Kastriot ALIAJ
Reforma e shumëpritur në drejtësi, që pritet të fillojë së shpejti, si nevojë imperative e gjendjes ku po dergjet shoqëria shqiptare për mungesë të saj, do të dëshmojë papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare pa maturi e principalitet. Kjo që po ndodh me këtë reformë që po i kalon kufijtë e legjendave, nuk është çudia e tre ditëve siç ndodh për ndonjë event apriori, por thirrje e një populli të tërë për ndryshim, që të mos na shohin më sytë nga drejtësia e deritanishme, që nuk bëri kurrë drejtësi për mbi dy dekada. Fjalët e kreut të shtetit, se duhet zgjidhur deformimi i gjyqësorit janë të pamjaftueshme për të justifikuar gjendjen e saj katastrofike dhe të degraduar plotësisht. Duke u ndalur po këtu, çdo njeri me kulturën më minimale për njohjen e pozicionit që zë ajo në strukturën shtetërore si shtylla e tretë e tij, ka të drejtë të pyesë. Kush e deformoi dhe e tjetërsoi drejtësinë në Shqipëri z. Nishani? Kush e ktheu atë në ndërmarrje biznesi me produksion padrejtësinë? Kush ka përgjegjësi për gjendjen e saj, 90% e shqiptarëve që nuk kanë më besim tek ajo, apo krerët e opozitës që fshihen pas çekiçit të gjyqtarëve? Këto e të tjera hamendësi, trazojnë mendjet e shqiptarëve të cilët të zhgënjyer nga ç’kanë parë deri tani, si një njeri i traumatizuar që kërkon ndihmën e psikologut, ata i kërkojnë politikës të reflektojë dhe jo të vërë kushte e aq më keq të akuzojë duke shkarkuar përgjegjësitë për gjendjen e sistemit të drejtësisë. Përpjekjet e vazhdueshme për të ndryshuar këtë sistem të sëmurë në këto 24 vite, kanë qenë pa sukses duke kapërcyer çdo çudi të mosmarrëveshjeve politike. Rrotacionet politike nuk kanë mundur ta vënë atë mbi themele të reja, por janë mjaftuar me trashëgiminë e vjetër duke krijuar kontradiksion totalitar brenda vetes së saj midis mentaliteti të ri dhe atij që trashëguam. Por kjo dukuri ishte e lidhur me politikën e papërgjegjshme për të manipuluar më lehtë figurat e vjetra në mbrojtje të interesave të tyre, ku drejtësia me urdhërat e tyre e la rrugën e ligjit dhe vazhdoi atë të Maliqit. Kështu këta politikanë, mbas rrotacioneve politike i gëzoheshin pushtetit ashtu si Aleksandri i Madh i Maqedonisë, që me bëmat e dikurshme të guximshme të tij u gëzohej fitoreve mbi mallkimin e shkatërrimeve që linte pas.
Kështu ka ndodhur në Shqipëri në 1997-ën si dhe në rrotacionin e vitit kaluar, që mbas gjithë atyre shkatërrimeve, drejtësia nuk u bë e gjallë për të vënë përpara saj asnjë berishian. Duke bërë njërin vesh shurdh e një sy qorr, drejtësia e siguroi dhe e garantoi akoma edhe më shumë opozitën, për t’u ndier e pashqetësur nga zërat e botës së krimit. Gjendja kritike e këtij gjyqësori, e bën domosdoshmëri këtë reformë, për të cilën opozita e sotme nuk e vuri ujin në zjarr për sa kohë që ishte në qeveri. Lënia pas dore e kësaj reforme nuk ishte rastësi, megjithëse këmbanat e alarmit kishin kohë që po binin, ajo ishte një vijë e qartë që përligjte bëmat e tyre, duke favorizuar krimin dhe bashkë me të edhe opozitën e sotme, që vazhdon të fshihet mbrapa këtyre strukturave. Krerët e opozitës së sotme duke përfshirë edhe z. Nishani si pjesë e pandarë e tyre për deri sa këshilltarët e tij janë pjesë e strukturave të PD-së, e quajtën reformën një domosdoshmëri dhe jo thjeshtë si një rekomandim nga strukturat evropiane e më gjerë. Por faktori ndërkombëtar është lodhur, duke kërkuar që kjo reformë të bëhej sa më parë për tu dhënë fund alibive dhe gjendjes në të cilën ndodhet ajo e renditur në vendin e 116-të në botë, mbas Kamboxhias, Laosit, Vietnamit pa përmendur disa nga tributë afrikane. Faktori ndërkombëtar dhe shumica e strukturave të brendshme kërkojnë ndryshime rrënjësore të këtij sistemi aq shumë të përfolur. Shifrat e shumta për mos trajtim të çështjeve në gjykata me vite të tëra, zvarritjet, lënia e vendeve bosh në gjykata e prokurori, mos pastrimi i tyre nga të korruptuarit etj., kanë ulur jo vetëm nivelin e gjykimeve por e kanë zbritur gjyqësorin në nivelet më të ulta dhe të papranueshme.
