Nga Besnik Murati
S’do mend se, fjala politikë sot është bërë pjesë e jetës së çdo njërit nga ne për faktin se, çdo gjë është politizuar nga themeli gjer në kulm. Pse ndodh kjo? Apo, politika ka mbetur mjeti i fundit i realizimit të aspiratave jetësore? Gjendja nëpër të cilën po kalojmë si shtet dhe si shoqëri, si duket ne edhe dështimit çdo herë ia vëmë bishtin e arsyes, edhe atëherë kur arsyeja e shendosh nuk e pranon. Politika e degraduar nga mosefikasiteti dhe jo etika në punë, bën që politika të kuptohet si kundër etikë.
Origjina e fjalës “Etikë” rrjedh nga fjala greke “ethos”, që do të thotë, “kulturë sociale”, mënyra e sjelljes në një shoqëri të caktuar. Fjala “Etikë” do të thotë: “ Shkenca që studion moralin, karakterin klasor e historik të tij, normat e sjelljes së njerëzve si një nga format e ndërgjegjes shoqërore, detyrat e tyre kundrejt njëri-tjetrit, kundrejt shoqërisë, atdheut, shtetit” etj.
Në vendet me demokraci të ndërtuar në tehun e shpatës, politika dhe etika janë dy pole të kundërta, sepse, në vende të tilla nuk bëjnë politikë njerëzit e etikës, por njerëzit të cilët i kanë shpallur luftë vetë etikës. Edhe pse politika dhe etika duhet të shkojnë bashkë njëra me tjetrën, në vendet ku qeveriset nga të paaftit, është e vështirë të qeverisin përmes etikës, sepse, vetë aftësia e tyre përball politikës është e mangët nga paaftësia dhe injoranca e tyre.
Kur paaftësia politike përballet me etikën, paaftësia njeriun e pushtetshëm e kthen dhe e bën të pamoralshëm përballë politikës të bazuar në etikë. Filozofi politik iluminist Motesquieu thotë: “Etika politike e përgjegjësisë është fondamentale për një republikë të mirë, shumë më përpara se ligjet e mira, se sa virtytet e qytetarëve”.
Autoriteti, prestigji dhe fama e cila përfitohet dhe fitohet nga politika, shumë nga ata të cilët nuk do të arrinin një gjë të tillë përmes aftësisë së tyre intelektuale, me çdo kusht tentojnë ta arrijnë përmes politikës pa etikë. Me qenë se, të tillët këtë famë kanë mundësi ta fitojnë vetëm nga politika, bën që i padituri të udhëheq politikën, i pamoralshmi shuan ëndrrën e moralit njerëzor, hajni mbrohet me ligj duke e bërë që edhe drejtësia të jetë e pafuqishme përballë padrejtësisë së politikës pa etikë.
Ajo që po ndodhë tek ne, jo vetëm sot, por që nga themelet e politikës kosovare, nëse me çdo gjë mundë të krahasohet, të paktën me etiken dhe moralin politik janë shume larg njëra tjetrës. Janë aq larg sa që, këto dyja siç duket i kanë shpallur lufta njëra tjetrës, e fatkeqësia është se triumfuese çdo herë ka dalë politika e bazuar në shantazh përballë politikës të bazuar dhe ndërtuar mbi themelet e etikës, transparencës dhe njerëzores. Kjo që ka ndodhur dhe akoma vazhdon të ndodhë, nuk mund të quhet veç se një imoralitet politik, ku përmes këtij imoralitetit është instaluar çdo gjë anti-etike dhe anti-njerëzore.
Politika e cila bazohet në etikë, bazohet mbi principet morale dhe njerëzore, mbi të drejtën e të udhëhequrit mbi parimet brenda kushteve të ligjshmërisë, dinjitetit dhe forcës njerëzore. Politika e cila për synim ka vetëm përfitimet personale, duke shkelur mbi etikën dhe moralin njerëzor, domosdo do të sjellë dëm të madh dhe të paimagjinueshëm për vendin dhe popullin e ati vendi.














