ARSIM ZEKOLLI
“Gjëja kyçe për krizën është se e vjetra vdes, kurse e reja ende nuk mund të lindë. Në ndërkohë paraqiten shumë sindrome morbide” (Antonio Gramshi)
Ndonjëherë, liria artistike din të parashikojë trende dhe të paralajmërojë stuhi, në atë formë që politika – si art i të mundurës – as që mundet dhe aq më pak guxon të ja lejojë vetes. Prandaj, preferoj të besoj se regjisori i shkëlqyeshëm britanik Kristofer Nolan, pjesërisht është udhëhequr nga një ide e tillë derisa ka krijuar trilogjinë filmike për Betmenin, mbrojtësin e Gotamit, duke lëshuar matricën tradicionale holivudiane të përshkrimit të këtij super-heroji dhe duke e përshtatur këtë karakter celuloid ndaj kthjelltëssë reflektive dhe post-traumatike të 11 Shtatorit. Andaj, në njërën nga skenat e filmit “Kalorësi i Zi”, Nolan, na rikujton kohërat kur patronët e bardhë “blenin lojalitetin e udhëheqësve fisnorë me gurë të çmueshëm”. Deri sa nuk është paraqitur dikush i cili “nuk kërkonte asgjë logjike si kompensim”. Pasi që, sipas Nolanit, “disa njerëz nuk mund të blihen, frikësohen, racionalizohen ose të binden për negociata. Disa njerëz kanë të vetmen dëshirë ta shohin botën si digjet në zjarr”. Kah fundi i këtij filmi, regjisori e transmeton paralajmërimin e fundit për kohërat e stuhishme që janë para nesh, duke u ankuar se logjika është relative, kurse marrëzia është absolute dhe e gjithëpranishme. Se “çmenduria është si graviteti- duhet vetëm që dikush të ju shtyjë”.
Katër vite më vonë, në aktin e fundit të trilogjisë, Nolani na e paraqet vizionin e tij për botën e zhytur në paligjshmëri dhe të okupuar nga gjysmëvetëdija kriminele. Që motiv, qëllim dhe impuls të vetëm ka destruktivitetin, kaosin dhe anarkinë e përgjithshme pa motiv. I lodhur dhe i shkallmuar, Betmeni paraqitet me përbuzje nënçmuese se “fitoret e kanë mposhtur” dhe paralajmërim se rivalët rinj – fëmijët e të mposhturve të paraardhësit – “tashmë nuk frikohen nga errësira, sepse pikërisht errësira i ka forcuar dhe i ka formuar”. Kuptohet, Betmeni në fund fiton sfiden dhe sërish shpëton botën. Mirëpo kësaj radhe jo falë besimit në ardhmëri të drejtë dhe më të mirë, por nga ndjenja e obligimit për fjalën e dhënë dhe falë ndërgjegjes së ngarkuar me gabimet e së kaluarës. Ishte kjo beteja e fundit dhe fitorja e fundit para rollës shkyçëse. Lufta, për hir të vërtetës, vazhdon. Por kjo tani më nuk është më problem i tij.
Nuk ka dyshim se përmes përshkrimit të tij distopik të superherojit modern, Nolani epitomizon Amerikën bashkëkohore. Të pakuptuar dhe të lodhur nga bota, në konflikt me vetveten, e përvuajtur nga luftërat dhe mosfalënderimet, e dënuar me fitore pa parada fitimtare dhe me preferencë për të lënë rolin e Gotam policit botëror. Derisa arh-armiqtë e tij paraqesin alegori për forcat e marrëzisë së dalë nga kontrolli, lajmëtarë të kërcënimeve të reja ndaj paqes botërore, të përballur me impulse kataklizmike për luftë nukleare si “erë e ardhshme e civilizimit perëndimor”.
Shikuar nga prizmi i paraleleve krahasuese historike, bota sot po e përjeton vitin modern Zero të kaosit, thuajse identik me vitin e Krishtit, që e kemi pranuar si pikë referimi kalendarike mes errësirës tokësore dhe ringjalljes shpirtërore.
Sot, sikurse para dy mijë viteve, Perandoria Romkea bashkëkohore tregohet e brengosur për kufijtë e civilizimit të vet dhe e preokupuar me larjen e duarve të veta nga përgjegjësia për situatat e krijuara sipas profitit të vet dhe n favor të Herod Antipasëve sundues të kohes në botën arabe. Njëkohësisht bashkërisht të ballafaquar me profetët e rinj, disa prej të cilëve mbajnë degëza ullinjsh, kurse disa tjerë shpata të zjarrta. Edhe sot, mu sikur edhe si në ato kohëra të lashta, njerëzimi parapëlqen t’u besojë bindjeve të veta, e jo fakteve, interpretimit në vend të realitetit, miteve në vend të gjykimeve logjike dhe racionale. Edhe atëherë, por edhe tani, është më lehtë që fenomenet shoqërore t’i maskoni me misticizëm religjioz, se sa t’i kuptoni si gërshetim i aksioneve tuaja radikale, sjellje ekstreme dhe pasoja brutale.
