Ka mbi katër muaj që vazhdon thirrja për një Kosovë të pastër apo të suksesshme, varësisht nga blloku, por ka dhe mbi katër muaj që kosovari e sheh tërë këtë zhvillim si të huaj dhe nuk merr pjesë, qoftë me demonstrata peticione, greva apo mënyra tjera demokratike. A nuk janë kosovarët konteksti i këtyre thirrjeve? A nuk është jeta e kosovarëve nga e cila krijohet zona politike?
Është automatike, secilin të huaj që e takon në mendimin e parë të tij/saj Kosovën e sheh si mafioze. Është poashtu automatike secila medie e sheh Kosovën njëjtë. Njëra ushqen tjetrën dhe kështu farkëtohet e vërteta e Kosovës, harrohet manipulimi dhe përgjysmimi dhe inicimi i kësaj të vërtete, apo thënë më saktësisht kësaj metafore për rrezikun që bartë Kosova.
Mendoj se nocionin – kosovar – më së miri e përshkruan mungesa e daljes nga ky fatalitet. Mungesë perspektive, mungesë të kaluare (derisa përpjekjet individuale dhe kolektive historike po shpërbëhen nga qëmtimi ironik i modernizimit të të menduarit kosovar), mungesë të tashmeje që mund të preket, apo siç e do norma bashkëkohore: që mund të matet. Ajo që po them është se kosovari nuk e ka forcën që ia jep ky dallim nga e tërë bota, dhe as modelin e të kaluarës ku do të bazohej një qeniesim i tij/saj. As nuk është i pranueshëm, le të themi në botë: si sportist, artist apo muxhahedin, dhe as nuk është i projektueshëm si banor me peshën e përvojës së tij në botë.
Por politika e zhvilluar në Kosovën e pasluftës ka zhvillime më të bujshme se tërë kontinenti i Evropës gjatë këtyre viteve. Sipas logjikës, sa më e mirëqenë një shoqëri aq më e madhe dhe më mikroskopike kërkesa për udhërrëfim politik, dhe përkundrazi: sa më e pasigurt shoqëria dhe e ardhmja e saj, aq më e papërpunuar është politika e saj, është përpjekje për të “zbuluar” lirinë, paqen, mirëqenien dhe ardhmërinë nga e para.
Asnjë nga politikanët tanë nuk ka përvojë më të gjatë se një dekadë të politikbërjes brenda konteksteve shtetërore dhe në të njëjtën kohë asnjërit nga ata nuk i mungon pasuria (jo materiale) dhe as pesha politike, të gjithëve në individualitetin më të qëmtuar të mundshëm. Në botë politika njihet brenda klishesë “arti i të mundshmes”; por ka shumë të vërtetë edhe në gjykimin se është pika më e lartë e kulturës së një shoqërie. Cila është kultura e përvojës politike e politikanëve tanë që ua mundëson bindjen, herë herë absolute, në gjykimin e tyre? Tërë ajo që dimë për edukimin dhe përvojën politike të krerëve tanë është një infantilitet në krahasim me hapësirën politike Evropiane, globale apo edhe ballkanase. Shtuar kësaj edhe forcën e tyre, të përbashkët, është një iluzion i të qenit, kosovar, shqiptar dhe njeriu bashkëkohor.
Dezintegrimi i kolektivitetit kosovar është sundimi i frustrimit shoqëror, qytetar dhe bashkëkohor të vetë atij. Është fundosja e tij/saj në shpërbërjen e territorit të saj përkatës (etnik, nacional, religjioz, shtetëror etj) në atypëratyshmëri, improvizim të jetës. Por kjo jetë ka një projeksion të pamundshëm nga momenti aktual: Bashkimin Evropian. Në të vërtetë Kosova qeveriset nga projektimi i saj që mund të mos ndodh asnjëherë, dhe nuk është fjala këtu për udhërrëfimin ndërkombëtarë por planin dhe projeksionin e të gjitha ëndrrave kosovare në një premtim të quajtur Bashkimi Evropian.
A ka gjë më të largët nga Bashkimi Evropian se sa Malisheva, Kamenica apo Obiliqi në gjendjen aktuale? A ka gjë më të largët nga BE se sa lavdia e Albin Kurtit në këngë popullore dhe lavdia e kryeministrisë së Hashim Thaçit në armik të popullit? A ka gjë më të largët nga BE se sa injoranca popullore ndaj vetë BE dhe bashkimit në një qëllim: braktisje të këtij ferri social dhe ekonomik?
Politika buron nga konteksti, por politika kosovare është jashtëkontekstuale: përpos për Vetëvendosjes e cila as nuk pasur pushtet për t’u zhytur në korrupsion (megjithëse korrupsioni nuk është vetëm material), të gjitha partitë tjera janë të strukturuara nga të korruptuar të të gjitha fushave, pa as më të voglën përpjekje për të pastruar radhët e veta, së paku nga ata të cilët janë të njohur për popullin si të tillë. E megjithatë secila thirret në pastërtinë e saj. Konteksti është korrupsioni gjithëpërfshirës, nga mjekësia, në universitete e gjykata derisa partitë po na dalin të pastra si loti.
Por problemi është në ekstremizmin e politikës, fjalorit politik: o sot o kurrë, o pastërti o vdekje, o unë o askush etj. Mungesa e një trasimi të veprimit politik, dhe rrjeti veprimi politik sjellë në shpërbërje të hapësirës esenciale të politikës: kompromisit. Duket sikur të gjitha hapësirat politike të krijuara që nga paslufta dhe shpallja e Republikës janë shpenzuar në luftën për pushtet fizik të partive.
Shpërbërja e hapësirës politike ka ngushtuar mundësinë e zbutjes së frustrimit të të qenit kosovar dhe ka rritur intensitetin e acarimit të njëri ndaj tjetrit, dhe ka krijuar dhe vazhdon të pamundësoj krijimin e një zone politike. Ka mbi katër muaj që vazhdon thirrja për një Kosovë të pastër apo të suksesshme, varësisht nga blloku, por ka dhe mbi katër muaj që kosovari e sheh tërë këtë zhvillim si të huaj dhe nuk merr pjesë, qoftë me demonstrata peticione, greva apo mënyra tjera demokratike. A nuk janë kosovarët konteksti i këtyre thirrjeve? A nuk është jeta e kosovarëve nga e cila krijohet zona politike?
Në tërë atë që po thuhet sot, e ajo që po thuhet është politika duke qenë se kosovari ka pak mundësi për të vepruar, e vërteta e kosovarit po farkëtohet brenda një fataliteti të pakapërcyeshëm qytetar e njerëzor. E vërteta kosovare është gjithëpërfshirëse për të gjithë kosovarët, jo siç e paraqet një parti apo tjetra, andaj nuk mund të përjashtohet askush as nga përgjegjësia dhe as nga roli kundër dhe pro ardhmërisë. Përsëritja e një fjalori shumë shpejt do të kalojë në të vërtetë, është e paevitueshme, por mos kjo e vërtetë përjashton atë që duhet të mbajë përgjegjësinë.
















