Ka një sintoni kaq të pashkëputshme mes saj dhe diasporës, saqë duket se nuk rezonojnë kurrsesi pa njëra tjetrën. Pavarësisht çfarëdolloj misioni të ndërmarrë, mbetet padyshim avokatja më e paepur në misionin e saj. Liza përsonifikon një kombinim të përkryer mes menaxhimit, sipërmarrjes, hulumtimit, diplomacisë dhe zhvillimit me përvojën e saj globale. Ajo mbetet jo thjesht një model suksesi, por nga ato “udhëtimet” frymëzuese për shumë e shumë mërgimtarë shqiptarë dhe jo vetëm.
Liza Gashi që nga prilli 2020 është zëvendësministre në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Znj. Gashi ka bërë studime dhe ka përvojë globale. Studimet Master për administratë publike i ka mbaruar në Arizona State University, kurse ato Bachelor për marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike dhe gjuhë spanjolle në Wartburg College në Iowa. Po ashtu ka diplomuar nga United World College në Kosta Rikë dhe është alumna e një programit të shkëmbimit me Universitetin Nacional të Córdoba në Argjentinë. Liza ka udhëhequr shumë shoqata, organizata e projekte, dhe vlen të theksohet që është njëra nga themelueset dhe drejtore ekzekutive e organizatës joqeveriare Germin nga viti 2014 deri në mars 2020.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
E mirëllogaritur? Jo, mendoj që jeta është interesante pikërisht sepse mbart më vete mistere që ne i takojmë/zbulojmë/përjetojmë gjatë rrugës në të cilën zgjedhim të ecim si persona. Realisht, kur kam filluar të trajtoj potencialin e diasporës shqiptare, nuk është se ka qenë diçka e përllogaritur ose, thënë ndryshe, me plan shumë të qartë. Udhëtimi im ka nisur nga një kërkesë për bashkëpunim në vitin 2011 nga Behar Xharra, një i ri nga Gjakova që jetonte në Uashington DC, dhe i cili kishte bërë një studim për rolin e diasporës në diplomaci publike dhe kërkonte të zhvillojmë një platformë avokuese për të përmirësuar imazhin e Kosovës. E tëra ka filluar aty, nga ku kam vazhduar ta trazoj një nga pasionet e mia, deri te kristalizimi i organizatës jo-qeveritare GERMIN, e cila specializohet në çështje të diasporës dhe të cilën e kemi themeluar dhe ndërtuar se bashku. Nga ky bashëpunim, kam filluar të punoj me shumë zell dhe dëshirë për të krijuar rrugë për angazhimin e potencialit të diasporës në vendin amë dhe të avokoj për një bashkëbisedim të dy-anshëm mes qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit dhe qeverive të vendeve të origjinës. Duke u mbështetur edhe në eksperiencën time larg Kosovës gjatë një dekade, unë vetëm se kisha tashmë një pasqyrë të sfidave me të cilat përballet komuniteti shqiptar jashtë vendit. Detyra që i kishim dhënë vetes asokohë ishte e thjeshtë, të krijojmë mundësi për kanalizim energjish përmes ideve alternative të sfidimit të status quo-së dhe formalitetit në raportet e shteteve amë me shqiptarëve jashtë vendit. Dhe, ja,gjatë gjithë kësaj aventure plot e përplot ngjyra, ky pasion më është shndërruar në profesion dhe në një punë që unë e bëj me shumë dëshirë dhe përkushtim.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Lëvizja nga një grup virtual i disa profesionistave, në një platformë avokuese për të drejtat e diasporës ka qenë njëri nga momentet shënjuese të këtij angazhimi. Por, mbi të gjitha, mundësia për të takuar shumë pjestarë të komunitetit tonë jashtë vendit duke bërë punë të shkëlqyeshme në të gjitha fushat. Ajo që më ka mbajtur më së shumti në këtë rrugëtim është dëshira për të krijuar një të ardhme të përbashkët, ku të gjithë zërat dëgjohen dhe respektohen.