Lista e institucioneve të akredituara është e gjatë. Krahas katër universiteteve publike, janë edhe 19 institucione private, dy prej të cilave me statusin “privat – jo profitabil”. Këtu gjen edhe universitete si “BAS” dhe “ESRA” në Shkup, “Evro Kolegj” në Kumanovë, Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, apo “Akademi Italiane” dhe Universiteti Evropian në Shkup, për të cilët ish-ministra të Arsimit kanë deklaruar se duhet mbyllën pasi kanë parregullsi të theksuara
Laura PAPRANIKU
Nevoja për vendosjen e një mekanizmi që do të kontrollonte cilësinë e universiteteve në Maqedoni ka nxjerrë edhe një herë në pah problemet e shumta brenda sistemit të arsimit të lartë. Njëra prej tyre padyshim që ka të bëjë me dështimin e Komisonit të Akreditimit dhe Evoluimit në Maqedoni (KAE), që krahas parregullsive dhe kontesteve të ligjore, të cilat e kanë ndjekur në të kaluarën, tani po dëshmon se nuk është në gjendje të kryejë atë pjesë të obligimeve që ka të bëjë me kontrollimin e punës së institucioneve të arsimit të lartë, pra me evoluimin e atyre që paraprakisht kanë marrë bekimin e KAE-së. Me gjithë kundërshtimet dhe reagimet e shumta, me të cilat është pritur paralajmërimi i ministrit Abdilaqim Ademit për mundësinë e vendosjes së dy provimeve shtetërore gjatë studimeve, të gjithë bashkohen në një pikë. Aktualisht, në arsimin e lartë në Maqedoni nuk mund të flitet për cilësi ashtu sikundër të gjithë pranojnë se diploma universitare tanimë disa vite ka humbur vlerën akademike. E gjitha, kuptohet për shkak të dështimeve në sistem, të cilat nisën me liberalizmin e pakontrolluar të arsimit të lartë, për të vazhduar me keqpërdorimin e sistemit të Bolonjës dhe për të përfunduar me politika populiste të hapjes së universiteteve vend e pa vend.
Sipas ligjeve në fuqi, “kujdestare” për cilësisë në arsimit të lartë duhet të jetë KAE-ja. Sepse, është pikërisht KAE-ja institucion që ka përgjegjësinë profesionale të vendosën nëse një institucion i arsimit të lartë plotëson kushtet kadrovike, hapësinore dhe programore për të kryer atë veprimtari dhe është po ky këshill, i cili duhet të mbikëqyrën në kontuinitet nëse institucionet në fjalë punojnë sipas standardeve dhe kushteve për të cilën kanë marrë lejen akreditimit. E parë në letër gjithçka duket OK, mirëpo në praktikë – KAE ka dështuar të bëjë punën e vet sa i takon kontrollit, respektivisht evaulimit të institucioneve të arsimit të lartë. Përveç kësaj, institucione tjera në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), janë thuajse të paafta të kontrollojnë 160 institucione të arsimit të lartë në Maqedoni. Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA), sikurse kemi sensibilizuar kohë më parë, për 160 fakultete, shkolla të lata dhe institute ka në dispozicion pesë inspektorë. “Edhe atë vetëm dy prej tyre janë me përvojë pune”, ka sqaruar për KOHA udhëheqësi i sektorit për arsim të lartë, Afrim Saliu. Me ndryshimet e Ligjin për arsim të larët, të vitit 2011, kur edhe u rregullua çështja e themelimit të KAE-së, të gjitha kompetencat për kontrollin e cilësisë iu kaluan atij këshill, ndërsa ISHA ngeli vetëm me obligimet për të kontrolluar respektimin ose jo të ligjeve për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë. Lista e institucioneve të akredituara është e gjatë. Krahas katër universiteteve publike (të Shkupit, Tetovës, Manastirit dhe Shtipit) janë edhe 19 universitete, fakultete dhe institute private, mesin e të cilave dy me statusin e institucioneve “private-joprofitabile” ku bëjnë pjesë Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL) dhe Universiteti i Shkencave Informatike “Apostoll Pavlle” në Ohër (UAP). Në këtë listë, e cila qëndron e azhurnuar në veb faqen zyrtare të MASH-it gjen edhe universitete si “BAS” dhe “ESRA” në Shkup, “Evro Kolegj” në Kumanovë, Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, apo “Akademi Italiane” dhe Universiteti Evropian në Shkup, për të cilët ish-ministra të arsimit disa herë deklaruar se duhet të mbyllën pasi kanë parregullsi të shumta. Për një pjesë të tyre, madje është thënë se punojnë jashtë të gjitha standardeve të arsimit ta lartë. Në një intervistë të para dy javëve për gazetën KOHA, ministri Ademi ka zbuluar se universitet private janë në proces të kontrollit. “Kam formuar një Komision të posaçëm për kontrollin e cilësisë në institucionet private të arsimit të lartë, me përfaqësues të MASH-it dhe IASH-së, të cilët nga fundi i muajit tetor do të paraqet analizën përkatëse. Qëllimi është të kemi një pasqyrë të saktë se sa këto institucione e respektojnë ligjin dhe sa u përmbahen vendimeve mbi bazën e të cilave kanë fituar lejet e akreditimit. Nuk kemi qëllim të mbyllim asnjë institucion, por në raste të konstatimit të shkeljeve eventuale t’ju japim mundësinë të korrigjohen dhe të shmangin parregullsitë. Do të kenë dy herë mundësi ta bëjnë këtë e, nëse nuk tejkalojnë shkeljet as pas afatit të dytë, normal se mund të vjen deri te mbyllja e ndonjë programi studimor, fakulteti dhe nëse është nevoja edhe e komplet universitetit privat”, paralajmëron ministri i Arsimit.