Opozita, megjithëse u duk sikur bëri një hap për bashkëpunim me të gjithë faktorët, ajo nuk mundi të largohej nga mentaliteti i saj kushtëzues, ashtu si dhe në veprimtaritë e tjera politike të deritanishme, ku më shumë i ka ndërlikuar situatat se sa ka ndikuar për zgjidhje. Këta zotërinj, të ngujuar gati mbi tre muaj në mjediset e SHQUP-it harrojnë se kanë qenë vetë objekt dhe subjekt i marrëzive të lëna pas duke mos dhënë asnjë shpjegim dhe argumentim të arsyeshëm sikur të gjitha këto mangësi na i kanë shkaktuar UFO-t. Shteti që drejtuan mërgimtarët e SHQUP-it, nuk i përmbushi asnjëherë funksionet e tij thelbësore, në një demokraci të brishtë liberale, si kjo që po përjetojnë shqiptarët. E thënë ndryshe, nuk respektoi parimet e demokracisë, siç ishte zbatimi i ligjit, nuk respektoi lirinë e tregut, konkurencën e ndershme, nuk bëri transparente, asnjëherë përpara popullit shpenzimet marramendëse dhe burimet e tyre në fushatat elektorale e koncerte të ndryshme. Të gjitha këto profeci që ndodhnin, nuk mund të hetoheshin e gjykoheshin sepse shtylla e tretë e shtetit ishte thyer dhe e sëmurë plotësisht. Siç duket sëmundja e shumë përfolur kohët e fundit “Ebola” e kishte infektuar më shpejt drejtësinë shqiptare dhe shtetin tonë kancerogjen. Kështu ky shtet nuk ishte garant për qytetarin e thjeshtë por vetëm për klanet familjare, nuk mbrojti meritat e individit, iniciativën individuale dhe ajo që e kancerizoi akoma e më shumë, ishte mos organizimi dhe zhvillimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po, a e kishte pyetur ndonjëherë veten kjo opozitë kur ishte në drejtim, nëse shteti ishte në parametrat e demokracisë apo kishte dalë jashtë shinave? Këtë e treguan ngjarjet që pasuan, ku u shkelën parimet dhe vlerat universale, në respektim të të drejtave të njeriut, që e çuan këtë opozitë në amoralitet dhe degjenerimin e moralit. Po ashtu dimensioni i lirisë, pavarësisë, si dhe elementet e tjerë drejtësi për të gjithë pësuan deformime. Këto parametra nuk ishin në përpjestim me dimensionet e vlerës morale, nga që liria dhe anarkia, nuk mund të bashkëjetojnë, sepse anarkia që kishte kapluar vendin, nuk la hapësirë për zbatim të ligjit në të gjithë proceset demokratike.
Demokracia dhe liria nuk mund të mbrohen duke bërë padrejtësi,ashtu siç kanë bërë gjykatat në Shqipëri ndërsa shteti bënte jo vigjilentin dhe indiferentin. Ky shtet ku sundoj amoraliteti,nga mungesa e drejtësisë, nuk krijoj kushte për zhvillim normal të ekonomisë,por la hapësira për prevalimin e krimit që solli jo pak shqetësime për shoqërinë tonë në shumë fusha duke e kthyer demokracinë në një farsë zhgënjimi. Mënjanimi dhe mos zbatimi i parimeve të demokracisë, nga kjo opozitë që vazhdon të sillet sikur është akoma në pozita drejtimi, e çuan në sundim absolut në despotizëm dhe krijimin e oligarkisë e marrë në mbrojtje nga drejtësia e sotme. Heshtja e drejtësisë për dënimet dhe mos ndëshkimet e ngjarjeve tronditëse, si ajo e Gërdecit apo e 21 Janarit, ku protagonistë janë krerët e opozitës së sotme, përbën një handikap të madh për strukturat e saj mbas reformimit. Por ristrukturimi dhe riformatimi i tyre duke krijuar një piramidë të re më funksionale, nuk shihet me sy të mirë nga opozita, dhe sidomos krerët e saj që nuk mund ti shmangen si deri tani përgjegjësive para ligjit. Këtë duhet ta venë vath në vesh lulashët dhe berishët, sepse vetëm kështu, drejtësia e reformuar do të fitojë besimin e shumicës së popullit që pret të shohë një drejtësi dinjitoze dhe mbrojtëse e sigurt e tij. Reforma gjithëpërfshirëse do të jetë një garanci më shumë, jo vetëm për vetë atë si shtylla e tretë e shtetit, por mbi të gjitha për dinjitetin e shtetit shqiptar, për mbrojtjen e tij dhe garantimin e zhvillimeve të perspektivës e standarteve për integrim, siç e meritojmë të jemi pjesë e Evropës së Bashkuar.















