Shkruan: Mentor Nazarko
Fakti se një Kryeministër shqiptar vizitoi për herë të parë Beogradin pas 68 vjetësh ka krijuar shumë interes, xhelozi dhe pritshmëri të lartë në shumë qarqe të rajonit dhe më gjerë, rreth kursit të marrëdhënieve dypalëshe. Dhe me këtë rast mund të hiqen normalisht disa paralele në kohë dhe në hapësirë për këto marrëdhënie Enver Hoxha i para 68 vjetësh po vizitonte Jugosllavinë e krijuar më 1918-n, pra jo Serbinë, një shtet i rikrijuar deri diku në kufij të rinj në shekullin e 21-të. Sigurisht, Beogradi i 1946-s ishte dhe kryeqytet i Serbisë, por Jugosllavia ishte një realitet shumetnik, që ndërlidhej me Shqipërinë në një raport tjetër forcash. Enver Hoxha i 1946-s ishte, ashtu si e pranon vetë tek autorrëfimi letrar në librin “Titistët”, i dobët në planin e brendshëm, d.m.th. brenda Byrosë Politike. Shqipëria e tij ishte e rrënuar ekonomikisht pas Luftës së Dytë Botërore, por mbi të gjitha e izoluar ndërkombëtarisht. Ishte në gjendje gjysmëlufte me Greqinë dhe e panjohur diplomatikisht prej Fuqive të Mëdha, Anglisë dhe SHBA-ve. Ndërsa BS e trajtonte sikur të ishte pjesë e Jugosllavisë, duke e kontaktuar nëpërmjet saj. Dhe si për ta ilustruar dukshëm këtë dobësi, ishte i veshur keq, vetëm me dy kostume, njëri prej tyre ai i gjeneralit me cohë të dhuruar nga atasheu ushtarak sovjetik për vizitën që zgjati 9 ditë. Ndërsa Edi Rama vjen në Beograd me një bagazh krejt tjetër fuqie apo elegant në veshje me ngjyra kombëtare. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Aleanca i ka “dhuruar” kombit shqiptar një territor si Kosova, që dikur ishte subjekt gjenocidi serb. Shqipëria nuk është më e varfër si atëherë dhe Serbia është akoma në një ndrydhje diplomatike. Shqipërisë në takimin e Berlinit i është njohur një rol koordinues për projektet infrastrukturore të rajonit, diçka frustruese për Serbinë. Midis kryeministrave të gjeneratës së vet Rama ka vendosur një lloj raporti miqësor të veçantë me Kancelaren Merkel. Rama ka fuqi të madhe politike në vendin e vet, që është në rritje, madje dhe mbi grupet e fuqishme ekonomiko-politike, ndërsa Vuçiç, me gjithë një votë popullore relativisht të madhe, është ende i ndrojtur përballë aleancave transversale të nëntokës serbe.
Çfarë ndodhi në Beograd?
Në një kontekst të tillë si ky, kur shqiptarët kanë dy shtete praktikisht dhe Rama nuk ka komplekset e nacionalistit në kurriz, në mënyrë krejt të shpenguar ai i kërkoi homologut të vet serb të njohë Kosovën. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, ky do ishte veprim që do t’i kontribuojë sigurisë në rajon – një qasje e diskutuar gjerësisht në takimet e NATO-s ku Shqipëria bën pjesë. Për më shumë, Rama u imponoi serbëve, krejt ndryshe nga Enveri, i cili e priste prej Titos propozimin për të vizituar Kosovën, të drejtën për të vizituar Preshevën, ku jeton një minoritet shqiptar. Dhe ngjan se ia arriti me sukses të marrë revanshin homologut të vet serb në një rrafsh europian pas debateve në distancë apo dhe në telefon menjëherë pas ndeshjes së futbollit. Megjithëse Vuçiç në mënyrë teatrale reagoi duke iu referuar Kushtetutës së vet që e sheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë, ngjan e vështirë që si me dronin Kryeministri serb të ankohet sërish për provokim në selitë europiane. Rama ka përdorur fjali të bagazhit diplomatik europian dhe amerikan kundrejt Serbisë: njohjen e Kosovës si kontribut në stabilizimin e rajonit. E gjitha kjo përplasje publike u reduktua apo fitoi dimensionin e një loje dinjiteti, imazhi ku ngjau se Kryeministri shqiptar doli fitimtar mbi të zotin e shtëpisë, që u gjet në difensivë.
