashkëpunime në fusha të ndryshme. Bashkëpunimi, përveç këtyre platformave, mund të jetë dhe personal me kolegë e miq në Shqipëri, të cilët kanë shumë nevojë për eksperiencat që ne kemi marrë në vendet e tjera. Mbi të gjitha, bashkëpunimi ndërshqiptar përmirësohet nga dëshira e mirë e secilit prej nesh për të bërë diçka për vendin. Mundësitë janë të shumta. Le të shohim dhe përvojën e kombeve te tjerë të cilët kanë më shumë eksperiencë me emigracionin dhe kanë ditur ta kthejnë ketë nga një fenomen të dëmshëm, prej humbjes së trurit, në një avantazh për rimarrjen e eksperiencave të reja dhe pse jo kthimin përsëri të talenteve në Shqipëri. Kjo duhet të jetë një përparësi e Ministrisë së Diasporës dhe Qeverisë Shqiptare. Është urgjente krijimi i programeve të veçanta me fonde që mund të sigurojnë integrimin e tyre në sistemin e shkencës dhe ekonomisë shqiptare.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Ka shume gjëra që duhet të ishin ndryshe në mëmëdhe. Ajo që ndoshta po zgjat më shumë për të ndryshuar, dhe është normale pasi kërkon kohën e vet, është mentaliteti i njeriut. Shoqëria shqiptare akoma vuan nga mentalitetet e vjetra, ndoshta që të kohës së feudalizmit (pa arritur të kalojë ky ndonjëherë në kapitalizëm) dhe të komunizmit të ndryshuar në mënyrë imediate në kapitalizëm. Janë një seri fenomenesh që shpesh çoroditin shoqërinë shqiptare në shumë aspekte, që nga politika, drejtimi, ekonomia, kultura dhe arti etj. etj. Sidoqoftë, e parë gjithçka në perspektivë, ndryshimet që vërej janë pozitive dhe të gjitha fenomenet e padëshiruara gradualisht po zbehen. Ketë e shikon tek brezi i ri, i cili është i lëruar nga mentalitetet e dëmshme të së kaluarës.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Krijimi i Ministrisë se Diasporës është një hap i rëndësishëm. Po ashtu përpjekjet e bëra në takime si te dy samitet e organizuara, deri tani më duken mjaft pozitive. Kuptohet ka shumë për të bërë akoma. Është mjaft e rëndësishme tani të kaluarit nga eventet e duartrokitjet tek puna reale. Si të përfshihet diaspora në zhvillimet e Shqipërisë? Si të ndihmohet konkretisht ajo në misionin e saj kundrejt Shqipërisë? Këto janë sfida te rëndësishme. Në fushën e shkencës dhe arsimit, krijimi i fondit të ekselencës, për të tërhequr talentet është diçka urgjente. Një pakt i partive politike në ketë drejtim është i domosdoshëm.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Jam në një stad te jetës profesionale që është ndoshta nga me produktivet. Aktualisht jam duke drejtuar disa projekte evropiane në fushën e nanoteknologjisë dhe biosensorëve si dhe udhëhequr disa studentë të doktoratës. Një ndryshim i rëndësishëm në karrierën time profesionale është marrja përsipër e detyrës si Co-Editor in Chief e revistës prestigjioze të Elsevier, Biosensors & Bioelectronics, revista më e rëndësishme në nivel botëror në fushën e biosensorëve. Ky ishte një nder i madh për mua po dhe përgjegjësi mjaft e madhe, duke pasur parasysh se bëhet fjale për një komunitet shkencor me një nivel mjaft të lartë dhe pritshmëria e performancës së revistës (aktualisht me një faktor impakti 9,5) pritet të rritet nga viti në vit.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
“The Albanian” ka një mision mjaft fisnik, jo vetëm për ne që ndodhemi jashtë, duke na afruar me atdheun, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, që të lidhemi sa më shumë me njëri- tjetrin, për të bërë sa më shumë të jetë e mundur për Shqipërinë.