Ilegalisht, Ministria e Arsimit ka publikuar me 28 tetor një listë të re librash rekomanduese për bibliotekat shkollore, ku përjashtohen Nënë Tereza, Ibrahim Rugova dhe krejt letërsia dhe studimet e Kosovës si dhe De Rada, 200 vjetori i të cilit po kremtohet sivjet. Lista mendohet se do të anullohet, nga frika e Edvinit prej reaksionit të publikut, por sakrilegji kërkon fajtorë, dhe ata duhen ndëshkuar, që nga anëtarët me konflikt interesi të Bordit e deri tek shefja e kabinetit të ministrit, e cila po kthehet në notere e botimeve për të cilat ka interes
Një produkt i rëndësishëm shumëvjeçar i politikave buxhetore të Ministrisë së Arsimit, për të inkurajuar arsimin kombëtar, i themeluar qysh më 2006-n, nga kabineti “Berisha 1”, është abortuar dje me një vendim të turpshëm, i cili përtej abortit, synonte të ndalonte lindjen e kopilit financiar, për një sërë entesh botuese. I thirrur në ilegalitet dhe i miratuar po ashtu pa asnjëfarë transparence e kriteri, Bordi i Ministrisë së Arsimit shpalli më 28 tetor, me gjuhën ultimative, që është karakteristikë e kësaj qeverie, një listë me 385 tituj, e cila do të shërbente si mantra e dhjetëra drejtorive rajonale të arsimit, të cilat do të psonisnin në të, qindarkat e dijes për bibliotekat e shkollave 9-vjeçare e të mesme. Për projektin “Berisha” ka pasur vazhdimisht polemika dhe vazhdimisht vëmendje, por përveç vitit 2012, kur për arsye buxhetore, ai s’qe në gjendje të përmbushej, në vitet e tjera, rreth 600 mijë euro, vit për vit, kanë shkuar për pasurimin e bibliotekave të shkollave, në fillim në qendrat e qarqeve e më tej edhe në nivelet më të poshtme. Krejt polemika solli aty nga viti 2009, demokratizimin e mëtejshëm të skemës, ku financimet dhe përzgjedhjet do të organizoheshin nga komisione të posaçme mësuesish të profesionit e jo nga drejtorë shkollash, apo më keq akoma, drejtorë drejtorish në ekzekutivët e rretheve.
Por me 28 tetor të 2014 pamë shembullin se si sektorin e subvencionimit të librit jashtëshkollor e kanë uzurpuar dallkaukët e pacipë, ndërkohë që me 30 tetor u kuptua se këtë llurbë s’mund ta ndalte një ministre që s’e kontrollonte dot procesin, por veç skandali që po shpërthente apo kasnecët pranë kryeministrit Rama. Në datën e sipërcituar, Bordi i pashpallur dhe i pakonsultuar me publikun, me universitetet, shtëpitë botuese dhe grupe të tjera të interesit shpalli një listë prej 385 titujsh, i cili s’ishte kurrfarë produkt seleksionimi e verifikimi, veçse një sakatim i listës shumëvjeçare të miratuar nga ministria e Arsimit, ku ishin hequr titujt e “armiqve” politikë dhe ishin shtuar si me sustë mjaft tituj nga shtëpi botuese që kanë marrë përsipër të organizojnë vajet pranverore në të ashtuquajturin amanet të Edvinit “Festivali i Librit dhe i Kulturës”.
Në listë është zhdukur i gjithi Mendimi Shqiptar, me të gjithë përfaqësuesit e vet, duke nisur me Branko Merxhanin, e duke vijuar me Mehdi Frashërin, Mit’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën e Anton Harapin, por është bërë përpjekje që aty të futen sprova historike si ajo e A.Putos ta zëmë, të mbushur me antizogizëm e antinacionalizëm, lidhur me Shqipërinë e viteve 1912-1939. Mit’hat Frashëri përfshihet në mënyrë hileqare tek disa shënime udhëtimi, a thua se ky gjeni i kombit, ishte një i huaj që po endej viseve tona, e jo një tribun, që ka karakterizuar krejt zhvillimet shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Publicistika e Fishtës, leksionet e Anton Harapit apo i gjithë korpusi i albanologut At Zef Valentini janë fshirë në mënyrë metodike nga lista e vjetër e rekomanduar prej Ministrisë së Arsimit, jo aq se llurba konsultuese e ministrisë aktuale ka ndonjë inat kundër tyre, pasi shumë pak kanë vend idetë në këtë matrapazllëk, por për shkak se këta korifenj janë sjellë në shqip nga shtëpi botuese që s’janë kliente të pushtetit të ri. Hakmarrja është shekullore dhe të njëjtin fat kanë pësuar edhe kujtimet e papërsëritshme të At Zef Pllumit, Nderit të Kombit, të vlerësuar edhe me Penën e Artë nga MTKRS-ja, vetëm se këto shënime janë shpluhurosur prej kohës dhe sjellë tek lexuesi në versionin më modern të fjalës nga Shtëpia Botuuese “55”.
