Anila Hyka Smorgrav është një “ambasadore” e shkëlqyer e Shqipërisë, me një karrierë të larmishme e të sukseshme në disa vende të botës, ndër të parët shqiptarë të larguar nga atdheu që në vitin 1992. Gjithçka e ka arritur falë edukimit, këmbënguljes dhe besimit në vetvete. Gjithsesi fjala “Atdhe” e drithëron, e emocionin dhe e mban të lidhur me Shqipërinë. Ka besim se shqiptarët, pasi janë një popull vital, ambicioz dhe dashamirës ndaj tjetrit, do të gjejnë forcë për të kapërcyer çdo lloj vështirësie për t’u integruar në shoqëri të vendeve perëndimore. Mesazhet dhe shpresa e saj është një thirrje: “Ajo që shoh më urgjente për të arritur një transformim të shoqërisë është së pari një investim në transformimin teknologjik në sistemin e edukimit që në shkollën fillore. Bazat e demokracisë dhe mendimit të pavarur krijohen që në shkollë”.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Zgjedhja e profesionit në fushën e teknologjisë ka ardhur si rrjedhojë e pasionit për shkencat ekzakte si: matematikë, fizikë e kimi që në shkollë tetëvjeçare dhe gjimnaz. Pasion ky që është shoqëruar edhe me pjesëmarrje dhe çmime në konkurse dhe olimpiada të ndryshme. Nga ana tjetër përfundimi i gjimnazit për mua, me rezultate shumë të mira, përkon me hapjen e Informatikës si degë e dedikuar e IT, në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Tiranës, të cilën si rrjedhojë, mu dha mundësia ta zgjidhja. Pjesa tjetër e rrugëtimit profesional ka qenë rezultat i vendimeve koshiente që kam marrë në momente të ndryshme të jetës.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Momenti i parë që mund ta cilësoj si katalizatorin e parë të rrugëtimit tim profesional, është emërimi fill pas diplomimit në shkencat kompjuterike, në Institutin e Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar (INIMA) në Tiranë, në shtator ’89, i kombinuar me mundësitë e zhvillimit profesional që mu dhanë gjatë 3 viteve të punës në këtë institucion. Më pas eksperienca në Oslo më krijoi mundësi të zgjerimit të njohurive. Aty kam punuar me teknologji nga më të avancuarat në Evropë dhe në botë, por jo vetëm kaq. Ajo që unë do të veçoja nga eksperienca e Oslos është mundësia që mu dha për të njohur dhe përjetuar një nga sistemet më demokratike në botë.
Me po kaq me vlerë kanë qenë dhe lëvizjet profesionale në vende të tjera si: SHBA (Kaliforni), Francë (Paris) e Zvicër (Gjenevë). Kjo përvoje ka qenë e pasur dhe nga ana personale pasi jam njohur e lidhur me bashkatdhetarë në këto vende, me të cilët kemi ndarë jo vetem çështje që lidhen me profesionin, por edhe mendime mbi çështje të ndryshme dhe zhvillime në Shqipëri.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Për mua, faktorët që kanë ndihmuar në ecurinë time profesionale, përveç edukimit, janë këmbëngulja dhe besimi në vetvete, të qenurit vetvetja duke respektuar parimet me të cilat jam rritur dhe edukuar në familje, si dhe, veçanërisht, parimi: “mundësinë që ke për të ndihmuar të tjerët, kurrë mos e kurse”.
Ndër të tjera, përvoja e të jetuarit në vende të ndryshme të botës ka qenë shumë e vyer dhe ka pasur influencën e saj në komunikimin tim me njerëzit, vlerësimin e kulturave dhe modeleve shoqërore në këto vende.
Ndaj, nuk besoj se ka një çelës specifik që hap një derë. Është rrugëtimi ynë dhe vendimet që merr gjatë tij që ndikojnë në një etapë të caktuar të jetës sonë.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Personalisht, kur mendoj për të gjithë ecurinë time, shoh që etapa të ndryshme të jetës dhe vendimet e marra kanë qenë sfida në kontekstin e periudhës që kanë ndodhur.