Mirëpo në këtë shfaqje të simplifikuar pothuajse bardhe-e-zi filmike për “quna të mirë- qunaetë këqij” fshihet një logjikë e vogël e devijuar që rezulton si katalizator shpirtkeq i ciklit të pandërprerë të akteve të dhunës. Radikalizmi megjithatë është fenomen periferik i cili e nënvizon situatën politike domicile, autoktone dhe dominante të paqes, balanim të forcave, stabilitet ekonomik dhe social i blerë përmes sjelljeve ekstreme në botën e jashtme. Brutaliteti i sotëm i demonstruar në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme paraqet reflektim të atij trajtimi ekstrem të imponuar mbi popullatën vendore nga ana e fuqive kolonialiste dhe satrapëve vendorë. Zaten, brutaliteti nuk është kurrfarë karakteristike aziatike si që paraqitet, por reagim i pritur shoqëror ndaj ekstremit ushtarako-politik të imponuar nga jashtë, sipas terkut të klikës vendore qeverisëse. Casja e tillë ka mbyllur, ngulfatur dhe pamundësuar të gjitha format e evoluimit normal politik deri në atë masë sa që regimi i vetëm i mbetur, ose forma për eliminim të ekstremit, mbetet brutaliteti mizor në formën më të shëmtuar të saj.
Njëkohësisht, premisa se brutaliteti është hallka e fundit e zinxhirit të dhunës aktuale është plotësisht e gabuar. Edhe pse padyshim monstruoz, i gërditshëm dhe i përgjakur, brutaliteti megjithatë është pjesë e spektrit të organizimeve bashkëkohore shoqërore. Gjithsesi mund ta konsiderojmë si të lashtë, rudimentare, si dele të zezë anakronike në familje, por megjithatë pjesë e familjes. Problemi me brutalitetin e ISIS-it nuk qëndron te monstruziotieti evident i prerjes së kokave, ekzekutimeve masovike ose konvertimeve të dhunshme, por që ai brutalitet nuk i nënshtrohet parametrave që mund të maten si sjelljes së parashikueshme dhe të sanksionuar dhe me ndonjë qëllim ose motiv konkret. Zaten, numri i kokave të prera nga ana e ISIS-it nuk është edhe aq më i madhë se dekapitimet e sanksionuara me ligj nga ana e regjimeve arabe, partnerë të perëndimit.
Ajo që brengos më së tepërmi në këtë rast është pikërisht hallka përfundimtare e zinxhirit të dhunës drejt ë cilit synon ISIS – destruksioni i rendit ekzistues, tok me të gjitha mangësitë dhe përparësitë evidente. Kjo më është fenomen që nuk mund të definohet përmes termeve të deritanishme lokale-limituese si kalifate, intifadë, ose xhihad – por si fenomen shoqëror emri i të cilit do të ishte shumë më i qartë për tu kuptuar, por njëkohësisht edhe më i papërshtatshëm për publikun perëndimor, të mësuar që gjithmonë të rreshtohet në anën e drejtë dhe etike të barrikadës. Termi në fjalë është: Revolucion. Lindur nga hiri i revolucionit arab dhe intervencionizmit perëndimor. E kjo veç më është diçka shumë më e rrezikshme dhe gjithsesi më brengosëse në afat të gjatë dhe me proporcione globale, si për shkak të impulseve, aq më tepër për shkak të metodave dhe materialit njerëzor që ka në diskonim, pa marrë parasysh religjionin.
Në këtë prashfaqje bashkëkohore të kolapsit pagan dhe fillimit biblik, secili i numëron monedhat e veta të argjendit dhe shet puthjet e veta isariote. “Islamizmi” i vrasësve maniakalë të ISIS-it nuk manifeston rilindje, por përkundrazi – kolaps të interpretimit mesjetar të këtij religjioni nga ana e mbretërve të rrejshëm tokësorë dhe interpretimeve të tyre sektare e percarese. Të ndihmuar nga grykësia e aleatëve të tyre perëndimorë të cilët për një grusht parash e harxhuan dhe e devalvuan produktin e vet global më joshës eksportues – demokracinë sipas masës shpirtërore të lirisë.
Por, do të pyetni me gtë drejtë , kush e ka rolin e martirit më kryq mbi shpatulla në rrugë drejt Golgotës? Kush është qengji, therja e të cilit do ta vrasë ndërgjegjen bashkëkohore? Mbase është ende herët që të thuhet. Por nëse më duhet patjetër të përgjigjem, do të kisha thënë se ky martirë është ndonjë vajzë e vogël e brishtë e vrarë në pafajësi.
Diku në Palestinë.
(Marrë nga Utrinski Vesnik)
















