Gjovalin Hasanaj dhe Lauren Bekteshi, janë të dy studentë në vitin e dytë të studimeve master për Menaxhim Biznes në Universitetin Europian të
Tiranës. Të dy ata kanë ardhur në këtë shkollë pasi kanë pasur një eksperiencë në sipërmarrje private dhe e kanë parë shkollimin e mëtejshëm si një mënyrë për t’u perfeksionuar në këtë rrugë. Një zgjidhje ideale duket në kushtet e Shqipërisë, ku të rinjtë përgjithësisht mbarojnë shkollën pa pasur akoma një ide se ku do të punojnë. Në degën Menaxhim Biznes, Master Shkencor, të rinjtë nuk shihen thjesht si studentë që duhet të plotësojnë kreditet për të marrë diplomën, por ata janë aktivë në diskutime, debate dhe në ide e projekte bashkë me pedagogët. Në prag të Konferencës Shkencore “Sipërmarrja dhe Inovacioni“, ku të dy studentët e mësipërm do të marrin pjesë me prezantimin e ideve të tyre në fushën e “menaxhim-biznesit”, ne njohëm më nga afër historinë e tyre, lidhjen me biznesin dhe projektet për të ardhmen. Nuk të takon shpesh të njohësh të rinj 20 e ca vjeçarë, që jo vetëm janë vetëpunësuar me biznesin e tyre, por kanë paguar studimet e tyre vetë, dhe për më tepër shohin perspektivën për zgjerim të biznesit pas nxitjes që kanë marrë në bankat e shkollës.
Gjovalini, i riu që ka punësuar fermerët e zonës
Gjovalini, një djalë i ri që për nga mosha që ka duhej të ishte duke menduar si të kalonte kohën e lirë me shoqërinë pas shkolle, në të vërtetë mendon se si të zgjerojë biznesin e tij. Ai vjen në Tiranë çdo javë nga Malësia e Madhe, ku jeton me familjen dhe ku ka ngritur një baxho, e cila është bërë një burim të ardhurash jo vetëm për Gjovalinin dhe familjarët e tij, por për të gjithë zonën. Ai vjen në Tiranë për të ndjekur studimet master dhe për të shpërndarë djathin “Veleçiku” që prodhon baxhoja e tij, në disa prej hoteleve dhe restoranteve më të mira në kryeqytet, të cilët i ka klientë. “Baxhoja jonë e përpunimit të qumështit përpunon rreth 1 mijë litra qumësht në ditë, duke u bërë kështu një pikë grumbullimi për afro tri komuna rreth e rrotull. Fshatarët e zonës po shohin mundësinë për të rritur numrin e bagëtive duke u nxitur nga ne, për shkak se synimi dhe kapaciteti i baxhos është për të përpunuar rreth 2 mijë litra qumësht në ditë”, – thotë ai. Baxhoja fillimisht u hap nga babai i tij, kur Gjovalini ishte vetëm 18 vjeç, por tani është ai menaxheri i punës dhe për ta bërë këtë, një shtysë e madhe ka qenë koha e studimeve në UET. “E pashë që biznesi im kishte një perspektivë dhe rritje për t’u zhvilluar, kisha nevojë të formoja dijet e mia në menaxhim që në të ardhmen të isha më i përgatitur, ndaj nisa studimet master. UET-in e falenderoj për promovimin që më ka bërë, për konsulencën e dhënë falas dhe kurdoherë, për ndihmën që po më jep për krijimin e brand-it të kompanisë, design, logo etj. Pedagogët më kanë ndihmuar jo vetëm me konsulencë, por dhe me gjetjen e klientëve të konsiderueshëm”, – thotë ai. Gjovalini ka marrë ndihmë konkrete nga pedagogët e tij, saqë ai nuk ka frikë të shprehet se “nga gjithë mbështetja që kam marrë në shkollë, mendoj se 10- 15 për qind e fitimit që ka sot biznesi im ia dedikoj UET-it”.Për të, këshillat dhe nxitja që i ka dhënë në veçanti pedagogia Ermira Qosja kanë qenë shumë efektive. “Zysh Mira më ka krijuar perspektivën për ta parë biznesin tim me sy kritik dhe për t’u fokusuar tek cilësia, si një element i rëndësishëm për vazhdimësinë”, – thotë ai.
A nxitet Gjovalini që të lërë gjithçka e të jetojë në Tiranë? Ai as nuk e konsideron këtë alternativë. “Shumë studentë vijnë për të marrë një diplomë, për të jetuar në Tiranë, apo për të kaluar një kohë të bukur me shoqërinë, unë vij për t’u perfeksionuar e për t’u kthyer në vendin tim. Biznesi im është një biznes social, sepse nëpërmjet tij është zhvilluar e gjithë zona”. Ndërsa ngritjen e baxhos e ka mbështetur Ambasada holandeze në Tiranë pikërisht për këtë arsye, Gjovalini po përgatit një projekt të ri për zgjerimin e biznesit, duke kërkuar për këtë gjë sigurisht dhe fonde mbështetëse. Në sytë e tij duket gëzimi i një të riu që e ka gjetur atë që do të bëjë në jetë dhe është i sigurt në vetvete.
