Nga Pirro PRIFTI
Pas fitores së Demokracisë dhe humbjes së Komunizmit, dolën në pah vlerat reale të moralit fetar, dhe ri-nisi rilindja e fetare në kuadrin e rivendosjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të drejtave fetare të cilat u sanksionuan edhe në paketën kushtetuese të 1993, por dhe më vonë në Kushtetutën e 1998 që e kemi dhe sot. Të katër Fetë morën statusin e tyre zyrtar dhe filluan të lëpijnë plagët e lëna nga Komunizmi. Një nga dëmet më të mëdha që shkaktoi Komunizmi, ishte lënia e një gjenerate të re ose e ashtuquajtura `krijimi i njeriut të ri ateist`. Ky `njeri i ri` që nuk besonte në Zot mbetet një nga dëmet më të mëdha që Komunizmi u shkaktoi shqiptarëve, sepse ky njeri ateist mbeti pa moral, pa të ardhme, pa besimin tek Zoti, dhe anarkist. Ky kontigjent së bashku me ish-nomenklaturën komuniste po e mban vendin për një kohë të gjatë në anarki dhe tranzicion.
Megjithatë, komunitetet fetare u gjallëruan dhe Komuniteti Orthodoks pati fatin që në krye të tij u vendos Profesor Anastasi, një erudit dhe një njeri i veçantë i fesë orthodokse i cili e ringjalli Kishën e vdekur orthodokse nga komunizmi. Për mendimin tim, dy korifejtë e Kishës Orthodokse, Fan Noli, i cili e bëri Krishtin të flasë shqip dhe Profesor Anastasi, i cili e ringjalli Kishën Autoqefale të Shqipërisë, do të mbeten në jetë të jetëve njerëz që do të përkujtohen përherë me respekt të madh sepse i dhanë jetë dhe e lulëzuan orthodoksinë e dërrmuar nga komunizmi.
Gjatë viteve të demokracisë, bashkëjetesa fetare e komuniteteve fetare shqiptare ka patur dhe ka një tolerancë fetare të shkëlqyer, por krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare midis komuniteteve egzistojnë forca jashtë komuniteteve, të cilat kërkojnë përçarje fetare, për të cilat kemi shkruar dhe kemi mbajtur qëndrimet përkatëse. Forcat që përpiqen të përçajnë këtë bashkëjetesë fetare janë kryesisht forcat anti-ortodokse, të cilat i kanë drejtuar shigjetat e tyre ndaj Kryepeshkopit tonë të nderuar Profesor Anastasit. Në këto forca dallojnë individë ateistë intelektualë dhe media të caktuara, të cilat përpiqen të njollosin punën dhe veprën e shkëlqyer që ka bërë KOASH, në ringritjen e Kishës Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë nën drejtimin e Profesorit erudit, Kryepeshkopit Anastas, i cili me guxim ka punuar me vetëmohim gjatë gjithë këtyre viteve. Argumentat se përse shigjetat janë drejtuar kundër Kryeeshkopit tonë të nderuar dhe jo kundër komuniteteve të tjera kanë disa interpretime, por qëllimi kryesor është dëmtimi i një bashkëjetese fetare midis komuniteteve për ta mbajtur Shqipërinë e destabilizuar nga ana sociale, ekonomike dhe politike, duke e parë Orthodoksinë (sipas tyre), si hallkën më të dobët në zinxhirin e bashkëjetesës fetare, sepse Kryepeshkopi është i huaj sepse është më e lehtë të shpifësh kundër tij, duke e implikuar për të ashtuquajturin `ndikim grek`, duke përdorur minoritetin si `mollë sherri`.
Shumica dërrmuese e akuzave janë bërë nga ateistët e ish nomenklaturës së kuqe dhe nga disa radikalistë, të cilët me qëllim kanë ngatërruar në shtyp problemet politike me Greqinë në të kaluarën me drejtimin episkopal të Kryepeshkopit Anastas, duke u munduar të sjellin disinformim dhe pështjellim në opinionin publik, ose duke u përpjekur të tregojnë se Orthodoksia në Shqipëri është thjesht Orthodoksia e minoritetit, duke harruar me qëllim se 25% e popullatës shqiptare është Orthodokse realisht dhe nga kjo minoriteti përbën rreth 30% e 25%-shit të Orthodoksisë (duke përfshire minoritetin grek, malazes, maqedon). Një argument tjetër për sulmet e pareshtura dhe personale kundër Kryepeshkopit tonë të nderuar dhe erudit Anastas, është me sa duket tendenca për të kamufluar veprimtarinë ekstremiste islamike duke zhvendosur vëmendjen e opinionit publik kundër Orthodoksisë në vend që të drejtohet kundër ekstremizmit, i cili në fakt mbetet për trevat shqiptare por edhe për Ballkanin, armiku më serioz kundër shtetit shqiptar. Kush janë këta individë e këto media që nxisin çdo muaj për vite më rradhë luftën kundër Kryepeshkopit Anastas dhe KOASH? Këto janë individë si Sherif Delvina, që nga vitet `90, Pëllumb Xhufi, Nikolla Marku, historiani ateist (por i përdorur nga disa grupe ateistësh) Kristo Frashëri, ish Drejtor i SHISH, Fatos Klosi, të përkrahur nga disa media private si Neës 24, e ndonjë tjetër. Ka dy fakte interesante që duhen vënë në dukje: Askush nga komunitetet e respektuara fetare nuk ka thënë asnjë fjalë kundër Kryepeshkopit Anastas dhe kundër Orthodoksisë.
Askush nga politika zyrtare nuk ka folur asnjë fjalë kundër Kryepeshkopit Anastas, por përkundrazi e kanë vlerësuar me superlativa, por shtetësinë shqiptare nuk e kanë dhënë akoma. Këtë shtetësi, Kryepeshkopi ynë i nderuar e ka marrë nga populli orthodoks dhe nga qëndrimi i tij prej 20 vitesh në Shqipëri. Disa nga intelektualët mediatikë që kanë kritikuar pa të drejtë Kryepeshkopin, gjithsesi në raste festash apo takimesh zyrtare kanë ardhur sikur të mos kishte ndodhur gjë! Në konkluzion mund të them pa frikë se as sulmet e pareshtura të ateistëve dhe radikalistëve të përkrahura nga disa media private kundër KOASH dhe Kryepeshkopit erudit Anastas, dhe as lufta e fshehtë e tinzare e disa qarqeve anti-orthodokse nuk mund të cënojnë aspak bashkëjetesën fetare të komuniteteve fetare në Shqipëri, përveçse kjo bashkëjetesë po forcohet nga dita në ditë, dhe numri i besimtarëve orthodoksë vazhdon të rritet falë ngritjes dhe funksionimit shumë të mirë së institucioneve religjioze orthodokse në vend.
















