Shkruan: Shqipe Gjocaj
Gjinia duket se luan rolin qendror në jetën tonë, konsiderohet si elementi qendror i identitetit tonë personal, dhe indikatori përcaktues i suksesit të jetës sonë sociale. Qysh herët na mësojnë se sa e rëndësishme është të bëhemi vajzë apo djalë i mirë, na nxitin të rritemi mirë e mbarë që më vonë të mund të marrim një grua të mirë, apo një burrë të mirë. Na mësojnë të jetojmë sipas perspektivave të përcaktuara nga momenti se si çka lindim, femër apo mashkull. Në këtë mënyrë, gjinia luan rolin kyç për mënyrën se si jetojmë, për zgjedhjet që i bëjmë, për interesat që i kultivojmë, dhe për llojin e ëndrrave që na ka hije t’i ndjekim.
Mungesa e perspektivës gjinore në jetën tonë private dhe sociale përmes binaritetit burrë-grua ka rezultuar më vonë në “djemtë janë djem” dhe “vajzat janë të bukura”, “djemtë e vërtetë nuk çajnë” dhe “vajzat e mira nuk ankohen”, “djemtë janë të fortë” dhe “vajzat janë të ndjeshme”. Kjo sjellje në baza gjinore që kërkojmë nga djemtë dhe vajzat më vonë rezulton në “betejën e sekseve” që prapë ndodh brenda dualitetit – burrë/grua. Prandaj, gjinia si koncept ka ngec në këtë cikël dyjor, dhe çështjet gjinore shpesh dhe gabimisht konsiderohen vetëm si çështje të grave.
Por, a e dini se ekzistojnë më shumë se 50 gjini? A e dini që çdo ditë e më shumë po bëhet e zakonshme që njerëzit të kenë qëndrime jo-konformiste sa i përket gjinisë? A e dini që gjinia nuk po konsiderohet më elementi definues i qenies së një personi, dhe roli i gjinisë në individualitetin e një personi po bëhet më pak i rëndësishëm. Pjesë më zbavitëse e punës sime si trajnerë e integrimit gjinor është pikërisht momenti kur prezantohen më shumë se 50 gjini, 50 e më shumë identitete gjinore, dhe fakte e perspektiva të tjera që shpjegojnë dallimet në mes të seksit biologjik dhe gjinisë, mes gjinisë dhe orientimit seksual, perspektiva këto që sfidojnë nocionin femininitet e maskulinitet, stereotipat gjinore dhe politikat gjinore.
Vetëm ta qartësojmë që 50 e më shumë gjini nuk nënkupton 50 organe reproduktive, apo 50 organe gjenitale përtej vagjinës dhe penisit. Po çka nënkupton është që gjinia si koncept është kompleks dhe jo universal apo i përgjithshëm. Gjinia është konstrukt social, kulturor e historik i seksit biologjik. Gjinia ndryshon në bazë të ndërveprimeve sociale, dhe në këtë mënyrë është e hapur ndaj ndryshimeve. Kultura të ndryshme kanë supozime dhe praktika të ndryshme kulturore që e diktojnë konstruktin social të grave, burrave dhe relacioneve të tjera sociale.
Njerëzit e njohin vetën si individ pa gjini apo individë që nuk e shohin gjininë si pjesë definuese e identitetit të tyre (agender), me dy gjini apo individë që përjetojnë karakteristika të të dy gjinive (bigender), individë me karakteristika që nuk përkojnë me seksin e tyre biologjik (transgendered), individë që lindin me ndonjë abnormalitet në kromosome dhe si rezultat me karakteristika seksuale femërore e mashkullore (intersex), individë në kërkim e sipër se cili etiketim ata e ndjenjë se u përkon (gender questioning); e shumë forma të tjera që merr koncepti i gjinisë. Me fjalë të tjera, ti je një grua apo burrë e formuar në mënyrë sociale, kulturore apo historike, me karakteristika, vlera të imponuara dhe pritshmëri të caktuara sipas seksit biologjik. Ti vet mund të vendosësh nëse je burrë, grua, që të dy, asnjëri, apo thjeshtë pse ka rëndësi?. Megjithatë, duhet të theksohet se ne nuk e zgjedhim gjininë në mënyrë të rastësishme. Sikurse që filozofi francez Foucault shpjegon “gjinia na imponohet përmes pushtetit të diskurseve rregullative (fjalëve, imazheve, dhe domethënies dhe arsyetimeve që shoqëria na thotë se janë të pranueshme), dhe atyre të rregulluara apo të kontrolluara.
Problemi kryesor është që këto dy koncepte, seksi dhe gjinia, përdoren si sinonime. Në këtë mënyrë, sistemi që njeh vetëm dy gjini, në mënyrë strikte i ka definuar rolet për ne dhe na ka imponuar vlera të definuar gjinore. Përmes këtij indoktrimi të roleve, edhe femininiteti dhe maskuliniteti janë futur në kornizë. Por, duke e zbërthyer këtë dikotomi, ekspertët dhe hulumtuesit nga fusha të ndryshme po e theksojnë se sa sfiduese është për njerëzit të kuptojnë se seksi dhe gjinia nuk janë të këmbyeshme, dhe se individët nuk janë të obliguar të përvetësojnë sjellje gjinore që shoqëria mendon se i përshtatet seksit biologjik. Stereotipat gjinore po vazhdojnë të na mbajnë në burgun gjinor.
