Religjiozët postmodernë shqiptarë janë po aq të frikësuar nga Perëndimi sa janë perëndimorët e frikësuar nga thellimi i religjionit në mesin e shqiptarëve. Dhe tërë monstruoziteti i kësaj bote buron nga tmerri i jetës që e jetojmë. Shoqëria jonë është duke u ndarë në panumër të vërtetash që përmbysin çfarëdo përpjekjeje kolektive kosovare qoftë edhe për ndërtimin e një xhamie, apo edhe një kroi, apo edhe një qeverie që nuk ka mandat më shumë se katër vite.
Dhembja, sidomos ajo e skajshme e përjetuar me dekada dhe për çdo ditë, si kjo kosovare, është ajo që bëhet udhërrëfyes në tërmetet sociale të globalizimit.
Jeta kosovare është tejshkuar nga paranoja (postmoderne) globale dhe me këtë e vërteta dhe realiteti është shpërbërë në një torturë kurrë më të përkufizueshme. Siç financohet armata e Hip-Hopit nga frustrimi global perëndimor ashtu do të financohet dhe radikalizmi islam, jo vetëm sot e nesër, por sa të ketë lindje e perëndim, është e pandalshme si rrjedha e lumit.
Sot të jesh religjioz është të rezignosh nga pjesëmarrja në “korrupsionin” e jetës së përditshme dhe të ardhmen e farkëtuar nga ankthi për pushtet. Religjioni sot, ndër të tjera, do të thotë shkëputje nga të parit të njëri-tjetrit të ndeshur nga ankthi, prej: “mostrës austriake” e deri tek fëmija dy vjeçar që kishte lënë cigaren para disa viteve në Afganistan, prej të pasmeve të Kim Kardashian dhe prapa në Kosovë tek dyvjeçari që sapo e ka filluar cigaren. Jemi cullak para njëri-tjetrit, që do të thotë të pambrojtur nga kultura e përhershme e të parëve tanë që na kishin mësuar se çka është mirë dhe çka keq në përhershmëri, atëherë kur asgjë nuk ndryshonte qoftë edhe derisa shembej muri i Berlinit.
Kosovarët shqiptarë kanë pasur një mbrojtje të përhershme: fatkeqësinë e përbashkët që nuk ndërronte përpos se Amerika ta bombardonte Millosheviqin. Kemi qenë të mbrojtur nga çfarëdo perversioni i të vërtetës dhe ndryshueshmërisë së realitetit për shkak të fatkeqësisë sonë, duke qenë të izoluar brenda saj.
Thellimi i religjionit në rininë e sotshme është globalizëm i paq. Është hapje e kulturës sonë ndaj ndikimeve jo vetëm të Perëndimit, por edhe të Lindjes. Është refuzim për të marrë pjesë në eksperimentimin me: qëllimin e jetës sonë. Dhe nuk ka kthim prapa, ka vetëm zbulim të religjionit, thellë e më thellë, sikur që do të ketë zbulim të “Amerikës” thellë e më thellë, sikur që do të ketë thyerje të të vërtetës së përhershme, në të vërtetë të atypëratyshme dhe kontekstuale.
Janë dy arsye të ikjes, fshehjes dhe strehimit të kosovarit brenda religjionit sot: 1. ankthi i kudondodhshëm i mungesës së të vërtetës dhe qëllimit tonë, dhe 2. përqafimi i një sistemi më të qetë siç është religjioni dhe më të arritshëm në këtë jetë.
Ikja nga ankthi dhe strehimi brenda moralit të Kuranit është përkufizim i jetës brenda një sistemi vlerash që ka të prerë qëllimin, vetëdijen, moralin dhe ardhmërinë. Është më thjesht, është më prekshëm dhe është më shpërblyes se cilido sistem tjetër.
Përqafimi i këtij sistemi krijon qetësinë shpirtërore dhe shuarjen e zjarrit të dëshirave të panumërta që fabrikohen derisa ne flemë të dërmuar mungese uji dhe rryme. Kjo është qetësia që e kërkon çdo njeri, pavarësisht mundësisë së konfirmimit të rezultatit dhe të premtimit të tij.
Fjalimet apo thënë në gjuhë popullore “Vajzi” i hoxhallarëve të guximshëm sot është globalizim i qindpërqindtë, është lakim i të menduarit sipas një filozofie që nuk është domosdoshmërisht e gabueshme, por as e vetmja. Megjithëse për qëllime krejtësisht të papërkitshme, hapja e hoxhallarëve tanë ndaj filozofisë lindore nuk është aspak e ndryshme nga hapja e kosovarëve ndaj lifestyle të jetës perëndimore, mirëpo hapja ndaj lindjes përfshinë dhe Japoninë, Kinën e Indinë që nuk mund të përjashtohen nga ndikimi i tyre në filozofinë që predikohet nga këta hoxhallarë. Me shembullin e fundit dua të vërtetoj pamundësinë e përkufizimit as të filozofisë lindore.
Një gjë është shumë e pakapshme në këtë mes, numri i pëlqimeve në rrjete sociale për veprimet e monstrave tona që kanë përhapur tmerrin e tyre në viktimat e Lindjes së Mesme. Numri i pëlqimeve ndaj masakrave të këtyre, dalja në publik me emër e mbiemër në pëlqim të këtyre monstrave. A vjen kjo nga kapërcimi i të drejtës për të besuar në të drejtë për të vrarë në emër të besimit? Është edhe një e vërtetë në mes të këtij veprimi: reduktimi i të vërtetës kosovare dhe me këtë fundosja në një kontekst të largët, për të mos thënë të huaj, për të cilin nuk kanë dijeni.
Religjiozët postmodernë shqiptarë janë po aq të frikësuar nga Perëndimi sa janë perëndimorët e frikësuar nga thellimi i religjionit në mesin e shqiptarëve. Dhe tërë monstruoziteti i kësaj bote buron nga tmerri i jetës që e jetojmë. Shoqëria jonë është duke u ndarë në panumër të vërtetash që përmbysin çfarëdo përpjekjeje kolektive kosovare qoftë edhe për ndërtimin e një xhamie, apo edhe një kroi, apo edhe një qeverie që nuk ka mandat më shumë se katër vite.
Kjo ndoshta është frika më akute në secilin prej nesh, shpërbërja jonë, dhe si pasojë pjesëmarrja në të vërteta globaliste që na japin siguri/strehë në këtë botë të hapur. Humbja e vuajtjes dhe dhembjes në rrënojat e ndeshjeve dhe aksidenteve të përçdoditshme të grupeve sociale. Shpjegimi i saj në filtra që nuk e njohin tërësinë e dhembjes sonë.
Nëse i jepem një religjioni dua që ai ta njohë dhembjen time.















