Nga Preng Cub LLESHI
Jehona e thirrjes patetike për “rishkrimin e historisë”, që nisi në fund të viteve nëntëdhjetë, nuk është shuar edhe pas 24 vitesh. Atë nuk e përcjellin grykat e maleve si këngë majë krahu, po stacionet televizive dhe faqet e shtypit laraman të borgjezisë shqiptare në ditët tona. E përcjellin antikomunistët në përgjithësi dhe pinjollët e ballisto-zogistëve në veçanti, E përcjell edhe Besnik Ndregjoni, si përfaqësues i të përndjekurve politikë, në emisionin “Koha për t`u zgjuar”, kur çlirimin nga robëria fashiste më 29 nëntor 1944, e quan “pushtim të Shqipërisë nga sllavo-komunizmi”. (?!)
Dhe shqiptarët e ndershëm, tek i dëgjojnë këta zëra kukuvajkash antikomuniste, kanë të drejtë të çuditën me këtë tufë intelektualësh e pseudohistorianësh mjeranë, të cilët, ndryshe nga ç`ndodh në politikën e shteteve evropiane në ditët tona, nuk e njohin antifashizmin e viteve të Luftës së Dytë Botërore si vlerë të qytetërimit evropian. Harrojnë këta se edhe ati i tyre shpirtëror, Hitleri, kur e patën pyetur se Cilët janë njerëzit më të poshtër me të cilët je takuar, është përgjigjur: “S`kam parë më të poshtër se ata që më ndihmonin të pushtoj vendet e tyre”.
Por nuk qenka e thënë që ithtarët e tezës antishqiptare për “rishkrimin e historisë” të mbetën duke sharë vetëm vitet më me dritë në historinë shumëshekullore të popullit shqiptar-vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ato të transformimeve të mëdha ekonomiko-shoqërore gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet, që lidhën me emrin e PPSH dhe të udhëheqësit të saj legjendar Enver Hoxha!
Pasi kanë menduar se i kanë nxirë me bojë të zezë vitet me dritë të socializmit, ca intelektualë mediokër dhe pseudohistorianë të ndryshëm po bëjnë përpjekje për të “rishkruar” edhe faqe të tjera të historisë së Shqipërisë. Më e çuditshmja është se disa prej tyre po bëjnë përpjekje për të endur një aureolë drite edhe për shekujt e robërisë turke. Po përpiqen për të fshehur terrin e robërisë pesëshekullore turke në Shqipëri. Gjoja, për t`iu përshtatur situatave të reja gjeostrategjike në kohën tonë e për t`u treguar si “kozmopolitë modernë”, u dashka “rishkruar” edhe historia e marrëdhënieve shqiptaro-turke pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. U dashka “rishkruar” kjo histori, sepse, sipas tyre, pushtimi i Shqipërisë nga perandoria turke ishte një “proces i natyrshëm për kohën” kur ai u krye, një proces që kishte ndodhur edhe me popuj të tjerë afër e larg nesh. (?!)
Kësaj ideje të mbrapshtë, për të mos thënë antishqiptare, duket se i parapriu politika në trekëndëshin Ankara, Tiranë, Prishtinë e, ndoshta, edhe më tej. Për këtë dëshmon edhe fakti që Shqipëria, vendi që jetoi natën më të gjatë të robërisë turke, u bë dhe mbeti i vetmi vend evropian në Lidhjen islamike! Dhe, pas kësaj, disa politikanë shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë filluan të flasin për “vëllezërit tanë” turq, kurse ca politikanë në Ankara flitnin për “vëllezërit tanë shqiptarë”. Dhe oreksi vinte duke ngrënë. Pas këtyre përshëndetjeve “vëllazërore”, do të vinte kërkesa e qeverisë turke për t`i riparë tekstet e historisë së Shqipërisë e për të mos i nxirë shekujt kur atdheu ynë lëngonte nën peshën e robërisë turke. Dhe, në atmosferën e këtyre marrëdhënieve “vëllazërore”, del analisti e publicisti Mustafa Nano e thotë se “rezistenca antiosmane e shqiptarëve është një sendërgji (sajesë- shënimi im) e natyrës patriotike. Është një gjë që nuk është dokumentuar…”. (?!)