Në shoqërinë kosovare, sikurse në shumë shoqëri konservatore e patriarkale, gjinia pritet të përkoj me seksin biologjik, dhe pritshmëritë kulturore janë më të dëmshme për gratë sesa për burrat; kultura e nderit për burra, ndërsa kultura e turpit për gratë. Shpesh, edhe pavetëdije, pritet nga burrat të jenë banal e arrogantë, dhe kushdo që nuk hyn në këtë kategori përqeshet se është homoseksual (kinse të jesh homo nënkupton më pak burrë). Gratë, në anën tjetër, objektivizohen, domestikohen, përgjithësohen si grup e injorohen si individë, dhe në mënyrë direkt apo indirekte testohen e akuzohen “moralisht”. Për më shumë, ashtu sikurse pritet të ndodh, edhe heteroseksualiteti është i institucionalizuar si normë sociale e morale.
Diskriminimi dhe përqeshja në bazë gjinore është pjesë integrale e diskurseve publike në Kosovë. Burrat politikanë që nuk perceptohen se përkojnë me maskulinitetin kosovarë përshkruhen si “bura” e jo “burra”, ndërsa seksizmi i institucionalizuar për gratë mirëmbahet me krenari. Të pasmet e Presidentes Jahjaga, gjoksi i deputetes Duda Balje, “hiper-femininiteti” i ministres në detyrë Vlora Qitaku, “agresivja dhe histerikja” Vjosa Osmani – gruaja më e votuar në Zgjedhjet e fundit Parlamentare, janë vetëm disa nga shembujt që dëshmojnë se sa seksiste është politika, dhe tregon shumë se si i perceptojmë dhe vendosim t’i trajtojmë gratë dhe burrat ashtu sikurse na kënaqin stereotipat gjinore.
Ky kontroll dhe pushtet mbi gratë dhe burrat në emër të femininitetit dhe maskulinitetit “legjitim” duhet të merr fund. Rolet gjinore, ashtu sikurse ne vendosim t’i pranojmë, duhet të na fuqizojnë dhe çlirojnë, e jo të na kufizojnë e poshtërojnë. Prandaj, në vend që t’i integrojmë stereotipat gjinore në shoqëri, pse të mos e integrojmë konceptin gjini dhe rëndësinë për ta kuptuar përmes perspektivës njerëzore. E si ta integrojmë gjininë në shoqërinë tonë me mentalitet konservator?
Pa u munduar shumë, mund të fillojmë me zgjidhjen bazike, me shkollat, apo më saktësisht me mësuesit dhe arsimtarët e biologjisë dhe gjuhës. Ata mund të kenë ndikim të madh në këtë aspekt duke e ç’turpëruar fjalën seks, duke e adresuar vazhdimisht seksin biologjik, dhe duke e dalluar atë nga gjinia, duke e shpjeguar konkretisht dhe shkenctarisht për nxënësit dhe duke mos nxitur mistifikim të fjalës. Dhe po, mediet. Mediet i kontrollojnë imazhet, dhe në këtë mënyrë e kanë pushtetin ose t’i përforcojnë stereotipat gjinore, ose t’i sfidojnë ato. Mediet duhet të kërkojnë autoritet tjetër gjuhësor për përshkrimet femërore, mashkullore, dhe të tjera. Është përgjegjësi e medieve të përdorin vokabularin e duhur, ta dallojnë seksin nga gjinia, ta përfshijnë perspektivën gjinore dhe të ofrojnë një përfaqësim më të shëndoshë për të gjitha gjinitë.
Prapë se prapë, ne nuk mundemi dhe nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë si individë. Ta fajësojmë sistemin dhe të kërkojmë standarde më të larta nuk duhet të merr fund kurrë, por përgjegjësia jonë si individë është çështje tjetër. Si individë ne duhet të zhvillojmë sens të vet-vlerësimit dhe vet-besimit, të zgjerojmë njohuritë, në mënyrë që të ndryshojmë pikëvështrimet tona. Si individë ne kemi aftësinë ta zhvendosim pushtetin prej situatës aktuale në shoqëri, dhe të vendosim atë aty ku duhet, pra tek mirëkuptimi dhe respekti për të gjithë individët. Paqja sociale varet nga ne si individë. Prandaj, ta mirëpresim dhe të festojmë fundin e gjinisë siç e njohim tradicionalisht, t’i japim fund stereotipave gjinore, dhe seksizmit kundrejt të gjitha gjinive.
(Autorja është trajnere e integrimit gjinor në organizatën PEN)
















