Petrit Kuçana
Si peshku pa ujë kanë mbetur disa ngrehina institucionale që kanë për emërues të përbashkët fjalë diasporë. Kaq tragjikomike duket e gjithë persiatja qeveritare e atyre kohëve, që nuk nguronte ti konsideronte si zhvillime historike, që për herë të parë në historinë e Shqipërisë u krijua ky apo ai institucion i diasporës.
Madje edhe Ministrinë e Shtetit për Diasporën e konsideruan si hap historik, por koha vërtetoi që nuk ishte gjë tjetër, veçse një vend pune për ministrin e “Vijës së Zjarrit” Pandeli Majko.
Që prej rikonfigurimit të qeverisë Rama 3, ku me një të rënë të lapsit u shkri vendi i punësi së Majkos dhe deri më sot, nuk është dëgjuar fjala diasporë dhe duket se as që vë kush ujin në zjarr, për shtojcat apo lidhësat artificiale e gati të pakuptimshme që lidhen me këtë fjalë. E gjitha që dëgjuam dhe që propaganda u kujdes në maksimum të shtonte volumin e bëmave kryeministrore, ka qenë bashkëbisedimi i Ramës me disa shiptarë nëpër botë, ku kryeministri ngjante më tepër me një rekrutues pune, se sa si ai që ideon ose miraton politikat e caktuara për thithjen e trurit.
E megjithatë deri më sot nuk kemi pare ndonjë hap konkret që të jenë marrë, ne lidhje me këtë pasuri të jashtëzakonshme të kombit shqiptar, që merr një vëmendje të thekshme në këto kohë zbrazjeje të Shqipërisë. Duhet të jesh shumë optimist që të besosh se kjo nismë nuk do të përfundojë si shumë të tjera, si një lajm ndryshe i kryeministrit që harrohet brenda tre ditësh. Vazhdon të mbetet kokëfortë pyetja krejt e natyrshme se çfarë do të bëhet me ato institucione që u ngritën po nga kryeministri / kryeministria.
Deri më sot asnjë ministri, qoftë dhe ajo e Jashtme, nuk e ka pare të arsyeshme ti “birësojë” si dikastere të saj, thjesht janë kthyer në mantele të papërdorshme, limonë të shtrydhur, që nuk i duhen më kryeministrit dhe që nuk mund të prodhojnë asgjë në radhën e lajmeve propagandistike.
Është më shumë se keqardhja për të gjithë ata që besuan se kryeministri Rama e kishte seriozisht atë punën e diasporës, se vërtetë kishte ardhur koha që edhe qytetarët shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë do të mund të ushtronin të drejtën e tyre të votes. Kushedi sa tragjike ngjan për shumë e shumë idealistë deklarata e prerë e Kryeministrit Edi Rama, se vota e diasporës, “ O do të bëhet, o do të bëhet”. Pas “shkrirjes” së Majkos dhe kalimit të tij në gjirin e partisë, as ai dhe askush tjetër, nuk guxon të përmendë një akt normativ tejet të thjeshtë, pra që jodomosdoshmërisht duhet konsensus apo ndërmarrësi të jashtëzakonshme, siç është regjistrimi i diasporës.
Do të dukej komike në vetvete edhe pyetja se kur do të fillojë/vazhdojë regjistrimi i diasporës.
Deri atëherë mbeten në ajër çdo ngrehinë institucionale si bishtnim i diasporës.