Ky shtet që ka kaq shumë kuleç për përmendore dhe që mburret se ka bërë investime marramendëse për zhvillimin e arsimit, duke bërë vetëm reklama dhjetëramilionëshe për propagandë se e përkrah arsimin, lejon që punëtori i arsimit të jetë një rast social (nëse mbetet i ndershëm deri në fund) ose një hajn i detyruar, sepse – në mungesë të rrugës legale për veturë e shtëpi – shteti e ka detyruar që të gjejë rrugë ilegale për shijuar edhe ai begatinë e kësaj jete. Ndryshe, mbetet me thërrmija.
1. Në javën që shkoi patëm rastin edhe një herë ta shohim se sa e do “atdheun” e tij Ali Ahmeti e Gëzim Ostreni. Ashtu siç i kemi dëgjuar ta pohojnë shumë herë, se atdheu i tyre është Maqedonia, rrjedhimisht u desh që edhe ata t’i shohim në festimet që u organizuam me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë. Megjithatë, duke mos qenë të sinqertë në atë që e thonë, sepse janë mësuar ndryshe të flasin para opinionit maqedonas, ndryshe të flasin në Tiranë, Prishtinë e diasporë, e ndryshe të flasin në ambasadën amerikane në Shkup, është krejt e kuptueshme se pse ata në ditën më të rëndësishme të shtetësisë së “atdheut” të tyre nuk gjejnë kohë të marrin pjesë në asnjë manifestim. E, që “ta lajnë mjaltin me qumësht”, ata dërgojnë ndonjë figurë të partisë sa për t’u thonë maqedonasve se “ishte dikush prej nesh” dhe sa për t’u thënë shqiptarëve “se ne nuk ia varim hiç këtij shteti”. Kjo i bie sipas proverbit maqedonas “Dhentë të gjitha aty dhe ujku i ngopur”. Kështu njësoj vepron edhe Nikolla Gruevski sa herë që Ali Ahmeti përmblidhet ta kremtojë 12 gushtin e Marrëveshjes së Ohrit si festë shtetërore. Edhe atij gjithnjë i del ndonjë “punë” dhe nuk mund të shkojë, ndërsa e dërgon dikë sa “për ta larë mjaltin me qumësht”. Dhe, derisa aktrojnë se nuk ia respektojnë njëri-tjetrit kremtimet, interesant sa bukur shkojnë bashkë sa herë që duhet të ndahen kulaçet. Atëherë mund t’i shohësh “gju më gju”. Megjithëse, siç nënkuptohet, Aliut i bie gjithnjë t’i mbledhë thërrmijat, sepse kulaçin e merr gjithnjë Ai vetë, pra N.G.
2. Në frymë të ndarjes së kulaçit këtë javë u vendosën edhe përmendoret e fundit në Qytetin e Përmendoreve e Kryqeve (për ata që nuk e dinë, ky është Shkupi). Dhe, kësaj radhe përmendoret u vendosën përballë Skënderbeut e Hasan Prishtinës, për ta vizatuar kështu kufirin, njësoj si ajo kafsha që e “ujit” kufirin e saj. Përveç që disa nga ato përmendore janë figura të kontestuara, madje njëra prej tyre është vendosur mbi vakëfin e xhamisë së Jelen Kapanit, për çka më nuk bisedohet, por ato përmendore, si dhe Kisha e Kalasë e hyrja e Çarshisë nga sheshi Maqedonia, janë mesazh (për ata që dinë shkrim-lexim) se ku fillon e ku mbaron Shkupi jonë. Shqiptarët do të getoizohen gjithnjë e më shumë, derisa të shpërthejnë si emigrantë, ndërsa Shkupi – për më pak se dhjetë vjet, në vend që të jetë Scupi e Ysqyp, do të bëhet më shumë Skoplje, por do të vuloset si Skopje. E, përmendoret e paralajmëruara shqiptare, që kanë thënë se do të vijnë dikur në sheshin e Shkupit (çudi si erdhi Car Dushani in cognito para Josif Bagerit!), ende po piqen në ndonjë furrë kuleçsh, që kur t’i sjellin (nëse ndonjëherë i sjellin?!) këtyre shqiptarëve të qeverisë t’u thonë se “shihni çfarë lëshimi ju kemi bërë – gjithë këto thërrmija kulaçi për ju”, ndërsa ata pastaj neve të na e ënjtin kokën edhe disa vjet se kanë bërë alamet suksesin e madh me ato tri përmendore, që vërtet janë më pak se tri thërrmija në Qytetin e Përmendoreve e Kryqeve (për ata që nuk e dinë, ky është Shkupi).
