MILAZIM KRASNIQI
Kur thonë ambasadorët e huaj se ata nuk po ndërhyjnë në krizën politike të vendit tonë, ne po i keqkuptojmë. Nëse nuk po ndërhyjnë, nuk do të thotë që nuk po përzihen. Ata po përzihen, por përzierja e tyre është në funksion të zgjatjes së paralizës institucionale. Kjo po bëhet me qëllim të mirë: që politikanët e vendit tonë të trajnohen për të zgjidhur krizat që janë të pazgjidhshme.
Në një video që u postua gjithandej, shihet se si Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po bënte me gisht në drejtim të deputetit demokrat Gent Strazimiri, derisa ai po fliste kundër politikave qeveritare. Rama vërtet po e shenjonte me gisht deputetin Strazimiri, por jo për atë që ndodhi pak çaste më vonë. Pra, Kryeministri Rama u keqkuptua nga dy deputetët e vet, Arben Ndoka e Pjerin Ndreu, sepse ai nuk u dha shenjë që ta sulmonin Strazimirin fizikisht, ashtu si ata bënë. Ai po u tregonte se si duhet të jetë një deputet shembullor, që flet me guxim dhe nuk i bën syri tërr para qeveritarëve. Pra, Rama ishte i kënaqur nga diskutimi i opozitarit Strazimiri, sepse ashtu po vërtetohej edhe për Brukselin e për Uashingtonin se Parlamenti Shqiptar ishte një agora e vërtetë e demokracisë. Por, çfarë ndodhi?! Dy deputetë të Ramës, Ndoka e Ndreu, e keqkuptuan shefin e tyre. Ata paskëshin kujtuar se ai po u jepte urdhër që ta sulmonin fizikisht deputetin Strazimiri dhe sapo ai doli në holl, ata e sulmuan tinëzisht. Kështu, ata e bën përrallë edhe veten e edhe shefin e tyre, për shkak të një keqkuptimi mes tyre. Rama si piktor abstrakt i ka të sofistikuara edhe gjestet, por ja që një ish-kontrabandist dhe një ish-shef policie nuk kanë qëlluar në nivelin e duhur që ta kuptojnë gjestin fin prej artisti të shefit të tyre. Është për të të ardhur keq se çfarë dëmi i kanë shkaktuar artistit Edi Rama deputetët e tij, me atë sulm tinëzar ndaj Gent Strazimirit, duke ia faturuar akuzën se gjoja ai u ka bërë me shenjë që ta sulmojnë fizikisht deputetin e opozitës. Kryeministri Rama, meqë është i bindur se është keqkuptuar, nuk pranon të kërkojë ndjesë e as të sqarohet. Ka zgjedhur heshtjen, ashtu siç bëjnë shpeshherë të akuzuarit e pafajshëm. Dhe duke e njohur prirjen e tij prej artisti, besoj se do të mbetet konsekuent në heshtjen e tij. Keqkuptimi më së miri mbulohet me heshtje. Deri në ndonjë keqkuptim të ri.
Në të vërtetë, keqkuptimi është zembereku i orës shqiptare qëkur është themeluar shteti i parë shqiptar. Po jua sjell në kujtesë disa nga keqkuptimet historike: Ismail Qemali e keqkuptoi Esat Pashën, duke kujtuar se ai po e rrënonte qeverinë dhe po synonte të zinte këmbën e tij. Ndërsa, Esati i shkretë, veç po digjej nga atdhedashuria, që t’i shërbente atdheut më mirë, për çka edhe donte të bëhej si kryeministër i vendit. Të gjitha veprimet që i bënte, e që të tjerëve u dukeshin si veprime tradhtare, ai po i bënte veç për të mirën e atdheut. Për shkak se u keqkuptua fort aktiviteti i tij, Avni Rrustemi ia dha ndoca plumba dhe e nisi për atë dynja. Por, këso keqkuptimesh ndodhën edhe më vonë. Edhe Ahmet Zogu e keqkuptoi Fan Nolin. Ai kujtoi se Noli me revolucionin e tij po i bënte dëm shtetit, ndërsa Noli po përpiqej t’i bënte shtetit më të mirën që dinte të bënte, pra të bëhej vetë kryeministër. Për shkak të atij keqkuptimi, Zogu fillimisht iku në Jugosllavi dhe pastaj organizoi një kundërgoditje, që po ashtu u keqkuptua si gjoja luftë për pushtet. Jo mor jo. Ai u kthye veç për t’i shërbyer atdheut dhe asgjë më shumë. Bile katër vjet më vonë, pranoi të bëhej edhe mbret i shqiptarëve, vetëm e vetëm që t’i shërbente atdheut sa më mirë, qoftë dhe duke organizuar vrasjen e Hasan Prishtinës pas disa vitesh. Bile mund të thuhet se edhe vrasjet e tjera politike ndër shqiptarë, kanë qenë keqkuptime.
