Sot bëhen 20 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.
Për veç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
***
Takimi me Thaçin, Hahn i palëkundur: Të pezullohet taksa
Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Johannes Hahn ka reaguar në “Twitter” pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Ai shkruan se është i një rëndësie të veçantë procesi i rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Komisioneri u ndal edhe tek pika më e nxehtë, ajo e taksës, ndërsa kërkoi që sa më parë të merren masa pezullimi dhe më pas lëvizja e mallrave të bëhet pa barriera mes Kosovës dhe Serbisë.
“Takim i mirë me Presidentin Hashim Thaçi. Është e rëndësishme që dialogu Serbi-Kosovë të rinisë me shpejtësi, gjithashtu është në interes të stabilitetit dhe progresit më të gjerë rajonal. Unë përsërita qëndrimin e Bashkimit Evropian se tarifat kontradiktore të Kosovës duhet të paktën të pezullohen”, shkruan Hahn.
