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Çdo të thotë të kesh sukses në jetë? Po t’ua bësh këtë pyetje njerëzve, do të marrësh përgjigje nga më të ndryshmet sepse jo të gjithë kemi të njejtën ide rreth suksesit. Pra, na duhen shumë çelësa, nëse duam të hulumtojmë nëpër gjithë ato dyer. Unë jam idhtare e mendimit që puna të shpie tek fati i mirë, pra, tek dera juaj e radhës. Mundësitë krijohen edhe nga dëshira jonë e madhe për ndryshim që gjendet brenda nesh. Për mua personalisht, suksesi nuk ka një cak dhe angazhimi im ditor është një ekuacion mbi dëshirën për t’i shërbyer popullit tim dhe një thirrje e brendshme për të promovuar një bashkëjetesë të shëndoshë komunitare. Mendoj që ne nuk duhet të drejtohemi kah suksesi, por t’i japim mundësinë vetës ta shijojmë rrugëtimin tonë. Suksesi do të na arrijë vet pastaj. Përjetimi në përfundim bëhet kujtim akoma më i bukur kur shijohet rrugëtimi. Besoj fuqishëm se me punë, përkushtim dhe pasion mund të ndryshojmë botën për së mbari e të hapim dyer gjithandej.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Mendoj që përballja me ndryshimet e mëdha që sjell kalimi në një përditshmëri komplet ndryshe nga ajo që bëje dikur sjell rezultat e maturi. Edhe shtegu i sfidave të pamundura nganjëherë është një pistë e mirë aterimi si pikë-fillim drejt rrugës që ne ndeshim e vazhdojmë të ecim mbi të. Jo rastësisht thuhet se forca më e madhe tek njeriu është ajo e ndryshimit. “Ndryshimi është konstantja e vetme”, thotë Herakliti. Pra, ne si qenie e kemi nevojën e vazhdueshme për ndryshime në jetë, mënyrë kjo që na bën të rritemi, të kuptojmë, të përceptojmë më ndryshe dhe më drejtë realitetin që na rrethon. Rrugëtimi im jashtë Kosovës ka qenë një ndër sfidat e mia të para: jam larguar nga shtëpia si 16 vjeçare për të vazhduar shkollën e mesme në Kosta Rika, një vend shumë i largët si nga apsekti gjeografik po aq edhe kulturor. Ky largim aq i hershëm nga familja dhe vendi im më ka bërë të kuptoj shumë gjëra; duke filluar nga ballafaqimi me kultura komplet të ndryshme nga ajo e jona e deri tek ato vështërsitë fillestare, ku pamundësia për të kuptuar gjuhën apo reagimet e njerëzve të shkaktojnë ndjesi habitore tek vetja. E rëndësishme gjatë gjithë këtij rrugëtimi është të përqëndrohemi tek objetivi, duke u mbështetur tek forcat që i përfitojmë gjatë këtij procesi të rritjes sonë emocionale e shpirtërore, sepse është më se e rëndësishme të gjejmë qetësinë në mesin e fortunës dhe t´ia arrijmë qëllimit.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kur të bie të reflektosh e kupton që si përfundim ne jemi shuma e vendimeve që ndërmarrin dhe pastaj kërkojmë tek përputhjet e rezultateve me idealen tonë, ne gjithmonë jemi në kërkim të mënyrave që përkojnë me përmirësimin e vazhdueshëm të tyre. Më rastis shpesh të mendoj mbi shumën e vendimeve të nxjerrura dhe kuptoj që më i rëndësishmi është qëllimi, edhe pse forma e realizimit mund të merr forma të ndryshme, qëllimi do të ishte po i njejti. Neve gjithmonë shoqërohemi nga kurreshtja e asaj se cfarë do të ishte ndryshe në jetët tona, nëse do kishim marrë vendime të ndryshme nga këto, që tashmë kemi zgjedhur dhe sigurisht kjo mëdyshje do më ngelet dhe mua vetëm për faktin që misteri mbart me vete shumë këshëri, e për hirë të kësaj do hamendësohem edhe unë kushedi edhe sa herë të tjera. Çfarë do të ishte ndryshe sot, sikur të kisha përshkuar një trajektore ndryshe nga kjo që kam bërë deri tani, sikur të mos kisha marrë aeroplanin qysh në moshën 16 vjecare, i cili do të më shpiente në anën tjetër të globit, pa e kuptuar se kur dhe si ndodhi magjia, ku do të isha unë sot? Rrethanat do të mund të ishin të ndryshme, por besoj fuqishëm që prapë do t’i përmbahesha qëllimit të mirë.