Po propozoj t’i lëmë historirat e zymta të keqkuptimeve historike e të shohim anën argëtuese të keqkuptimit në politikën e sotme të Kosovës. Kur thonë ambasadorët e huaj se ata nuk po ndërhyjnë në krizën politike të vendit tonë, ne po i keqkuptojmë. Nëse nuk po ndërhyjnë, nuk do të thotë që nuk po përzihen. Ata po përzihen, por përzierja e tyre është në funksion të zgjatjes së paralizës institucionale. Kjo po bëhet me qëllim të mirë: që politikanët e vendit tonë të trajnohen për të zgjidhur krizat që janë të pazgjidhshme. Gjendja momentale është kështu: PDK-ja e ka mandatin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, por nuk i ka numrat, ndërsa Blloku nuk e ka mandatin, por i ka numrat. Meqë ky është një pat pozicion, si në shah, politikanët tanë po e kërkojnë zgjidhjen aty ku zgjidhje nuk ka – te bllokimi dhe moskomunikimi mes vete. Kësisoj kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh nga ana e politikanëve të vendit tonë. Ata po i keqkuptojnë ambasadorët e huaj, duke kujtuar se ata po u kërkojnë të gjejnë zgjidhje, ndërsa në të vërtetë, ata po u thonë që ta mbajnë situatën të pazgjidhur. Deri kur? Derisa liderët tanë politikë të bëhen horë me tupan. Mandej vjen zgjidhja, por ajo vjen pa ta.
Keqkuptimi është bërë dukuri e përhapur edhe në sportin shqiptar, veçmas në futboll.
Mediet kanë raportuar se gjoja tifozët mitrovicas, të quajtur “Torcida”, kanë dashur të sulmojnë tifozët prishtinas, “Plisat”. Por, mediet e kanë keqkuptuar vrapimin pasionant të tifozëve mitrovicas në drejtim të atyre prishtinas. Ata kanë dashur t’u shprehin mirëseardhje, t’i përqafojnë si vëllezër, e kurrsesi t’i rrahin si qentë. Mediet e kanë keqkuptuar situatën dhe kanë raportuar mbrapshtë. Kur i lexova disa nga opinionet e lexuesve në portale, gjithashtu u binda se komunikimi mes tyre ishte shumë miqësor: njëri ia kërkonte tjetrit motrën, tjetri atij gruan, një i tretë “tanë robt e shpisë” e kështu me radhë. Por, e tëra sillej rreth dashurisë! Opinionet nëpër portale zakonisht kështu janë edhe për tema politike, për paralizën e institucioneve, deklaratat e ndryshme të liderëve etj. Opinionet e lexuesve janë shprehje e zjarrtë e dashurisë për motrat e për gratë e njëri-tjetrit. Prandaj ato shprehje nuk duhet të keqkuptohen si gjoja gjuhë e urrejtjes, kur janë gjuhë e dashurisë. Pak a shumë kështu ndodhi edhe në Shkodër, ku tifozët shkodranë u dëshiruan mirëseardhje vëllazërore tifozëve tiranas, ndonëse për mirëseardhje ndaj tyre hodhën shishe e gurë. Por, janë gjëra që ndodhin mes vëllezërve e nuk duhet të hiperbolizohen.















