Nga Redi Agolli
Shqiptarët po mpaken përditë nga barra e taksës progresive, së cilës i është shtuar edhe rritja me 71% e çmimit të energjisë elektrike dhe çmimit të naftës (rritja e dytë) me 12 lekë për litër. Ekonomia po pëson një çakërdisje të pashembullt dhe është molisur nga “planet 5-vjeçare” të Ramës i cili është shndërruar në makthin e konsumatorit shqiptar dhe biznesit vendas e të huaj. Edvini po u rikthen shqiptarëve, bashkë me rehabilitimin e Enver Hoxhës edhe menunë e komunizmit, Urinë, të vërtetën e papërfolur të gjendjes 50 vjeçare të shqiptarëve që po dëshmohet të rilindet në tavolinat e familjeve shqiptare.
Shqipëria është gremisur në një krizë të rëndë ekonomike. Shqiptarët po mpaken përditë nga barra e taksës progresive, së cilës i është shtuar edhe rritja me 71% e çmimit të energjisë elektrike dhe çmimit të naftës (rritja e dytë) me 12 lekë për litër. Kurbat e kërkesës dhe ofertës shënojnë një ç’ekuilibër ekonomik ndërkohë që në treg janë shfaqur pantallonat pa xhepa dhe tollonat për ushqimet. Ekonomia po pëson një çakërdisje të pashembullt dhe është molisur nga “planet 5-vjeçare” të Ramës i cili është shndërruar në makthin e konsumatorit shqiptar dhe biznesit vendas dhe të huaj. Kasandrat ekonomike, si Banka Botërore, FMN dhe Standard & Poor’s kanë paralajmëruar atë që Rama qëllimisht kërkon ta fshehë ashtu siç po bën me progres-raportin e Bashkimit Europian. Eksodi i investitorëve të huaj tashmë ka nisur ndërkohë që të joshurit nga “Shqipëria 1 Euro” po humbasin interesin duke i përqendruar investimet në vendet sllave të rajonit. Këngët e Ramës për uljen e taksave e “blablabla-të” e tjera u provuan të ishin si këngët e sirenave të Odisesë, një kurth i vërtetë! Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këto “lajthitje” të Edvinit. Biznesi amerikan i ka kërkuar qeverisë shqiptare stabilitet me koncesionet dhe thjeshtëzim të sistemit të taksave në vend, pasi në të kundërt paralajmëron rrezikun e largimit të investitorëve të huaj nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit. “Të inkurajojmë investitorët që kemi, ato mund të ndikojnë mirë ose keq, në thithjen e investimeve të reja. Nëse këto kanë probleme të koncesionet me taksat atëherë ato do t’ia transmetojnë të tjerëve, për mua është i rëndësishëm stabiliteti dhe thjeshtëzimi i tatimeve, edhe po mos të ketë rritje apo zbritje përqindjesh, duhet të ketë thjeshtime”, është shprehur kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford.
Rritja e energjisë elektrike me së paku 71 % për 60 % te shqiptarëve që konsumojnë me pak se 300 kw ne muaj, sipas Eurostat, e bën çmimin më të lartë në Europë në raport me rrogat dhe pensionet ndërsa nominalisht dhe të mesatarizuar e bën 30 – 40% më të lartë se sa në shumicën e vendeve të rajonit. Kjo rritje ka ardhur jo se e kërkon kinse, siç propagandohet, nevoja për të reformuar sistemin elektrik, por si pasojë e një pazari të ndyrë politik me CEZ për faljen e 1.1 milionë lekëve kësaj kompanie në këmbim të ngopjes së urisë politike të Ramës. Debitorët e kësaj “kredie politike” që ka marrë Rama nga çekët janë shqiptarët të cilët duhet të ngushtojnë rripin. Përveçse po u fik llambat, jo vetëm në kuptimin e një idiome të rëndom por edhe në atë literal, Edvini po i rikthen shqiptarëve, bashkë me rehabilitimin e Enver Hoxhës edhe menunë e komunizmit: Urinë!
Si për kujtimet ashtu edhe për stomakun e shqiptarëve është e paharrueshme zbrazëtia gërryese e urisë, armikut të parë dhe më të vjetër të njeriut, që shqiptarët nuk e provuan në kohën e neandertalit, por në epokën moderne të shekullit XX. Papunësia është kthyer në një gjendje normale ndërkohë që punësimi ka kaluar në anormalitet, në një marrëdhënie skllav-pronare, pasi e gjithë rroga është taksa, i gjithë pensioni është taksa dhe praktikisht shqiptarët janë shndërruar në një kompani transferimi të parave tek CEZ-i dhe tek Rama& Co(ço). Sot, dilema e shqiptarëve nuk fokusohet tek moda, se çfarë duhet të veshin, as se cilën shkollë do të ndjekin fëmijët e tyre, ashtu si vendet e tjera të Europës, por se çfarë do të hanë, si në vendet ekzotike të Afrikës apo tributë e Amazonës. Çapë buke me margarinë, formula “Patatja, edhe gjellë edhe bukë”, është rikthyer në tavolinat shqiptare ndërkohë që mishi është zhdukur ndërsa rilindësit na propagandojnë si popull vegjetarian. Cingërisja politike, sociale dhe ekonomike plotëson tablonë e një Depresioni të Madh, të një diagnoze që shëmbëllen karakterin e vet Edvinit, burimin e kësaj Shqipërie të sëmurë, ku po rilinden të këqijat historike dhe sociale. Uria, e vërteta e papërfolur e gjendjes 50 vjeçare të shqiptarëve po dëshmohet të rilindet në tavolinat e familjeve shqiptare nga Kryetaksuesi Rama.
















