Nga Besnik Terziu
I mbështjellë me arrogancën gjenetike të klasës politike të cilës i përket, Edi Rama po rivendos shtetin policor në Shqipëri. Për të nuk ka rëndësi se çfarë thonë demokratët as se çfarë thonë të tjerët, por objektiv kryesor mbetet përqendrimi i fuqisë policore nën komandën e tij, si i vetmi mjet me të cilin Rama mund të qeverisë. Aktualisht Kryeministri socialist që kërkon përqendrimin dhe centralizimin e taksave sa më të larta dhe policisë si parim thelbësor i së majtës në ushtrimin e pushtetit, ka dështuar të qeverisë e të mbajë premtimet për hapjen e vendeve të punës dhe punësimin e qindra mijëra të rinjve që sot janë rrugëve të Shqipërisë. Deri më sot, Rama dështoi plotësisht të reduktojë evazionin fiskal dhe të formalizojë ekonominë informale në mënyrë që të zgjerojë bazën e taksapaguesve që do të sillte edhe mosrritjen e taksave. Kjo është e qartë jo vetëm për ne, por edhe për ndërkombëtarët që e kanë shtrënguar të rrisë taksat në mënyrë që të shpëtojë veten nga kolapsi i plotë. Nuk ka investime në infrastrukturë, janë bllokuar ndërtimet, prodhimi industrial është i limituar dhe i tkurrur në lëndë të para që nuk mund të mbulojnë dështimet në fushat e tjera dhe Rama vetëm sa rri dhe bën sikur nuk sheh që asgjë në këtë vend nuk i punon. Ekipi që gjoja prezantoi si një skuadër të aftë për të qeverisur vendin është rehatuar dhe zhytur në rrugën e korrupsionit dhe vazhdimësisë së paligjshmërisë, ndërsa rolin kryesor në gjithë këtë katrahurë e ka marrë policia, e cila mbetet mekanizmi i represionit dhe frikës ndaj qytetarëve në mënyrë që ata të respektojnë Ramën. Pra një respekt i imponuar me bazë frikën dhe jo të vërtetën për të cilën Rama u premtoi shqiptarëve se do e drejtonte në punën e tij të përditshme. Fushata e rrënimeve dhe prishjeve gjithsesi selektive dhe korruptive anembanë vendit nuk u dha ndonjë të ardhur më shumë shqiptarëve. Përkundrazi janë me mijëra familje që sot vajtojnë gabimin e dhënies së votës PS-së. Komedia e Ramës me zyrat gjoja të reja të punës i shërbeu atij vetëm sa të shtynte ca muaj qeverisjeje në fillim. Po kështu mashtrimet se do të paguante borxhet e Berishës ndaj bizneseve të ndërtimit të veprave infrastrukturore nuk i shërbyen për asgjë tjetër veçse për të shtyrë edhe ca muaj të pranverës së këtij viti. Mashtrimet me pagesat e ish-të përndjekurve dolën shumë shpejt në publik. Ngjarjet e rënda kriminale me ekzekutimin e pangjarë më parë të Artan Santos apo atentatet masive me tritol po anashkalohen tërësisht duke nxitur harresën qytetare përmes indiferentizmit institucional në trajtimin me seriozitet qoftë të viktimave, qoftë të agresorëve. Nuk bëhet fjalë për procese normale ku shteti të dojë të gjejë vrasësit, përkundrazi. Deri më tani qeveria Rama është kujdesur që të burgosë me qindra e me qindra persona për gjithfarë veprash të shpikura penale, por jo vrasësit e rrezikshëm pasi eksperienca personale e Ramës ne marrëdhëniet me këtë lloj të veçantë dhe të rrezikshëm shoqëror sic është vrasësi, është e ndërlikuar. Ndoshta mendon se mund të dojë një moment shërbimet e tyre të zeza kundër çdo njeriu që do të guxonte të prishte planet e tij për rivendosjen e shtetit policor që do mbronte qeverisjen e tij të dështuar. Mirëpo si gjithmonë kur një forcë e caktuar me prirje totalitare shfaqet në ambientin shoqëror, antikorpet mbrojtëse të vetë shoqërisë fillojnë dhe reagojnë. Këtu nuk është fjala për parazitët e shoqërisë civile që e majta shqiptare i ka të blerë e të emëruar, por për atë pjesë të shoqërisë që gjykon se po rrezikohen liritë themelore njerëzore. Natyralisht opozita vendoset menjëherë në llogore të kundërt me tendencën e qeverisë dhe ky pozicionim nxit dalëngadalë shumë shtresa shoqërore që të kundërvihen ndaj rilindjes së diktaturës. Reagimi kryesisht është civil, paqësor i shprehur hera herës me protesta e greva të përgjithshme apo lokale, ndërsa një refuzim gjithnjë e më i madh i popullsisë shfaqet në opinionin publik. Çështja që shtrohet në këtë moment ku represioni dhe agresiviteti antiligjor i pushtetit po kërcënon dinjitetin dhe jetën e cdo individi pa përjashtim klasor, a mjafton vetëm reagimi paqësor si opsion i shëndetshëm demokratik i rezistencës qytetare? Fjala bie si duhet të sillet ai kryefamiljari që për të ngrohur fëmijët gjatë dimrit arrestohet sot përdhunshëm me akuzën e vjedhjes së energjisë? Po ai pronari i lokalit, lavazhit, fasonit, supermarketit apo magazinës ushqimore që merret me forcë policore si duhet të reagojë? Sigurisht që disa kanë zgjedhur tashmë përballjen gjyqësore me shtetin policor, por në kushtet kur shumë qytetarë nuk besojnë tek drejtësia kështu sic është sot, si duhet të reagojnë? A është qëndresa paqësore e vetmja rrugëzgjidhje si respekt ndaj parimeve demokratike që shkelen njëanshmërisht nga pushteti që ka në dorë kërbaçin e forcës për të detyruar shtetasit të përkulen përkundrejt dëshirave të një Kryeministri të dështuar dhe të papërgjeshëm? Pra çështja është se edhe sa do të durojnë njerëzit që të nëpërkëmben nga pushteti dhe policia? Eksperienca nëpër të cilën kanë kaluar shtetet më demokratike sot në botë na thotë se sfida që një shtet policor u bën qytetarëve të tyre është e njëjtë me ringjalljen e ndjenjave të forta anti-totalitarizëm brenda bërthamës të qëndresës popullore. Herët ose vonë, shteti policor do të shtojë dhunën dhe masat represive ndaj qytetarëve duke e shtrirë kërbacin e vet në të gjithë bazën shoqërore të vendit. Dhe kur kjo të ndodhë, sepse po ndodh aktualisht në Shqipëri, atëherë edhe rezistenca jo paqësore do të shfaqet me ndroje në fillim dhe e vecuar, por shpejt do të bëhet arma kryesore dhe e preferuar me të cilën masat përgjigjen ndaj shtetit policor. Atëherë vështirë se do të ketë ndonjë Kryeministër apo anëtar të ekipit “vizionar”të Ramës që të mëshirohet për atë që po u bën sot shqipatarëve. Dhe do jetë as më shumë dhe as më pak, por një fund i merituar i Ramës dhe mbështetësve të shtetit të tij policor.















