XHENIS SULIMANI
Një vizitë vëllazërore e Ramës në Preshevë, kështu e titulluan mediet dhe mbarë kombi. Mirëpo ai, përveç se vizitë dhe përkushtim vëllazërorë ndaj shqiptarëve të Luginës këtë veprimtari të tijën e emëroi si detyrim kushtetues. “Të mos harrojmë se liria dhe të drejtat e shqiptarëve kudo janë të mbrojtura nga kushtetuta”, tha në fjalimin e tij, Rama. Këtë detyrim kushtetues shumë liderë të Shqipërisë e kishin lënë në harresë. E përdornin herë pas here nëpër ekspedita jashtë Shqipërisë, por jo me punë konkrete.
Analizuar nga këndvështrimi politologjik mund të përfundojë se në këtë rast Rama ka treguar pragmatizmin e tij në politikbërje. Ai në stilin e një burrështetasi të madh po e transferon në vepër atë që është shkruar për të krijuar politika për të mirën e kombit. “Është e vërtetë një thënie e jona që thotë; nga e thëna në të bërë është një det i tërë”, tha Rama duke theksuar se pikërisht kjo hapësirë në mes të bërës dhe të thënës është sfidë për të. Derisa po e ndjekja fjalimin e tij në sallën e Shtëpisë së Kulturës konkludova se koha e misionarëve dhe politikanëve aventurier kaloi, tani është koha për punë e punëtorë. Rama po jep shpresë të një punëtori, andaj këto shpresa nuk guxon ti shuaj në asnjë mënyrë, përkushtim dhe punë e mundimshme po e pret.
Ballkani po vuan nga liderë jo vizionarë dhe me praktika të ish sistemeve, në asnjë mënyrë nuk po munden të krijojnë standarde për një fqinjësi të mirë. Edi Rama me fjalimin e tij të fundit në Preshevë jo veç Ballkanit, por gjithë botës i dha një leksion se si duhet praktikuar multikuluralizmi në realitet pa e dëmtuar asnjë palë. “Shqiptarët kurrë nuk kanë kërkuar diçka që i ka takuar të tjerëve. Ne atë që e duam për vetën nuk ia mohojmë të tjerëve, por edhe atë që e duam ne nuk mund të na e mohojnë të tjerët” theksoi kryeministri, duke ua bërë me dije fqinjëve se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur pretendime territoriale dhe kurrë nën kthetrat e tyre nuk kanë nënshtruar dikë për ambicie të ndryshme. Kështu që gatishmëria jonë për bashkpunim, stabilitet dhe paqe ka qenë dhe është edhe sot në dispozicion.
Shihet se Rama ka mësuar nga pësimet e liderëve të mëparshëm të Shqipërisë, në raport me Shqiptarët jashtë kufijve. Dhe ka kuptuar atë që sipas meje është çelësi i suksesit të tij: shqiptarët e kënaqur jashtë kufijve donë të thotë edhe suksese në punët e brendshme të Shqipërisë. E si do të kënaqen gjithë shqiptarët ?! Duke punuar dhe duke kontribuar në ngritjen e vlerave të përgjithshme morale, vlerave të vjetra shqiptare; të mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe paqedashësisë. Janë këto vlera që fqinjët nuk janë të gatshëm t’i pranojnë. Por kjo nuk donë të thotë se ne nuk duhet t’ia shtrijmë dorën edhe atyre që nuk janë paqedashës, pikërisht këtu është momenti kyç për ta kuptuar gatishmërinë e të tjerëve.
Europa është një sistem vlerash e renditur si një mozaik, por pa pjesën shqiptare aty mozaiku s’mund ta fiton shkëlqesinë e tij. Ashtu siç kujtoi kryeministri: Rruga jonë është përpara. Rruga jonë është e drejtë. Nëse sot ne kemi të drejtën të ndjehemi mirë kur shohim nga kemi ardhur dhe të ndihemi jo mirë kur shohim ku duam të shkojmë, atëherë duke marrë dhe lexuar si duhet historinë që na solli deri këtu, le të bëjmë së bashku histori për të shkuar aty ku duam dhe ku do të shkojmë me siguri.
















