Miltiadh M. Muçi
Ndërprerja nga pushtetarët demokratë e Akademisë së Policisë, që nga pushtetarët socialistë mendohet të jetë Universiteti i Policisë, ka krijuar jo vetëm mungesën e formimit të kapaciteteve, por për pasojë edhe ndërprerjen e hierarkisë drejtuese në polici. Kjo bëri që të afroheshin dhe persona që vetëm me shërbimet e policisë nuk u morën, me karrierë shumë të shkurtër dhe me mbështetje nepotike e partiake, që jashtë orëve të planifikuara në shërbim ndërronin pikat për “kontrollin” e drejtuesve të automjeteve, sipas preferencave të tyre, me qëllime vetëm për të përfituar në mënyrën më korruptive.
Vërtetë se nuk po ndodh e njëjta gjë, që në shkallët e larta të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të vendosen “truproja”, drejtues joprofesionistë dhe me karrierë hierarkike, por nëse nuk do të kemi në vazhdim të tillë me siguri askush nuk do ta besojë, pasi aspak ose shumë pak ato bëhen publike, thua se policia tashmë u spastrua prej tyre. Nisur nga boshllëku i të shkuarës, politika e re e bazuar në vendimet e qeverisë mbështetet në strategjinë e re të ristrukturimit të policisë, “mbi bazën e parametrave klasikë të formimit policor, si në numrin e veprave penale brenda një territori në kohën e tashme dhe të analizës historike, në numrin e banorëve dhe infrastrukturës rrugore e strukturës inxhinierike të komunikimit, për të rritur kontrollin e territorit, të favorizuara nga organizimi më i ri i pushtetit vendor, që do të për-mirësojë lidhjet mes policisë dhe komunitetit. Nëse policinë e shkëpusim nga komuniteti dhe e çojmë në zyrë, e kemi shumë të vështirë të kontrollojmë territorin.
Policia kurrë nuk mundë ta pranojë asnjëherë zyrën, sepse edhe veprimtaria kriminale zhvillohet kryesisht në komunitet, ndërsa autorët ndodhen vetëm midis komunitetit. Një strategji e re duhet të përcaktojë në mënyrën më të detajuar dhe efikase, rrugët dhe mënyrat si duhet vepruar, që të ndodhin sa më pak krime në komunitet dhe kur ato të ndodhin, me ndihmën e komunitetit si të zbulohen në kohën sa më të shpejtë. Kjo arrihet me policë të një karriere që lindin dhe formohen në shkollën e policisë, dhe rast pas rasti mund t’ua ofrojnë bashkëpunëtorëve të gjithë përvojën e tyre, në luftën parandaluese e zbuluese të veprimtarisë kriminale dhe autorëve të saj. Ky duhet të jetë edhe parimi bazë i strategjisë së policisë.















