Festivalin Ndërkombëtar i Durrësit sot shënon ditën e fundit të tij. Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit nuk kanë munguar dhe emra të njohur të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj. Kështu të premten ishte prania e yllit të kinemasë serbe dhe evropiane Miki Manojlovic. I pranishëm në “Durrës International Film Summer Fest”, Miki Manojlovic iu përgjigj pyetjeve dhe kureshtjeve të publikut pas projeksionit të filmit “Irina palm” me regji nga Sam Garbarski.
Përtej kureshtive mbi filmin Manojlovic theksoi se: “Shqiptarët dhe serbët nuk janë armiq, politika ndoshta po, ajo mund të jetë e komplikuar”. Pyetjes së aktorit shqiptar Timo Flloko mbi faktin që Manojlovic ka guxuar shumë në karrierën e tij edhe në komedi dhe si ia del të jetë brilant në dramë dhe në komedi Miki iu përgjigj se ka aktorë që duan të rrëfehen para publikut, por jo çdo rrëfim është i mirë. “Unë kam lindur dhe jam rritur praktikisht në teatër, nuk ka diçka që mund të mos e kem parë nga çdo qoshe e teatrit, sigurisht kam bërë edhe shkollën e aktrimit, por gjatë gjithë kësaj kisha një avantazh, e dija që për tu bërë aktor nuk është një proces që mbaron, është në evoluim e sipër. Aktrimi mbi të gjitha është një proces ndryshimi me veten, shkëmbim me partnerin dhe njohje e rrethanave dhe asaj çka ndodh përreth. Ajo çka dua më shumë në aktrim, por edhe në jetë është se rregullat janë bërë për tu thyer ndryshe nuk arrijmë dot në kufijtë e njohjes.Unë kam mësuar nga gjithçka, nga më të humburit a të fundmit e një shoqërie deri tek më të ngriturit, veç nga mediokriteti nuk mëson dot asgjë, ata janë thjesht të mërzitshëm”, tha ai.
Miki Manojlovic aktualisht po punon për një projekt ambicioz në teatër mes trupës së teatrit të Beogradit dhe asaj të Prishtinës. Ndërkaq që mbrëmë festivali vijoi me retrospektivën e filmave ku luan Miki Manojlovic pas filmit “Melody Hanuts My Memory” u shfaq filmi “Underground” nga Emir Kusturica. Sot në ditën e fundit të tij Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës e përmbyll rrugëtimin e tij në orën 20.00 në amfiteatrin romak me pjesëmarrje të personaliteteve të artit dhe politikës, ku pritet dhe prania e kryeministrit Edi Rama.
Ceremonia e mbylljes përveç dhënies së çmimeve do të shoqërohet edhe me premierën e filmit shqiptar “Gjeneral Gramafoni” të regjisorit të njohur Viktor Gjika, por që vjen në publik i restauruar.