Bashkim Metalia
Është e vërtetë që Shqipëria po ndryshon, aq e vërtetë sa ky ndryshim vihet re edhe nga vetë shqiptarët që i ka zënë taksirati të jetojnë aty.
Kazani i gjellës shtetërore është shtjerrur nga propaganda e mediatike -politiko-shtetërore. E vetmja metode është të reklamojë veshjet personale në manekinët koncesionarë- dhe thonë gojëligët bëhet korrupsion. Aspak lajthitëse aq më pak kundërshtar për hir të kundërshtimit.
Gjithsecili e do ndryshimin, ama atë ndryshim jo vetëm pozitiv dhe koherent, por të qëndrueshëm dhe efecient.
Ilariteti i situatës së tejzgjatur të këtyre ndryshimeve po e ngulfat shqiptarin e shkretë, po ia nxin jetën sa më s’ka. Grahmat i ndihen si të fundit paçka vitalitetin e ka të paepur.
Pa u thelluar në situatën ekonomike , “sukseset” e administrative, shtetin ligjorë, por dhe pingpongun politik, disfata me e madhe është sorollatja, grabitja apo vjedhja, tallja, abuzimi …, që i bëhet sovranit.
Aktrimi aspak artistik i përvetësuesve të politikës shqiptare ka katandisur gjendjen dhe mirëqenien , nevojat dhe domosdoshmëritë; shpresën e ka grishur. Politika institucionale deri tani është simbioze e nepotizmit , klanit dhe allishverisheve individuale.
Të dalim tek qëllimi i këtij shkrimi, jo vetëm të mllefosur e të vrerosur , por të zhgënjyer dhe shpresë-këputur.
Treqindegjashtëdhjetë kilometrat e vijës bregdetare shqiptare padyshim do i mungojë gumëzhima njerëzore sepse pushuesit ose do vonohen ose…do mungojnë.
Jo nga gurë-rëndët (xhanëm edhe mund të mungojnë e këta) por të atyre që u detyruan të emigrojnë.
Në vend që shteti aparati i të cilit duhet të kujdeset për pushuesit sezonal qofshin këta edhe jo shqiptarë, duhet të subvencionojnë një alternative lehtësuese për turistët.
Fatmirësisht Zoti e ka shtruar rërën e praruar, të kripur dhe jodizuar anekënd bregdetit, duke ia lehtësuar punën shtetit që kjo rërë të mos merret gjetkë.
Siç duket pista e ulje-ngritjeve aeroportuale e Rinasit nuk e përballon fluksin e “MADH” të fluturimeve ndaj na duhet edhe një aeroport tjetër si ai i Kukësit, tani në Vlore, dhe të mbahen më vonë për vlera muzeale.
Të shtoj edhe një shoqëri tjetër ajrore si ajo e Air Serbia për të na shpëtuar neve shqiptarëve për ta bërë fluturimin më të këndshëm, miqësor , vëllazëror dhe me çmime të pa konkurueshme , për këtë ua garantoj.
Të nderuar lexues nëse të duhet urgjentisht një udhëtim për në vendlindje falë përkujdesjes së qeverisë mëmë, Air Serbia ju shërben si një partner strategjik pasi Albanian airline dhe linat lowcost i falimentoi konkurrenca korruptive klanore nga adapët e politikës sonë të mjerë.
Nëse nuk e keni ditur fluturimet kanë filluar që në shtator 2014 (paçka me nje low profile deri tani) por tani e keni në dispozicionin tuaj kudo, kurdo dhe me oferta të pakrahasueshme.
Në fakt kjo e fundit ua ka munxosur dëshirat shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë dhe atyre në Diasporë.
Është e padiskutueshme që në rajonin tonë nuk gjen bileta ajrore aq të shtrenjta saqë janë në Shqipëri .
Nuk ekzistojnë oferta/paketa turistike.
Shqipëria po ndryshon dhe këtë se vë në dyshim , porse infrastruktura që i ofron turistit patriot, turistit kureshtar, turistit tranzitor , dhe turistit fatkeq ia ka hequr gurët e veshkave dhe shtjerrur dy -tre palë këpuce, më e pakta.
Institucionet pretendojnë (d.m.th. gënjejnë) se janë bërë investime në sektorin turistik por , harrojnë të pyesin turistët dhe numrin e tyre që sa vjen e zvogëlohet çdo vit.
Një bileta avioni është disa fish më e shtrenjtë se sa vendet e rajonit , fqinjët tanë të vegjël dhe të mëdhenj.
Normale ne shqiptarët jemi mësuar të shesim lirë dhe të blejmë shtrenjtë , ky është standardi ynë . Dikush mund të thotë se e meritojmë; nuk e thashë unë!
Industria turistike shqiptare për momentin është e mefshtë, klanore, pa strategji, pa planprojekte, me një fjalë pa vizion.
Ama çmimet e vizitorëve për në Aeroportin ndërkombëtare të Rinasit janë të kripura , të idhta , pa shije, hileqare prej hajduti. Karvani i makinave sapo ka filluar gjarpërimin torturues sikur do ta sfidoj klanin tuaj të dashur qeveritarë….
Po flitet për koncesione , low cost , … vallë pse ua shesin shpirtin shqiptarëve të shkretë !?
Premtimet para/pas elektorale meritojnë vëmendje i dashur sovran, sepse nuk bën të lihen sheshet bosh pa entuziazmin zgjedhor se aktorët politike kanë për të shpalosur paradigmën, projektin e një qeverisje të mirë të një qeverisje ndryshe, aq më tepër të një Shqipërie me shqiptarë të ikur, arratisur.
Si çdo njeri edhe unë do të doja të uroja një qeveri që fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike , sigurisht. Por a guxoj, a guxojmë të shterojmë nga fjalori ynë fjalë që nuk na i nxë shpirti?
Kohët e fundit u realizuan zgjedhjet me sukses si asnjëherë tjetër , dhe një president “konsensual” të pozitës. Por nuk mundem të mos rishprehem qoftë edhe këtu në faqet e kësaj gazete të gatuar në kazanin mediatik perëndimor se : Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për shtet Zoti Kryeministër. Demokracia fatkeqësisht është një fjalë e përdale, fale klasës politike që po vazhdon ta trafikoj për interesa personale edhe sot!
Nëse funksionon shteti i së drejtës dhe ligji, demokracia fiton legjitimitetin e saj, dhe populli ( jo turma) rrjedhimisht i gëzon frytet e saj.
Si duket sovrani nuk ka qenë dhe nuk është i tille për sa kohë nuk vendos dot për fatet e tij (të paktën deri më sot).
Urimi për fitoren tuaj do të kishte kuptim vetëm në përfundim të mandatit tuaj!
