Mungesa e krejt të ashtuquajturit “neoshqiptarizëm” pason goditjen si me sopatë të të gjithë mendimit shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore. Edhe vetë Jeronim De Rada, 200-vjetori i të cilit kremtohet sivjet mungon totalisht, daç si superkontribut letrar, daç si kontribut publicistik. S’e si mund të ndihen prof. Ali Xhiku apo edhe vetë anëtarja e përjetshme e bordit, Floresha Dado, kur për De Radën përfshihet vetëm një studim i Klara Kodrës për një vepër të përveçme (Serafina Topia) dhe jo korpusi i plotë i veprës së rilindësit të madh, s’e imagjinojmë dot, por merret vesh se harresën, profesorët e Bordit e kanë bërë se s’kanë pasur asnjë shtëpi botuese që t’u fërshëllente në vesh për botimet. Kuptohet, motoja e re është: s’mund të rekomandojmë asgjë nëse klientët s’na e kërkojnë. S’na duhet se botimet e plota gjithsesi gjenden e as që shumë botime të patjetërsueshme janë të botuara në shqip, paçka se në Kosovë.
Qëndrimi enverist ndaj letërsisë së shkruar në Kosovë, kritikës së shkruar atje dhe studimeve e këndvështrimeve që vijnë prej andej e që meritojnë një diskriminim pozitiv të paktën 100 vjeçar në anën e këndejme të lëvrimit të gjuhës shqipe, është ekzemplar në listën e re të qeverisë së Edi Ramës. Mungesa në listë e krijimtarisë së Ibrahim Rugovës, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes e Eqerem Kryeziut nuk është një harresë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi librat e tyre kanë qenë rregullisht në të gjitha listat e Ministrisë së Arsimit, që nga viti 2006, por një qëndrim i turpshëm për të cilin anëtarët aktualë të Bordit duhet të skuqen e ministria duhet të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë të këtij sakrilegji. Le ta shohë Ardiana Berberi, cerberi i Edvinit në ministrinë e Arsimit se si është sakatuar krejt botimi i shqiptarëve të Kosovës me një të rënë të lapsit në vitin kur kryeministri kish shpallur se do ndodhte në mënyrë masive unifikimi i teksteve shkollore (lexo edhe rekomandimeve jashtëshkollore). Askush nuk thotë gjë në fund të fundit për klientelën e re të qeverisë, le të anullohej mbledhja e Bordit pse një shtëpi botuese, pronarja e së cilës është fis me cerber Berberin, kish harruar të dorëzonte kopjet e librave brenda afatit të përcaktuar të 6 tetorit. S’prish punë, librat le të përfshihen edhe jashtë këtyre rregullave e standardeve, mjaft që librat të jenë të mirë e që u vlejnë bibliotekave. Le të jetë një listë e abdituar, por jo lista të abditohet me botimet e klientelës, duke përfshirë sakrilegjin “Dashuria e Mimozës” të Nasho Jorgaqit apo “Shkrimtarët e Shekullit” të Rudina Xhungës, kur dihet se antologjitë me të cilat mund ta lexojmë letërsinë janë të pafundme e akademike në kredencialet e tyre, pa pasur nevojë t’u drejtohemi intervistave a qëndrimeve gazetareske. Voluntarizmi në sakatimin e listës së vjetër rekomanduese ka goditur kryesisht qëndrimet perëndimore e kontributin perëndimor të shqiptarëve, ndërkohë që shtesat e reja janë thellësisht riciklime të opinioneve bolshevike të 50 viteve të shkuara në të ashtuquajturat “studime të reja shqiptare”. Sërish s’i shpëtojmë dot krahasimit, kur qëmtojmë se në listë është shtuar një studim për Skënderbeun i gazetarit Virgjil Kule dhe jo studimi i Aurel Plasarit ta zëmë. Meqë ra fjala tek studiuesi i njohur, krejt lista e studimeve të tij, që ishte rekomanduar në listën e vjetër, ku përfshiheshin edhe studime për Kutelin apo Camajn, janë fshirë, njësoj siç janë fshirë edhe titujt e përfshirë në kolanën “Inteligenda”, ku vinin në shqip kontribute të rëndësishme intelektuale për mendimin bashkëkohor në letërsi, histori e albanologji, vetëm e vetëm se ato janë publikuar tek botuesi “armik partie” Fahri Balliu.