Vendimi i largimit në 1992 nga Tirana në një
vend nordik, të cilin shumë pak e njihnim nuk ishte i lehtë, sidomos në kushtet
kur një pjesë e mirë e shoqërisë apo kolegëve po përfshiheshin gjithnjë e më
shumë në politikë dhe vendimmarrje. Lufta e brendshme midis ëndrrës për të
studiuar e perfeksionuar njohuritë e mia në një universitet jashtë shtetit dhe
ndjenjës që po humbja mundësinë e marrjes pjesë në një moment historik,
qëndruan gjatë. E ndoshta është pikërisht kjo sfidë që ka marrë trajta të tjera,
dhe më ka shtyrë gjithnjë që të jem me mendje e zemër në bregdetin Adriatik, të mbaj kontaktet me bashkëkombësit
e mi dhe të përfshihem në projekte të ndryshme për Shqipërinë që në vitin e
parë në Oslo, nëpërmjet programit Aid
Norway Albania, të Komitetit të Helsinkit.
Një sfidë tjetër shumë e madhe për mua është ajo e këtij viti, pas vlerësimit nga shteti shqiptar me akordimin e titullit “Ambasador i Kombit”, titull që u pasua me rolin, si anëtare e, Këshillin Koordinues të Diasporës.
Kjo ishte një sfidë që i shtohet asaj që unë kisha zgjedhur përmes angazhimeve të mia në komunitetin shqiptar, shoqata dhe projekte me Shqipërinë.
Kjo etapë e jetës sime i pasuron më tej angazhimet e mia me komunitetin shqiptar, si dhe në shoqata e projekte me Shqipërinë.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Unë besoj se çdo gjë, pozitive apo negative, ndodh për një arsye dhe, siç do shprehej gjyshja ime, “ndodh për më mirë në jetën tënde”.
Kjo moto më ka ndjekur që, për vendimet e marra në të shkuarën, të mos bëj pyetjen “po sikur të..?”
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
T’i përkushtohesh karrierës, sidomos për gratë e vajzat në botën e teknologjisë ku mbizotërojnë burrat, ka shpesh një faturë në aspekte të tjera të jetës, si në familje e shoqëri. Mbarëvajtja e balancës nuk është gjithnjë e lehtë. Në këtë drejtim, marrëdhënia 22-vjeçare me bashkëshortin, e ruajtur dhe konsoliduar me dashuri, respekt reciprok, mirë kuptim dhe mbështetje për njëri-tjetrin, për mua është një arritje e jashtëzakonshme, e nisur dhe nga pyetja juaj, do ta cilësoja si arritjen time “triumfuese”.
Ndër të tjera, angazhimet e mia vitet e fundit me komunitetin e diasporës në Paris, si dhe me projektin e kompjuterave për shkollat në Shqipëri, u vlerësuan me nderin që mu bë në Samitin e II-të të diasporës nga qeveria shqiptare, me dhënien e titullit “Ambasador i Kombit”, si dhe me përzgjedhjen në Këshillin Koordinues të Diasporës. Këto vlerësime janë nder, por dhe një përgjegjësi e madhe për të kontribuar në rritjen e rolit të bashkatdhetarëve në zhvillimin e vendit tonë, po ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit e mbështetjes mes shqiptarëve kudo që ndodhen.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Tingujt e fjalës “Atdhe” më kujtojnë /evokojnë zhurmën e valëve në bregdet, të cilat pavarësisht se i kam ndjerë në Kaliforni, Oslo apo në Francë, më kanë çuar në vendlindjen time, në ëndërrimet e planet se si mund të zhvilloheshin qytetet bregdetare në atdheun tim me pak punë dhe shumë dashuri për vendin, për t’u bërë po aq atraktive si ato ku po shëtisja.
“Atdhe” më ka lëshuar një dhimbje çdoherë kur një shtet i ri i është bashkuar Komunitetit Evropian dhe vendi im ishte në fundin e listës, edhe pse me mundësinë për t’u zhvilluar në madhësinë e një qyteti të madh në Evropë.
