Nga John Gray*
Ndonëse historianët kanë zbuluar elemente të pikëpamjeve liberale në botën e lashtë, veçanërisht në Greqinë dhe Romën klasike, këto elemente mund të thuhet se formojnë një pjesë të prehistorisë së liberalizmit sesa komponentë të lëvizjes moderne liberale. Si rrymë politike dhe traditë intelektuale, një fill i identifikueshëm në mendim e praktikë, liberalizmi nuk daton para shekullit XVII. Epiteti “liberal” është përdorur për herë të parë për një lëvizje politike vetëm në shekullin XIX, kur në vitin 1812 u përshtat nga Partia Spanjolle e Liberalëve. Përpara kësaj date, sistemi i mendimit të liberalizmit klasik u ngrit sidomos gjatë periudhës së Iluminizmit Skocez, kur Adam Smithi iu referua “planit liberal për barazi, liri dhe drejtësi”, por megjithatë termi “liberal” vazhdonte të përdorej kryesisht si derivat i fjalës liberality (liri mendimesh), virtytit klasik të njerëzimit, bujarisë dhe mendjes së hapur. Për ta kuptuar saktë domethënien e liberalizmit, është e nevojshme të kuptojmë qartë vërtetësinë e tij historike, zanafillën e tij në rrethana të caktuara politike dhe kulturore, si dhe lindjen e tij brenda kontekstit të individualizmit europian në periudhën e hershme moderne. Ndonëse liberalizmi nuk ka natyrë ose thelb të pandryshueshëm, ai ka një tërësi veçorish të dallueshme të cilat tregojnë modernizmin e tij dhe në të njëjtën kohë e bëjnë atë të dallojë nga traditat e tjera intelektuale moderne apo lëvizjet politike që lidhen me to. Këto veçori janë plotësisht të kuptueshme vetëm brenda perspektivës historike të krizave të shumta që shoqëruan procesin e modernitetit: shpërbërja e rendit feudal në Europë gjatë shekujve XVI dhe XVII, ngjarjet që vërtiteshin rreth Revolucionit Francez dhe atij amerikan në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XVIII, shfaqja e lëvizjeve masive demokratike dhe socialiste gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, si dhe zbehja gati e plotë e shoqërisë liberale nga qeveritë totalitare të kohës sonë. Në këtë mënyrë, veçoritë dalluese që shënjuan konceptet liberale për njeriun dhe shoqërinë në zanafillën e tyre në Anglinë e shekullit XVII, pësuan ndryshime dhe u riformuluan, por pa u shndërruar plotësisht, si rezultat i sfidave të reja e të ndryshme me të cilat përballeshin vetë shoqëritë individualiste që bënë të lindnin idetë liberale. Ajo që kanë të përbashkët gjithë variantet e traditës liberale, është një koncept i caktuar, qartazi modern në karakter, përsa i takon njeriut dhe shoqërisë. Cilat janë elementet përbërës të këtij koncepti? Është ai individualist, që do të thotë se pohon parësinë morale të personit përkundrejt pretendimeve të çdolloj kolektiviteti shoqëror; ai barazitar (egalitarian), duke qenë se u jep të gjithë njerëzve të njëjtin status moral dhe mohon që dallimet përsa i takon vlerës morale të qenieve njerëzore të kenë të bëjnë me rendin ligjor apo politik; ai universalist, që afirmon unitetin moral të qenieve njerëzore duke i dhënë një rëndësi dytësore shoqërive të caktuara historike apo formave kulturore; dhe ai meliorist, që afirmon mundësinë e korrigjueshmërisë dhe të përmirësimit të të gjitha institucioneve sociale dhe marrëveshjeve politike. Është ky koncept i njeriut dhe shoqërisë që i jep liberalizmit një identitet të qartë që shkon përtej