Mungesa më ulëritëse e listës, e cila shkon fiks sipas historikut të mungesave të kryeministrit Edi Rama, është mungesa e çfarëdolloj libri të shenjtores shqiptare Nënë Tereza apo për shenjtoren Nënë Tereza. Libra të pafund në shqip, të shkruar nga studiues, poetë e historianë janë zeruar, ndërkohë që në shqip janë botuar prej vitesh edhe cikli i poezive të Nënë Terezës, e cila gjithashtu po provon censurën e re të “mirditores” Lindita Nikolla. Kjo censurë orientale është përdorur edhe për librat në shqip të Atit të Shenjtë Benedikti XVI apo historianin hebre, më i njohuri i shekullit XXI, Simon Sebag Montefiore.
Lista vuan nga konflikti flagrant i interesit, për shkak se dy anëtarë të bordit të ngritur ilegalisht nga Ministria e Arsimit, Shaban Sinani e Floresha Dado kanë përfshirë në listën rekomanduese librat e tyre. Nëse për prof.Dadon, problemi mendohej i zgjidhur, për shkak se më herët ishte vendosur kriteri i shmangies nga konflikti i interesit, për prof.Sinanin, problemi është flagrant, për shkak se përveç 4 titujve autorialë, ai figuron edhe si kontributor në botimet e entit “Naimi”, i cili në listën e re të ministrisë është nga më të fryrët.
Për të treguar verbërinë me të cilën Ministria e Arsimit ka vepruar partiakisht e politikisht gjatë dy ditëve të fundit, mjafton të kujtojmë se Bordi u thirr me urgjencë me 28 tetor për të firmosur listën e lartpërmendur, meqenëse rrezikonte të digjeshin fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit, por dy ditë më vonë, pra dje, u shpërnda thashethemnaja se lista ishte anulluar, siç thuhet, me urdhër të Edi Ramës. Nuk dihet ende si qendron e vërteta, pasi ministria s’ka dalë formalisht të anullojë shkresën e vet me firmë e vulë, që u ka nisur drejtorive rajonale në rrethe, por thirrja mbetet që sa më shpejt lista të miratohet, qoftë edhe vetëm me klientelën e lartpërmendur të mazhorancës. Nuk ka asnjë problem që librat e Jorgo Bulos, Rudina Xhungës, Arben Putos, Shaban Sinanit e Floresha Dados shkojnë preferencialisht në shkollat tona 9-vjeçare e të mesme, dhe Nënë Tereza, Jeronim De Rada, Branko Merxhani, Ibrahim Rugova, Ali Podrimja e At Zef Pllumi sërish censurohen. Më mirë pak libra sesa aspak. S’ka libra të këqinj, por tollovia që po shoqëron listën e Ministrisë së Arsimit duhet davaritur. Duhet marrë vesh fajtori për sakrilegjin e 28 tetorit e po ashtu duhet zyrtarizuar edhe bllokimi i 30 tetorit. Ministrja Lindita Nikolla duhet të gjejë fajtorin nëse nuk do të konsiderohet fajtore për sakatimin e listës së vjetër dhe harresat e tmerrshme të De Radës, Nënë Terezës e Ibrahim Rugovës. Kurse Edi Rama, i cili pati kohë gjatë 8 viteve të opozitës të bënte lojën e pështirë të pështyrjes së botuesve, nëse ata s’ishin në grigjën e tij, tani ka detyrimin të denoncojë listën e të kthejë në shina një traditë pozitive, e cila synon arsimin kombëtar dhe jo arsimin partiak e enverist, veç në 28 mijë kilometrat e RPSSH-së.
