Fjala “Atdhe” më dërgon dhe një shpresë e vendosmëri kur takoj shumë atdhetarë me dëshirën dhe idealin për të kontribuar për zhvillimin e vendit. Një sinergji e të gjitha përpjekjeve në Shqipëri dhe në diasporë, të cilat janë një dritë shprese për vendin dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në Evropë.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Unë besoj se ne shqiptarët jemi popull vital, ambicioz dhe dashamirës ndaj tjetrit. Këta faktorë, dhe dëshira për t’u përmirësuar në vazhdimësi, besoj na japin forcë për të kapërcyer çdo lloj vështirësie dhe na bëjnë më pragmatistë për t’u integruar në shoqëri të vendeve të tjera.
Shqiptarët e gjeneratave të ndryshme e kanë dëshmuar këtë me punë dhe arritje në fusha dhe në vende të ndryshme, duke i dhuruar botës figura të suksesshme.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Personalisht nuk e kam ndjerë, as pasur këtë status, pasi largimi nga vendi dhe vendosja në Oslo kanë qenë në statusin e “studentit”.Me mbarimin e studimeve, jam punësuar në profesionin tim dhe në kushte të barabarta me çdo nënshtetas norvegjez. Në 1997 kam marrë shtetësinë franceze, gjë që ka eliminuar çdo lloj peripecie me të cilën janë hasur bashkëkombësit e mi.
Përtej vështirësive që kanë kaluar një pjesë e mirë e emigrantëve, jetesa në një vend tjetër ka sfidat e saj. Pasi duhet të përshtatesh me kulturën, sistemin administrativ, gjuhën e vendit, kodet e shoqërisë. Por, nga ana tjetër, kjo përshtatje përkthehet dhe në pasuri jetësore.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Bota e shqiptarëve kudo në botë, sot, përbëhet nga një numër i konsiderueshëm shqipfolës të gjeneratave të ndryshme. Në disa vende janë të organizuar në forma të ndryshme komunitare, dhe sot gjejmë dhe disa përpjekje të bashkimit të shoqatave të bizneseve në vende të ndryshme.
Duke pasur parasysh jo vetëm numrin e konsiderueshëm të diasporës, mbi 2 milion\ kudo në botë, por dhe numrin e konsiderueshëm të specialistëve, intelektualëve, dhe sipërmarrësve të suksesshëm, është momenti i duhur për të bashkërenduar përpjekjet për një bashkim ndërkombëtar të shqiptarëve të diasporës, për të fuqizuar zërin e shqiptarëve, për të fuqizuar mbështetjen për njëri-tjetrin, si dhe rritjen e sinergjisë së ekspertizës, jo vetëm për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë e Kosovës, por kjo diasporë mund të ndihmojë për të nxjerrë politikanë të ardhshëm të vendeve tona.
Ky bashkërendim mund të arrihet nëpërmjet:
- Krijimit të një fondi të përbashkët të zhvillimit të shqiptarizmit, bazuar në kontribute të përbashkëta
- Ngritjes së rrjeteve të specialistëve
- Kontributit dhe angazhimit serioz të rrjeteve të bizneseve
- Formimit të rrjetit të kulturës
- Ngritjes dhe mbështetjes së qendrave kulturore e sociale të përbashkëta që ishin dhe janë simbolet unike të bashkimit, por dhe vatra të mikpritjes për çdo shqiptar të sapoardhur dhe ata që kanë vite të larguar nga vendlindja.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Lista është shumë e gjatë dhe vështirë të zgjedhësh ato më prioritaret. Problemi në vendin tonë është që flitet shumë për demokracinë, por sa përqind demokratike jemi si shoqëri, kur nuk respektohet mendimi ndryshe, nuk dëgjohet deri në fund bashkëbiseduesi, kur shoqëria është e polarizuar deri në ekstrem?
Është e pafalshme për klasën politike dhe administrative për ngadalësinë e zhvillimit të vendit dhe ku vazhdohet me justifikimin e periudhës së “tranzicionit” tashmë për 30 vite.
Ajo që shoh më urgjente për të arritur një transformim të shoqërisë është së pari një investim në transformimin teknologjik në sistemin e edukimit që në shkollën fillore. Bazat e demokracisë dhe mendimit të pavarur krijohen që në shkollë.