Lauren, pasioni për fotografinë i nxit idenë për biznes
Lauren Bekteshi, një vajzë e re, simpatike nga Shkodra, është gjithë kohës me aparat fotografik në dorë. Në pamje të parë të duket një artiste me plot kuptimin e fjalës, një nga ato amatoret që i pëlqen të fotografojë për të kaluar kohën ose për të futur foto në facebook. Por në të vërtetë aparati për Lauren është biznes. Ajo ka punuar që kur ishte në Shkodër, sigurisht nëpër dasma apo evente të tjera, ku paguhet për punën e fotografes. “Me paratë që fitova kam paguar shkollën dhe zgjodha të studioja për Menaxhim-Biznes, pasi nuk e shoh fotografinë thjesht si një hobi, po si një mundësi për të hapur biznesin tim dhe për të punuar në të ardhmen. Në UET sqarova idetë se ku duhet të fokusohem, fushën ku duhet të punoj dhe sesi ta menaxhoj pasionin tim për fotografinë. Tani po mendoj të hap një studio, duke marrë dhe këshillat e zysh Mirës, po studioj tregun dhe mundësitë më të mira për mua nëse duhet ta hap biznesin në Shkodër apo në Tiranë”, – tregon ajo. Edhe Lauren do të jetë pjesëmarrëse në konferencën shkencore që do të mbahet në nëntor dhe ka përgatitur tashmë tezën e saj. “Kam studiuar shumë në UET dhe jam fokusuar tek nevojat për programim dhe menaxhim të artit. Nuk ka akoma institucione që merren me menaxhimin e artistëve të fushave të ndryshme, unë e shoh veten këtu dhe projekti im ka të bëjë pikërisht me këtë fushë”, – thotë ajo.
Lauren është vërtet një vajzë e re, aq aktive dhe me ide kaq të qarta për jetën e saj dhe punën, sa mund t’i rrëzojë poshtë gjithkujt paragjykimin që shpesh krijohet për vajzat e moshës së saj. Por ajo thotë se në degën ku ajo studion edhe kolegët e saj janë të angazhuar maksimalisht që idetë që marrin në shkollë t’i vënë në zbatim në jetë, me bizneset e tyre ose në kompanitë ku do të punojnë. Se sa do t’ia arrijnë varet sigurisht nga aftësitë e gjithsecilit, por pasi ke njohur Gjovalinin dhe Lauren, e kupton që asgjë nuk është e pamundur me vullnet, iniciativë dhe padyshim kualifikimin e duhur.
Ermira Qosja: Synojmë që studimet master t’i përgatisin studentët për tregun e punës
Po si funksionon marrëdhënia pedagog-student në masterin shkencor Menaxhim-Biznes? Siç na e treguan Gjovalini dhe Lauren, nuk është një marrëdhënie brenda kornizave, ku pedagogu jep mësimin, studenti merr shënimet dhe takimi tjetër është në provim. Mesa duket, kjo pjesë e marrëdhënies strukturore në një shkollë është vetëm pjesa e jashtme e kësaj marrëdhënieje, pasi ka një dimension tjetër të saj, ajo e konsultimit, bashkëpunimit dhe nxitjes së studentëve për të përshtatur dijet që marrin jashtë dyerve të shkollës, në jetë.
Prof. as/dr. Ermira Qosja, e përmendur nga dy studentët më lart, thotë për Mapon se “lidhja me studentët e masterit të Administrim-Biznesit ka shumë dimensione dhe për shkak të faktit që ata vijnë nga eksperienca, formime dhe qëllime të ndryshme. Ka prej tyre që vijnë për të ndjekur në afatgjatë karrierën akademike, të tjerë që synojnë të mbyllin ciklin e plotë të studimeve dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës, por mes tyre gjen dhe të rinj që kërkojnë të çojnë përpara sipërmarrjen e tyre apo të familjes”.
Sipas zonjës Qosja, “studimet master janë një shkollë shumë e mirë për të ndarë e çuar përpara dijen, të mësuarin përgjatë gjithë jetës e eksperiencën personale, si dhe për t’u bërë pjesë e një komuniteti më dinamik e më perspektiv. Kjo është një gjë që UET e plotëson dhe mundëson shumë mirë për shkak të mënyrës si zhvillohet mësimi, si ndërveprohet me botën e biznesit, si transmetohen përvoja specifike nga lektorë të ftuar të huaj e shqiptarë, dhe mbi të gjitha, si klasat tona në master ‘ziejnë’ nga prezantimet e projekteve, diskutimet e jo rrallë debatet”.
Gjovalini dhe Lauren, në sytë e saj janë ndoshta shembulli konkret se si një pedagog i masterit do t’i donte studentët e tij, aktivë dhe me guxim për të vënë dijet e marra nga librat në zbatim. “Laureni dhe Gjovalini janë studentë që vijnë pas eksperiencave në sipërmarrje personale apo familjare, ambiciozë dhe të hapur, shpesh nxitës të debateve që qasjen e marrin nga problematikat në tregun që lëvrojnë dhe mbi të gjitha që gjejnë përkrahjen tonë si shembull që ka rrugë të ndryshme që të çojnë në punësim”, thotë pedagogia Ermira Qosja.
















