Nga Besi BEKTESHI
Nuk ka shtet në Ballkan dhe padyshim në Europë më i pa semaforizuar se sa Shqipëria. As Kosova, as Mali i Zi, as Maqedonia që janë nga fundi, nuk krahasohen me ne për sasinë dhe përdorimin e semaforit. Shkurt, jemi vendi më i pakontrolluar në drejtim të qarkullimit në Europë dhe kjo sigurisht nuk na bën nder. Duke marrë shkas nga një moment televiziv në “Fiks Fare” po i kthehem problemit të “konstitucionit” tonë lëvizës në trafik dhe mungesës së semaforit në psikikën e shqiptarit. Çfarë ka ndodhur me shqiptarin në ballafaqim me botën e qytetëruar, duke i munguar një nga elementët më absolut të urbanizimit, që është semafori? E kam fjalën dhe në psikologjinë specifike të politikës në ngjyra. Shqiptarët dhe e them me gjysëm shaka, edhe politikisht nuk dallojnë dot ngjyrën midis të kuqes dhe jeshiles, duke mos e dalluar dhe eventualisht si përdorim në semafor, por dhe si moment konceptual se kur duhet të ecësh, kur duhet të ndalohesh dhe kur duhet të përgatitesh për njërën apo tjetrën që është portokallia. Dakord, filozifikisht them…!
Të parat momente të sinjalistikës me semafor fillojnë në 10 dhjetor të vitit 1868 në Londër, kur u instalua një sinjal i rrjedhur nga hekurudhat, që ndërrohej nga e kuqe në jeshile. Por semafori modern është përdorur në Amerikë në vitin 1914 në Kleveland dhe kishte vetëm jeshilen e të kuqen. Kurse me tre ngjyra u vendos për herë të parë në Nju Jork në vitin 1920. Semaforizimi i Europës filloi mbas vitit 1922 në Paris dhe vazhdoi në Hamburg, Berlin, Milano, Romë, Londër, Torino dhe i pari për kalim këmbësor u arrit në Berlin në vitin 1961.
Qytetërimi u mbush menjëherë me semaforë. Sot, ai është një model i padiskutueshëm urban. Nuk ndërtohet asnjë rrugë normale qytetare dhe urbane, pa pasur parasysh kërkesën për semafor. Nuk ka qytete normale pa përdorimin e tij. Ai edukon njerëzit në mënyrë të përditshme. Është një komandues më i mirë se sa polici. Ka epërsinë e madhe të punës pa ndërprerje dhe të ndershme në konceptin subjektiv të njeriut që komandon trafikun. Ka bërë që bota e qytetëruar të zhvillohet në bazë të tre ngjyrave kur janë në përdorim, dhe që janë pikërisht e kuqja, e verdha dhe jeshilja. Te ne, disi e semaforizuar është qendra e Tiranës. Shumë pak jashtë saj. Shqipëria dhe qytetarët e saj, janë njerëzit që nuk dinë se ç’do të thotë rregull urban në trafik. Nuk dinë të ndalen kur është e kuqe, të ecin me jeshilen dhe të përgatiten me të verdhën! Është një fatkeqësi kombëtare për ne, sepse nuk vetëkontrollohemi në bazë të një marrëveshjeje ngjyrash në trafik. Krijojmë kaosin më të madh në lëvizjen urbane në trafik. Nuk qytetërohemi kurrë në saj të mos arritjes së bindjes së plotë ndaj semaforit. Nuk na i përdori regjimi komunist, nuk i përdori dhe i futi në koncept as tranzicioni, dhe nuk do akoma edhe demokracia të na përdori semaforin si model të rregullit në trafik. Dakord?
Po, por është një e keqe e madhe kjo! Kush do të jetë ajo qeveri që merr përsipër semaforizimin e Shqipërisë? Unë shpresoj shumë te kjo që është, megjithëse është një punë e madhe për t’u bërë, por duhet gati-gati si një aksion kombëtar dhe shtetëror pikërisht për këtë gjë. Kur shqiptarët nuk kuptojnë semaforin, nuk kuptojnë as ndalimin atëhere kur duhet të ndalen, as ecjen atëhere kur duhet të ecin. Përkundrazi, shpeshherë i fusin frena kur duhet ecur dhe shpejtojnë kur duhet ndalur! Kjo është vërtetë një fatkeqësi dhe nuk është se nuk e kanë kuptuar një pjesë e mirë.
Nuk vlen më që të luajmë me rotonda edhe policë kot në trafik. Duhet futur semafori kudo sa nuk është vonë, dhe sa pa u rritur edhe një brez tjetër pa ndjesinë e semaforit si komandë e detyrueshme. Nuk bën që një brez tjetër të mos dijë se trafiku dhe rregullimi i tij, vjen nëpërmjet këtyre ngjyrave! Gjithsesi, edhe aspekti filozofik dhe sidomos ai psikik është për t’u marrë në konsideratë të madhe. Ne dallojmë shumë për nga kjo gjë dhe me popujt e tjerë, ose “popujt e semaforit të praktikuar”. Ne nuk durojmë dhe nuk ndalemi, nuk nisemi kur është për t’u nisur, dhe kjo është diçka e madhe për t’u ndrequr. Pa semafor “na rrofshin makinat e shtrenjta” dhe po ashtu edhe rrugët e reja. Janë modele pasurimi që injorohen nga qytetërimi nëqoftëse nuk ka rregull në trafik. Por e shikoj që jemi shumë vonë. Mbase dikush do ta marrë seriozisht se shqiptarët duhet të mësojnë ngjyrat e rregullit në trafik. Kjo do ti ndihmonte edhe për ligjet, familjen, shkollën, administratën, gjyqet, universitetet, punën e tyre. Po, do ti ndihmonte shumë. Në fund të fundit do njihnin edhe ngjyrat dhe përdorimin e tyre në rrugëtimin e tyre modern.