Dhe trishtohen e revoltohen shqiptarët e ditëve tona nga një “pohim” i tillë absurd! Trishtohen e revoltohem kur kujtojnë malin e legjendave për mizoritë që bënë invadorët turq, jo vetëm në vitet e para të pushtimit, por edhe gjatë gjithë shekujve, deri kur arritëm tek dita e bardhë e pavarësisë, më 28 Nëntor 1912! Ca më tepër trishtohen e revoltohen shqiptarët kur kujtojnë zërin e Rilindasve tanë: Naim Frashërit, Çajupit, Asdrenit e të tjerëve. Se na kujtohet, në raste të tilla, përveç “Historia e Skënderbeut” e Naimit, edhe vjersha “Sulltani” e Andon Zako Çajupit. Na kujtohet figura e urryer e një sulltani nëpërmjet monologut poetik të ndërtuar me aq sarkazëm nga rilindasi ynë! Dhe na duket se ai bërtet përsëri për ata që duan të bëjnë të zezën të bardhë: “Jam sulltan, mbret i vërtetë, Shok tjetër s`kam në jetë; Gjakatar e zemërderr, Nga frika më bëjnë nder! Vrava, preva e shkretova, Botën me gjak e mbulova”
Dhe, në qoftë se këto vargje dikujt i duken si trill poetik i rilindasit tonë të shquar, po i sjellim një dokument që na vjen nga historia, bile, nga vetë burimet osmane. Kështu, në librin “Qëndresa e popullit shqiptar kundër sundimit osman nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XVIII”, sillet ky njoftim: “Më 25 shkurt të vitit 1565 beut të Dukagjinit i shkruhet se “Të parët e fshatrave Bardhet,… Iballë, Kaçinar, Fani i Vogël,… Mirdita e Madhe, Qerret, të cilët varen nga livaja e Dukagjinit, kanë ngritur krye… Do të jetë e nevojshme që ata të zhduken…Më të pagdhëndurit t`i shkoni në shpatë. Fëmijët dhe gratë e tyre t`i bëni robër (f. 60)
Dokumente të tillë për mizoritë e pushtuesve turq gjatë pesë shekujve të robërisë gjen me shumicë dashamirësi i historisë. I gjen ato jo vetëm në trevat malore, por kudo ku luftohej kundër robërisë dhe kundër konvertimit në fenë e Islamit. Ndaj na duket krejt i pabazuar dhe antihistorik pohimi i një intelektuali të ditëve tona, që shkruan se “Teza, sipas të cilës ky konvertim është bërë me dhunë, ka rënë prej kohësh…”. Se, sipas këtij intelektuali, është gabim “të nënkuptohet një konvertim në islam në rrethana shtypjeje e presioni të dhunshëm”. Ndaj, për ta rrëzuar këtë “konkluzion”, që vjen në kundërshtim me të vërtetat historike, mjafton të sjellim edhe një dokument tjetër, i cili na vjen përsëri nga burimet osmane, nga libri që përmendem më lart. Kështu, në një nga kronikat e kohës së pushtimit, në fund të shkurtit 1590, serasqerit të ushtarëve të islamit i shkruhej: “Kryengritësit e fiseve të Gashit, Rrazës,…të nahijeve të Fanit të Mirditës dhe ata të fiseve të Kthellës, të Selitës, të Reçit e Lurës,…me që i kanë shtyrë e mashtruar të pafetë e Austrisë (të pafe quheshin të krishterët-shënimi im), janë bashkuar me këta…Ata duhen vrarë”. (f. 184)
Dhe, nëse këto fragmente nga dokumentet historike për vitet e robërisë turke ndonjë pseudoshqiptari i duken të pabesueshme, le të shfletojë këngët e popullit për ato mote të errët të robërisë! Le të lexojë këngët për nizamët dhe, më në fund, le të lexojë edh vargjet e poetit Lasgush Poradeci, shkruar për ato vite: “S`hyn dot ti turk e turçeli, Në kullat mirditore; Të pret në pritë e në frëngji Mirdita pushkë mizore”! (Vepra, f. 266) Duke i kujtuar këto të vërteta të mëdha, dashamirësit e historisë mbajnë parasysh edhe faktin që pushtuesit turq, për t`i robëruar shqiptarët dhe Shqipërinë, përdorën, përveç “armës së kërbaçit”, edhe “armën e kulaçit”: Me mashtrime, lajka e privilegje, arritën që jo pak shqiptarë t`i bënin për vete, duke u dhënë ofiqe e prona e duke i kthyer edhe në fenë islame. Këta, më vonë, do të formonin klasën e bejlerëve dhe të agallarëve, për të cilën kanë folur Çajupi, Asdreni e Noli.
Por ky realitet nuk mund të rrëzojë konkluzionet e gjersotme të historiografisë shqiptare, e cila e konsideron periudhën pesëshekullore të robërisë turke në Shqipëri “natën e gjatë” të historisë së kombit shqiptar, natë kur u shembën kishat e ngritura gjatë më shumë se dhjetë shekujve pas përhapjes së Krishtërimit në viset tona dhe kur u persekutuan e u vranë martirët e gjuhës dhe të shkrimit shqip!
Se, për të mos u zgjatur me plot të dhëna, që dëshmojnë për terrin e robërisë pesëshekullore turke, përpjekjet e ca historianëve për t`i veshur asaj një aureole drite, bëhen të pabesueshme dhe rrëzohen edhe me vargjet e poetit arbëresh Zef Serembe, i cili shkruante:
“Arbëria matanë detit na kujton,
Se na të huaj jemi tek ky dhe!
Sa vite shkuan e zemra nuk harron,
Se për turkun ne qëndruam pa Mëmëdhe”! (“Vjersha”, f. 37)
