Po a ishte e gjitha kjo një gjetje e duhur diplomatike? Sipas këndvështrimit të diplomacisë tradicionale, jo. Rama erdhi në Beograd pas një acarimi në marrëdhëniet politike midis dy vendeve, për përmirësimin e të cilave ishte investuar dhe Perëndimi, më në veçanti vetë Gjermania. Në këtë kuptim, por vetëm në këtë ama, Rama mund të ishte pak më i kujdesshëm në tezat që do formulonte publikisht – e theksoj publikisht. D.m.th. Rama mund të mos krijonte hapësirë për fërkime me mikpritësin, politikanin e gjeneratës së tij, Vuçiç. Ky i fundit madje u ndihmua në distancë nga reagimet e ashpra të Presidentit Nikoliç, i cili sot do të presë mësuesin dhe paraardhësin e tij politik, Sheshelj, që del nga Haga pikërisht kur Rama do të vizitojë Preshevën. Por Rama doli jashtë diplomacisë tradicionale duke zgjedhur të investohej për fitoren e ndeshjes për dinjitetin jo thjesht për vete. Kjo lojë, siç duket, ka krijuar një valë të gjerë simpatie kombëtare për të: në Kosovë veçanërisht, por dhe në mes të shqiptarëve të Luginës që e presin sot. A zgjodhi Rama të përplasej thjesht dhe vetëm me këto llogari? Apo i frustruar nga hilet serbe të reduktimit të etapave të vizitës dhe nga mesazhet kundërvënëse të opozitës së dominuar ende nga Berisha, ai konsideroi se pajtimi me serbët duhej shtyrë për një kohë tjetër dhe se mes dy vendeve duhej një kurs i ri?
Një përmasë pozitive
Por a kanë marrëdhëniet shqiptaro-serbe vetëm paralelen politike, e cila dha dje një shfaqje fërkimi publik, ashtu si pati dhe kulisat, mes së cilës dhe një darkë të paparashikuar Vuçiç–Rama, në të cilin mund të jetë negociuar për vizitën në Preshevë? Kjo paralele, apo kjo përmasë, siç provohet dhe nga të dhëna të tjera, ngjan se çalon edhe prej faktesh të tjera: në 17 marrëveshje të propozuara nga pala shqiptare prej shumë vitesh, vetëm tri mezi u firmosën dje. Ama kjo paralele, më saktë shfaqjet publike të diplomacisë së dy vendeve, nuk kanë përcaktuar gjithë karakterin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Ka një paralele ekonomike, e cila ngjan se është zhvilluar relativisht fuqishëm vitet e fundit dhe që ofroi një shfaqje pozitive që kaloi pa vëmendje, nga drita e fortë e përplasjes politike. Në 7 vite eksportet shqiptare drejt Serbisë janë 16-fishuar, megjithëse janë ende të vogla – nga një milion në 16 milionë euro. Ndërsa importet janë rritur nga 21 milionë, për të arritur një kulm në vitin 2012 me 8 herë më shumë dhe për të rënë në vitin 2013 me 108 milionë euro. Këtu nuk përfshihet importi i energjisë nga EFT, një kompani serbo-zvicerane. Linja ajrore mes dy vendeve u rikthye përditë, diçka që tregon se midis dy vendeve njerëzit e biznesit po lëvizin intensivisht. Ndërmarrës që shoqëruan Ramën dhe morën pjesë në takimin e djeshëm të Beogradit ndiheshin të lumtur nga optimizmi dhe shpresa për të ardhmen që u krijua në takimin me partnerët e tyre serbë. Po si shpjegohet që kjo përbërëse ekonomike ende nuk është kaq e fortë sa të dominojë politikën që të detyrohet të qetësohet apo të normalizojë marrëdhëniet, megjithëse përmasat e këtij bashkëpunimi ekonomik nuk janë ende shumë të mëdha?
Marrëdhëniet politike shqiptaro-serbe janë ende në teste të reja dhe vizita e Ramës me kostumin e Kryeministrit në Preshevë do të përcaktojë thellësinë e acarimit mes dy palëve. Do kuptohet se çfarë pasojash kanë prodhuar mesazhet e konferencës së djeshme të shtypit ku Rama kërkoi publikisht njohjen e Kosovës, dhe a do të jenë në të njëjtën linjë mesazhet që do të lëshojë kreu i qeverisë shqiptare në vizitën që pritet të jetë e nxehtë, mesazhe që preokuponin aq shumë palën serbe. Atëherë do të kuptojmë qartë nëse Rama ka përcaktuar në mënyrë të qëndrueshme një kurs të ri në marrëdhëniet me Serbinë. Ku dinjiteti dhe raportet e reja të fuqisë janë përcaktuese.
