kompleksitetit e shumëllojshmërisë së madhe që ekziston brenda tij. S’ka dyshim se ky koncept liberal ushqehet nga shumë burime të dallueshme që shpesh madje janë dhe në kundërshtim me njëri-tjetrin, të kulturës europiane, dhe se mishërimi tij konkret historik ka marrë forma të ndryshme. Ai i detyrohet diçka Stoicizmit dhe Kristianizmit, është frymëzuar nga skepticizmi dhe nga një siguri fideistike e zbulimit hyjnor dhe ka lartësuar fuqinë e arsyes, edhe pse në rrethana të tjera, është përpjekur të nënçmojë pretendimet e arsyes. Veç kësaj, tradita liberale ka kërkuar vlefshmëri ose përligjje në shumë filozofi të ndryshme. Morali liberal dhe pretendimet politike janë bazuar në teorinë e të drejtës natyrore të njeriut sa herë që kanë qenë mbrojtur nga thirrjet për një teori utilitare të sjelljes, duke kërkuar mbështetje si nga shkenca ashtu edhe nga feja. Së fundi, si çdo rrymë tjetër e sotme mendimi, liberalizmi ka përftuar nuanca të ndryshme në secilën prej kulturave të ndryshme kombëtare në të cilat ka pasur një jetë të qëndrueshme. Gjatë gjithë historisë së tij, liberalizmi francez ka qenë shumë i ndryshëm nga liberalizmi anglez, liberalizmi në Gjermani gjithmonë ka hasur probleme unike dhe liberalizmi amerikan, megjithëse i detyrohet shumë mendimit dhe praktikës angleze dhe franceze, shumë shpejt përftoi veçori të reja të vetat. Nganjëherë, historianit të ideve dhe lëvizjeve mund t’i duket që nuk ka vetëm një liberalizëm, por shumë të tillë, që lidhen me njëri-tjetrin vetëm nga njëfarë ngjashmërie brenda familjes. Për gjithë diversitetin e pasur historik që liberalizmi i jep investigimit historik, do ishte e gabuar të supozonim që shumëllojshmëritë e liberalizmit nuk mund të kuptohen si variacione në një kompleks të vogël temash të veçanta. Liberalizmi përbën një traditë të vetme, dhe jo dy ose më shumë tradita të ndryshme, apo një sindromë të hallakatur idesh. Kjo ndodh pikërisht në sajë të katër elementeve që përbëjnë konceptin liberal të njeriut dhe shoqërisë që përvijuam më lart. Këto elemente janë përpunuar dhe ripërcaktuar, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella janë rirenditur dhe përbërja e tyre është pasuruar në shumë faza të historisë së traditës liberale dhe në një shumëllojshmëri kontekstesh kombëtare dhe kulturore ku shpesh u është dhënë një interpretim shumë specifik. Por pavarësisht nga variabiliteti i tij historik, liberalizmi mbetet një pikëpamje integrale, komponentët kryesorë të të cilit nuk janë shumë të vështirë për t’u specifikuar, duke mos qenë thjesht një bashkim i çlirët lëvizjesh dhe pikëpamjesh të cilat paskëshin njëfarë ngjashmërie që vjen nga përkatësia në të njëjtën familje. Vetëm kështu mund t’i identifikojmë Xhon Lokun dhe Imanuel Kantin, Xhon Stjuart Millin dhe Herbert Spenserin, J. M. Kejnsin dhe F. A. Hajekun, Xhon Rolsin dhe Robert Nozikun, si mishërues të degëve të ndara të një familjeje të përbashkët. Karakteri i liberalizmit si traditë e vetme, identiteti i tij si koncept ngulmues por i ndryshueshëm i njeriut dhe shoqërisë, është i vërtetë edhe nëse, siç do të parashtrohet më vonë, ka qenë subjekt i një këputjeje të madhe, kur në shkrimet e Xhon Stjuart Millit liberalizmi klasik i hapi rrugën liberalizmit modern ose revizionist të kohëve tona.
*filozof, London school of economics