E dyta është angazhimi ligjor i politikanëve për ndarjen e administratës nga politika, dhe implementimi rigoroz i kësaj baze ligjore. Në sistemet e vendeve ku kam jetuar apo jetoj aktualisht, as nuk vihet në diskutim qendrueshmëria e administratës. Kjo tregon seriozitet shtetëror. Përgatitja e ekspertëve ka kosto për shtetin.
Ndër të tjera, do veçoja si të rëndësishme, futjen në sistemin ligjor rregullin e pjesëmarrjes mbi 50% të votuesve, për të konsideruar të vlefshme një zgjedhje elektorale, qendrore apo lokale. Kjo do t’i detyrojë kandidatët të ballafaqohen me votuesit për angazhimet që ndërmarrin.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Mbështetja dhe ndjeshmëria e qeverive shqiptare ndaj diasporës gjithmonë ka ekzistuar. Mua më vjen mirë që kjo vëmendje është e vazhdueshme. Edhe hapja e një ministrie për diasporën është dëshmi e këtij interesi të vazhdueshëm shtetëror për Diasporën, dhe përbën një hap tjetër të rëndësishëm për afrimin e saj. Po ashtu, janë për t’u përgëzuar dhe miratimi i ligjit për Diasporën dhe krijimi i veçantë i Fondit të zhvillimit të Diasporës, ku në bordin drejtues është dhe një përfaqësues i Këshillit Koordinues të Diasporës.
Të gjitha këto, si dhe puna që po bëhet nga ministria, janë përqasje të mira në forcimin e urave lidhëse mes të diasporës dhe vendlindjes. Ajo që pritet nga shqiptaret e diasporës me përparësi janë: e drejta e votës pranë shërbimeve diplomatike si e drejtë kushtetuese për çdo nënshtetas shqiptar, ngritja e qendrave kulturore dhe shkollave shqipe si dhe përfshirja e elitës dhe intelektualëve të Diasporës në zhvillimin e një strategjie afatgjatë të zhvillimit të kombit, me fokus “Ku do jetë shoqëria shqiptare në 2030?” . Një strategji ku të gjithë aktorët të angazhohen në respektimin dhe zbatimin e saj.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Planet e mia janë tre dimensionale ato përfshijnë angazhimet e mia profesionale, ndërkohë që do më duhet një metodë më efikase e përdorimit të kohës për të kombinuar obligimet në Francë, përfshirë angazhimet në Shoqatën Albania ku jam Presidente, me përkushtimet që dua t’i jap detyrës si anëtare e Këshillit Koordinues dhe si anëtare e bordit të Fondit të Zhvillimit të Diasporës, përfshirë udhëtimet më të shpeshta në Tiranë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Për gjithë shqiptarët që do arrijnë deri në fund të kësaj interviste jo të lehtë për mua, mesazhet e mia mund t’ju tingëllojnë një idealizëm. Personalisht kam bindjen se në gjirin e diasporës ka me qindra e mijëra që mendojnë se sot më tepër se kurrë është koha e idealit, bashkimit rreth këtij ideal dhe besimit në të.
Të gjithëve na dhëmb sa herë kthehemi në vendlindje se shohim zhvillime gjysmake. Largohemi me trishtim dhe me pyetjen “pse nuk bëhet ky vend?”.
Përgjigjen, besoj, duhet ta gjejmë te bashkëpunimi mes mes vetes, tek ai ideal në të cilin besojmë, dhe vullneti për të ndihmuar e forcuar zërin e shqiptarit në vendet ku jetojmë, por dhe duke i dhënë një frymë të re shprese vendlindjes.
Kam lexuar shpesh artikujt e “The Albanian” që është kthyer në një dritare jo vetëm për shqiptarët e Mbretërisë së Bashkuar por dhe të mbarë Evropës e përtej. Përgëzoj stafin dhe drejtuesin Petrit Kuçana për përkushtimin dhe vazhdueshmërinë e portalit.
Nuk është e lehtë në botën e teknologjisë digjitale që përjetojmë, të mbash të “freskët” një editorial online, dhe “The Albanian” e kryen me sukses falë ndjekësve por dhe mbështetësve të tyre.
Tha Albanian