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Rrethi im i ngushtë më konsideron si idealiste dhe unë pajtohem me këtë gjykim.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Dashni e pakushtëzuar për vendin dhe kombin që të bën unik në një botë shumë diverse. Atdhe? I hershëm dhe aktual si term…gjëja e parë që më vie ndërmend janë bankat shkollore me poezi të rilindasëve tanë, poezi të brezit tonë të artë. “Më je i dashur sa më s’ka”, varg ky shumë i dashur i Naimit, që vazhdon e më shoqëron mua sot e gjithmonë, kudo që ndodhem. Kjo fjalë sikur peshon më shumë kur thuhet kështu sepse njëmend e kemi vetëm një at e dhe. Atdhe është rrënja e asaj që ne jemi, vendi ku kemi lindur e ku kanë jetuar të parët tanë, e ku vazhdojmë e frymojmë ne sot.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Sigurisht një nga cilësitë që më ka përcjellur në jetë, përpos adaptimit të shpejtë me ambientin ku veproj, është edhe optimizmi dhe vullneti i mirë për të ecur përpara përballë të panjohurës me kokëfortësinë dhe sigurinë e një personi që pretendon që nuk i njeh mirë ujërat nëpër të cilat lundron. Kam përshtypjen që kjo është një karakteristikë mbarë shqiptare. Duke u nisur nga fakti gjeografik, ne jemi një pjesë e harruar e Evropës, e lënë qëllimshëm mbrapa me zhvillimet sociale, ekonomike e politike për sa e sa vite. Ndoshta e gjithë kjo është arsyeja e kultivimit të një optimizmi të paepur të asaj që një ditë “duhet të bëhet më mirë” ndër nesh, me patjetër. Kjo lloj rrëmuje të ndihmon të mos ndjesh thellë as krizat e mëdha financiare nëpër të cilat kalojmë ne si vend, si familje e shoqëri; të ndihmon të kesh bilancin e duhur në kohëra të vështira psikologjike; të bën elastik kundrejt problemve nëpër të cilat duhet të kalojmë; të ndihmon të besosh që do shohësh dritën në fund të tunelit një ditë, e të besosh shumë pa e ditur epilogun e ngjarjes në ndërkohë që nuk të shuhen edhe ato pak shpresa për një të ardhme më të ndritur.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Fatmirërsisht kur ika nga Kosova gëzoja statusin e studentes. Pra, jo që kjo ma bëri më të lehtë eksperiencën prej një emigrante, por që nuk e ndjeja fort pjesën linçuese të termit, siç e përjetojnë shumë persona që fatkeqësisht detyrohen ta braktisin vendin e tyre për një të ardhme më të mirë, por që pjesën emocionale që pason me mallin dhe dëshirën për vendin e lindjes e kisha të njejtë dhe unë. Përparësi e imja ishte pjesa e grupit ku unë veproja, isha pjesë e një programi multinacional e kulturor me përplot diversitet, në një shkollë të rangut të lartë cilësor, pjesë kjo e fatit të fillestarit, ku nuk cilësohesha ndryshe nga kolegët e mi në kampusin shkollor. Kishim edhe ne ato ndryshimet e rendeve shoqërore, pavarsisht nga vendet e origjinës, e që mbartnim me vete probleme të natyrave komplet të ndryshme e ca edhe banale nga kulturat prej të cilave vinim. Pra, mendoj që të jetuarit larg atdheut të pasuron shumë dhe njëkohësisht e bën gjithçka edhe më sfiduese në aspektin e rrafshit emocional ndërsa të jep mundësinë ose shansin që të rritesh shumë profesionalisht e të shohësh edhe përtej dritareve të kulturave të tjera. Kjo eksperiencë të bënë ta duash, ta çmosh e ta kultivosh dyfish kulturën tënde e t’i pranosh me lehtësi pjesëtarët e kulturave tjera.