Këto ditë më ka rastisur që të kem punë nëpër zyra ofiçarie në disa qytete të ndryshme – nuk ka fare rëndësi në cilat, sepse, pavarësisht se udhëhiqen nga forca të ndryshme politike, në burokraci të gjitha i përngjajnë njëra-tjetrës. Dhe aty, në mesin e hallexhinjve të rëndomtë, e shijova fenomenin më të shpifur të shoqërisë sonë, që assesi nuk po hiqet nga përditshmëria jonë: Pritjen nënçmuese!
Pritja është imponuar si pjesë e formimit tonë, por jo në kuptimin se e shpreh durimin si virtyt. Pritja te ne simbolizon vuajtjen dhe është sinonim i telasheve dhe i komplikimeve në jetë, sepse prej se e mbajmë mend gjithnjë kemi pritur në radhë për diçka. Dikur prisnim në radhë për bukë, për gjalpë, për sheqer, për karburant… Pastaj u detyruam të presim në radhë që të na poshtëronin dhe kulmi ishte kur u detyruam të presim në radhë që të ikim nga vendi ynë. Dhe në të gjitha këto histori pritjesh, përfshirë edhe ato më të sikletshmet, më lehtë kalonin ata që e kishin një të njohur dhe mund ta tejkalonin radhën. Natyrisht se tejkalimi nuk ishte diçka fer, por të gjithë e kuptonim si diçka normale dhe madje edhe i kishim lakmi për atë se kishin dikë që mund t’u ndihmonte.
Para viteve të nëntëdhjeta fajin për pritjen ia linim regjimit dhe shpresonim se me ardhjen e lirisë do të zhdukej edhe ky fenomen i keq i pritjes. Por jo! Pritja vazhdoi të ishte e pranishme dhe madje edhe u bë edhe më e keqe, sepse, pavarësisht se tingëllon vrazhdë, shqiptarët janë ekspertë në komplikimin e gjërave edhe më të thjeshta. E kam përshtypjen se tundimi për të komplikuar gjithçka përjetohet si një lloj konfirmimi i rëndësisë së personit në fjalë: Nuk mund të jesh dikushi, nuk mund të jesh person me rëndësi nëse gjërat që i bën ti janë të thjeshta dhe kryhen shpejt. D.m.th sa më shumë që i komplikon gjërat dhe sa më shumë që i lodh njerëzit që të drejtohen për ndihmë atëherë, në sytë e të tjerëve, je më i rëndësishëm dhe më i madh. Nëse e mendon më thellë këtë atëherë e kupton pse në shoqërinë tonë ka shumë pak respekt për njerëzit që janë të thjeshtë në komunikim dhe problemeve u qasen në mënyrë pragmatike. Jemi vetë ne që i shpërfillim, sepse pa menduar dy herë themi: Nuk qenka gjë puna e tij.
E gjithë kjo ma kujton një dramë të Vacllav Havelit, ku në një metaforë cinike Haveli e krahason burokracinë e sistemit komunist me atë të sistemit perëndimor. Personazhet e Havelit thonë se shtetet komuniste janë shtete të forta dhe shumë serioze, prandaj edhe duhet që tërë kohën të presësh në radhë për të kryer punë. Ndërkaq shtetet perëndimore janë shtete dekadente, të dobëta dhe tërësisht joserioze, prandaj edhe nuk ka fare radhë. Dhe pastaj nënkuptohet kryepyetja ironike: Ku ngel autoriteti i shtetit nëse nuk ka radhë të pritjes? Gjithnjë brenda cinizmit të Havelit, përvojat tona të pritjes së pakuptimtë në radhë të gjata janë dëshmi se dy shtetet tona shqiptare nuk janë shtete të vogla, të dobëta dhe të parëndësishme, por përkundrazi janë superfuqi evropiane!
Nuk e di nëse dy shtetet tona të vogla shqiptare e kanë të domosdoshme që ta dëshmojnë seriozitetin, autoritetin dhe fuqinë e vet të paqenë duke e stërkomplikuar burokracinë dhe duke nxitur radhë të panevojshme të pritjes. Nuk e di nëse kjo, ashtu siç e implikon Haveli, në të vërtëtë është vetëm edhe një formë tjetër e lodhjes së qytetarëve të rëndomtë, në mënyrë që ata ta krijojnë ndjenjën paradoksale të frikës nga shteti i vet, apo thjesht është tërheqje e vëmendjes nga problemet reale që i kemi. Nuk e di. Dhe, në fund të fundit, nuk dua t’ia di, sepse konsideroj se në dekadën e dytë të shekullit XXI, në një rajon që pretendon se është pjesë e Evropës bashkëkohore, pritja në radhë të pakuptimta është fyese dhe është nënçmim për secilin nga ne. Është ulje e dinjitetit dhe e integritetit tonë si njerëz, sepse kjo ta mbush mendjen se në këtë vend duhet të presësh në radhë edhe për të vdekur dhe se nëse nuk ke të njohur nuk mund as të marrësh frymë si njeri.
Këto mendime, para se t’i hedhja në këtë shkrim, ia thash një mikut tim dhe ai më qortoi pse nuk e kisha shfrytëzuar privilegjin e të qenit figurë publike dhe ta gjeja ndonjë të njohur që do të më kryente punë e nuk do të më linte të prisja. Nuk u habita me mikun tim, sepse edhe ai është pjesë e kësaj shoqërie dhe është rritur me mendësinë se duhet të presësh, qoftë edhe për hiç gjë dhe se patjetër duhet të kesh të njohur që të kryesh punë. Ironia e jetës është se jo të gjithë mund të jenë të njohur, jo të gjithë mund të jenë figura publike dhe se dikush duhet të fillojë të mendojë edhe për këta njerëzit e tjerë, hallet e të cilëve ndonjëherë na duken të huaja për ne.
Është e vërtetë se pritja në radhë m’i sfiliti nervat dhe më molisi fizikisht, por në të njëjtën kohë ma përkujtoi se çfarë do të thotë të jesh shqiptar përballë shtetit dhe se sa pak gjërat kanë ndryshuar nga e kaluara. Nuk ka rëndësi nëse je para shtetit tënd apo të dikujt tjetër, shqiptari është i dënuar të vazhdojë të presë dhe të nënçmohet edhe për gjërat më të thjeshta.