3. Këtë javë me procedurë të përshpejtuar parlamentare u imponuan disa ndryshime në ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm. Kështu, veç tjerash, me këtë ligj punonjësit e arsimit kërcënohen se, nëse marrin pjesë në protesta, mund ta pësojnë keq. Përveç humorit pa shije që e la një deputet shqiptar, që ironizoi me propozim që protestat të organizohen gjatë pushimeve verore, natyrisht shqiptarët e Kuvendit të Republikës as si numra nuk shërbyen. Sepse, pas këtyre zgjedhjeve edhe numrat i ka vetë Ai, pra N.G. Prandaj ai nuk e jep asnjë kulaç, por tallet me thërrmijat. Ndërsa punëtorët e arsimit vazhdojnë ta vuajnë të qenit rast social. Si e thotë një mik i imi: “Punëtorët e arsimit (unë do ta kisha shtuar “edhe të shkencës”, kjo për arsye personale) e kanë të sanksionuar me ligj që në jetën e tyre nuk kanë të drejtë të blejnë veturë dhe nuk kanë të drejtë të ëndërrojnë të blejnë shtëpi”. Sepse, dikush që merr rrogë 20.000 denarë dhe që mund të ketë së paku dy fëmijë, i bie të jetë rast social, sepse me atë rrogë nuk mund t’i mbulojë harxhimet mujore për ekzistencë biologjike. Në këtë mënyrë, ky shtet që ka kaq shumë kuleç për përmendore dhe që mburret se ka bërë investime marramendëse për zhvillimin e arsimit, duke bërë vetëm reklama dhjetëramilionëshe për propagandë se e përkrah arsimin, lejon që punëtori i arsimit të jetë një rast social (nëse mbetet i ndershëm deri në fund) ose një hajn i detyruar, sepse – në mungesë të rrugës legale për veturë e shtëpi – shteti e ka detyruar që të gjejë rrugë ilegale për shijuar edhe ai begatinë e kësaj jete. Ndryshe, mbetet me thërrmija.
4. Dhe, duke qenë në shtator (në muajin e shkollës), edhe rrëfimi i fundit vjen nga shkolla. Këtë javë u aktualizua përsëri çështja me emrat e shkollave në Çair. Megjithëse qasja ishte se çka po bën ministri i Arsimit (shqiptar i BDI-së), që nuk e nënshkruan vendimin për ndryshimin e emrave të atyre shkollave, krijohej përshtypja se kjo çështje së shpejti do të zgjidhet dhe, mandej, do të shitet si arritje spektakolare. Maqedonasit do t’u thonë shqiptarëve përsëri “shihni çfarë lëshimi ju kemi bërë”, ndërsa shqiptarët e BDI-së edhe disa vjet do të na i mbledhin votat duke u mburrë se ata kanë bërë historinë – i kanë ndryshuar emrat e katër shkollave, ku nxënësit, arsimtarët, drejtorët, prindërit, pastruesit, rojet, bile edhe fqinjët e shkollës, të gjithë janë shqiptarë. Ndërkohë ne nuk do të kemi mundësi të flasim për buxhetin e arsimit, nuk do të mund të flasim se sa para lëshon shteti për një nxënës maqedonas dhe për një nxënës shqiptar, nuk do të mund të flasim se pse nuk pikojnë shkollat e vendbanimeve maqedonase, por vetëm ato të vendbanimeve shqiptare, nuk do të mund të flasim se pse shteti mund të ndërtojë universitet në Shtip si t’ia ketë ëndja, ndërsa në Shkup USHT-ja duhet të zhvillojë mësim ku të gjejë një çati apo sa i kushton shtetin një student maqedonas dhe sa një shqiptar. Sepse, jemi mësuar gjithnjë të gëzohemi me thërrmijat dhe bile as mos të bëzajmë për kulaçin. Dhe, kjo aq larg ka shkuar sa ne e kemi bindur veten se ne nuk jemi për kuleç, se ata i takojnë dikujt tjetër – ne jemi vetëm për thërrmija. Pas kësaj Migjeni sigurisht do të përfundonte me lutjen “Bukën tonë të përditshme falna sot!”. “Mundësisht, edhe pak kulaç!”, do ta plotësonte shqiptari i Maqedonisë.