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Pikë së pari, mendoj që na nevojitet një komunikim i dy-anshëm me pjesen tjeter te kombit që jeton dhe vepron larf atdheut. Na duhet të krijojmë më shumë ura komunikimi mes nesh. Mendoj që ekziston një vakum në mes të idealit të gjeneratës së vjetër dhe realitetit të gjeneratës së re që jeton në mes të dy kulturave. Mirëpo për të përmisuar këtë bashkëpunim, ne duhet patjetër ta dokumentojmë angazhimin e gjeneratave të vjetra dhe të mos mendojmë që kjo punë fillon me ne. Pra, të fillojmë të punojmë më shumë në grupe dhe të mos tentojmë ta mbajmë lidershipin vetëm mbi supet e një personi. Mendoj që e mira vjen kur të gjithë angazhohemi në forma të ndryshme, aty ku ne shohim mundësi për kontribut. Ndërsa neve na mbetet që të krijojmë dhe koordinojmë këto mekanizma… dhe më shumë hapësirë institucionale për kërkesat e ankesat nga diaspora jonë, por gjithmonë duke u dhënë hapësirë edhe zgjedhjeve kreative që vinë nga brenda.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Një dashni e (pa)kushtëzuar, një mundësi për ri-njohje dhe një dritare reflektimi. Pra, na duhet një strategji veprimi duke përkuar me këto tre elemente esenciale të lartëcekuara. Gjatë proceseve të mëdha na është dëshmuar që unifikimi krijon burime energjie të pashterrueshme—duhet ta shfrytëzojmë e ta kanalizojmë këtë energji. Mënyra më e mirë dhe efikase është ajo në të cilën duhet të punojmë të gjithë së bashku e fuqishëm drejt implementimit të këtij objektivi në menyrën më të mirë të mundshme.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Mendoj që rezultatet flasin më shumë se fjalët (të cilat ne kemi dëshirë ti hipërpolizojmë). Duke u bazuar në mundësitë që kemi pasur, unë mendoj që shtetet shqiptare kanë bërë më shumë zhurmë se punë. Për këtë kam qenë vazhdimisht e zëshme përmes punës time në shoqërinë civile dhe puna që kam bërë deri më tani është pikërisht arsyeja pse kryeministri Kurti më ftoi t’iu bashkohem në ekipin e ri qeverisës. Tani na ngelet neve të bëjmë më shumë punë me më pak fjalë. Kjo sepse kam përshtypjen që shqiptarët jashtë vendit janë lodhur me fjalë dhe duan diqka konkrete me një çasje gjithëpërfshirëse dhe jo-përjashtuese për një dialog të hapur dhe sinqertë mbi të gjitha. Mendoj që u kemi borxh sidomos gjeneratës së re që po lind e rritet jashtë të shohë edhe diqka përtej politikës ditore ballkanike për vendin amë të prindërve të tyre.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Realisht kam shumë plane, mirëpo kjo kohë pandemie disi më ka bërë që të reflektoj më shumë në të sotmen. Pikërisht, sepse koha është e pandalshme, mendoj që duhet mësuar mësimet nga e kaluara, të punojmë për të tashmen, dhe të mendojmë për të ardhmen. Planet e mia për të ardhmen që ndërlidhen me angazhimin tim institucional kanë të bëjnë me krijimin e urave lidhëse insitucionale në mes diasporës dhe vendit amë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Për fund, po ju lë me një citat nga Konica: “Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij.” Mendoj që pikërisht ky citat ndërlidhet shumë për të gjithë, veqanërisht për ata që jetojnë në mes dy kulturave dhe vazhdimisht kërkojnë të bëjnë diqka për vendin amë.