Nga Volker Wagener
Bota po gëlon me të vërteta që vijnë nga qilari i Helmut Kohl. Një libër me intervista të paautorizuara të Kancelarit që bashkoi Gjermaninë
Politika bëhet me të vërtetë tërheqëse, kur të shkruarat, apo të thënat nga ambientet politike etiketohen me shtesën “sekret”. Si tani, me shfaqjen e papritur të materialit 600 orësh të bisedave të gazetarit Heribert Schwan dhe ish-kancelarit gjerman, Helmut Kohl prej vitit 2001 deri 2002. E gjitha e regjistruar në kaseta tonike analoge, biseda në qilarin e Kohlit në Oggersheim, që sheh tani dritën e diellit. Tani mund të lexohet se sa konsideratë kishte Kohli, i futur në histori qysh në kohët e mandatit të tij, për politikanët e tjerë. Në përgjithësi, pak.
“I kishte ardhur laku në fyt”
Madje edhe miqve ua këpuste. Gorbaçovi thjesht ka “dështuar”, thotë troç ish-kancelari. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik komunist pa gjakderdhje nuk ka ndonjë vlerë të veçantë për gjermanin. Reformatori nga Moska ka dështuar politikisht dhe ekonomikisht dhe e ka kuptuar se kishte marrë të tatëpjetën dhe “i kishte ardhur laku në fyt e nuk mund ta mbante më regjimin.” Nga mëshira prej moshës, as që ndihet ndonjë gjurmë.
Është kjo gjuhë popullore figurative, që e bën shumë të afërt dhe të drejtpërdrejtë burrin e madh të shtetit të dikurshëm. Helmuti fare nga pranë dhe direkt. Madje as ikonat e revolucionit në RDGJ, demonstruesit të të hënave në Leipzig, ai nuk i kursen. Nuk e ka sjellë fuqia e rrugës shembjen e RDGJ-së, por dobësia ekonomike e bllokut lindor. Nuk është thjesht ashtu, shkruan Kohl në protokoll në vitet 2001/2002, “sikur papritmas Fryma e Shenjtë kishte mbërritur në sheshet e Leipzigut”. Kështu tingëllojnë burrat e moshuar, që nuk duan t’i ndajnë sukseset me shumë të tjerë.
Një burrë shpjegon botën
Në fakt kështu nuk flet askush publikisht, as vite më vonë jo. Por Helmut Kohl, po. Gjerësisht dhe në mënyrë të detajuar, ai ka folur me një gazetar në gjithsej 105 raunde bisedash. Njërit, që dikur i ka besuar, dhe me të cilin tani ndodhet në konflikt ligjor. Ata kanë folur me njëri-tjetrin në një kohë, kur ai nga kancelari i famshëm i bashkimit u bë mëkatari i donacioneve, kur kolegët e partisë e kritikonin dhe kur gruaja e tij Hannelore kreu vetëvrasje. Ai kishte rënë shumë poshtë, ndoshta për këtë arsye ka qenë një lehtësim për të, që t’i thoshte gjërat siç i vinin.
Edhe për Christian Wulff, më vonë për një kohë të shkurtër president. “Një zero”, kështu ishte gjykimi i ashpër i Kohlit. Dhe për Wolfgang Schäuble, ministri i Financave në kabinetin Merkel dhe që për një kohë të gjatë mbahej si pasardhës i Kohlit në kancelarinë federale, thuhet se ka mbledhur të gjithë armiqtë e Kohlit në kohën e skandalit të donacionit, për ta shkatërruar atë. Dhe se atij nuk i ka besuar se do ta realizonte vendosjen e monedhës euro. Dhe shumë nënvlerësuese thëniet e Kohlit për Angela Merkel, kur ajo ende nuk ishte kancelare. CDU, atdheu politik i Kohlit, paraqitet si një familje që grindet në gjyq.
Sjellja e Kancelares në tryezë
“Ajo nuk dinte të hante si duhet me thikë e me pirun”, thotë mentori i saj politik për kancelaren e mëvonshme. Në pritjet shtetërore, Merkel shpesh nuk e njihte mirë etikën e parketit. Disa herë ai e ka porositur të qëndrojë si duhet. Kohl flet për secilin dhe për çdo gjë para gazetarit Schwan. Disa gjëra ai sot nuk do t’i linte të thëna kështu. Por pyetja kryesore është: Për çfarë shërbejnë këto fjalë të Kohlit? Për historianët, bisedat e Kohlit nga qilari janë pa dyshim një thesar. Për Kohlin, publikimi i tyre vjen në një kohë të papërshtatshme. Është trashëgimia e tij historike, që me siguri nuk ishte menduar që të publikohej sa të ishte gjallë. Edhe për CDU, veprimi i Schwan shkakton zemërim e bezdi, por materiali dëshmon për intrigat në Union. Dhe Angela Merkel do të vëzhgohet menjëherë nga mediat më fort, për shkak të sjelljes në tavolinë. Por ne të gjithë e kemi të garantuar argëtimin me “botën e Helmutit”.















