Nga Grida Duma
Vjena është porta hyrëse e Shqipërisë në Europë, – të paktën sipas reklamës së Austrian Airlines në aeroportin e Tiranës.
Janë të shumta “vendet kandidate” që duan t’i shërbejnë Shqipërisë si porta hyrëse në Europë. Italia ofron si portë hyrëse Romën, Greqia, Athinën. Në fakt, pavarësisht se dyert e aeroporteve të botës janë hapur, Shqipëria vazhdon të rrijë në zonën e tranzitit -duke paguar vonesën. Në këtë pikë, teksa vazhdojmë të qëndrojmë në vendnumëro përballë një porte të hapur, shtrohen disa pyetje. E para: Sa jemi të gatshëm të hyjmë në atë derë? E dyta: Sa është e gatshme Europa të na presë? E treta: Sa do të na dojë kur të jemi brenda? A mund t’i përshtatemi ne Europës, a mundet Europa të përshtatet me ne? Kjo e fundit është edhe tema që na intereson dhe që na ka mbledhur në këtë rast.
U pata kërkuar disa miqve të më ndihmonin me përkthimin e reagimeve të lexuesve austriakë të intervistës së Kryeministrit të Shqipërisë dhënë gazetës “Der Standard” pak kohë më parë. Ndër të tjera, ai shprehej: “BE duhet të nxjerrë mësime nga kriza në Ukrainë. Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat.”
Reagimet e qytetarëve austriakë ndaj artikullit kishin ashpërsi në sinqeritetin e tyre. Njëri prej tyre shkruante: “Do të ishte më mirë që vendet të cilat japin fonde për BE të tërhiqeshin prej tij, dhe të krijonin një bashkim tjetër. Pas kësaj do dukej qartë nëse do mbetej ndonjë vend që do të dëshironte të hynte në BE”.
Lexuesi i dytë shprehej: “Duket qartë që të gjitha vendet e korruptuara të Europës Juglindore mendojnë se e meritojnë anëtarësimin në BE”.
Lexuesi i tretë shkruante: “Mafia shqiptare është më e frikshmja në botë. Nëse i pranojmë shqiptarët në BE, atëherë përdorimi i armëve duhet lejuar me ligj, të paktën të kemi mundësinë të mbrohemi”.
Po ndaj me ju edhe komentin e lexuesit të katërt dhe të fundit, i cili kishte reflektuar me përgjegjësi lidhur me gabimet e mëparshme, dhe propozonte zgjidhje praktike për problemin e integrimit të Shqipërisë. Ai shkruante: “E gjeta ç’duhet bërë. Bashkimi Europian duhet të nxjerrë mësime nga kriza në Ukrainë, dhe… ta lërë Shqipërinë të bashkohet me Rusinë”.
Në këtë situatë, e titullova këtë kumtesë “Për një metabolizëm europian” – sipas teorisë së sistemeve. Nuk synoj t’ju sulmoj me skemat e Nicklas Luhmann, duke e përdorur sociologjinë, ashtu siç shprehej Pierre Bourdieu, si një disiplinë luftarake. Jeta e çdo sociologu që mendon se mund të bëjë politikë nuk është e lehtë. Por kjo s’do të thotë se kjo më shtyn të dua t’ua vështirësoj atë të tjerëve.
Por do përpiqem të shpjegoj disa nga vështirësitë e integrimit të Shqipërisë me Europën, si dhe disa nga arsyet për këtë. Vetë Bashkimi Europian ndodhet në krizë. Kjo krizë ka shumë dimensione: dimensionin ndërkombëtar, që na dëshmon kriza në Ukrainë. Dimensionin ekonomik, që na tregon kriza e borxhit grek. Dimensionin socio-ekonomik, të karakterizuar nga ngadalësimi i rritjes dhe shtimi i pabarazive, të dokumentuar nga Piketty dhe të kritikuar së fundmi nga Harvey.
Pak kohë më parë, rënia e një aeroplani të vogël që transportonte drogë u shndërrua në kryefjalën e politikës shqiptare. Paralelisht me këtë episod, një tjetër ngjarje më bëri përshtypje. Ishte një nga ato ndodhi që rëndom kalojnë pa u vënë re. Disa vullnetarë nga Tirana shkuan të pastrojnë një plazh diku në bregdet. Kur u kthyen, ata u ankuan se askush prej banorëve të zonës nuk mori mundimin t’i falënderojë.
Këto nuk janë episode të jashtëzakonshme. Janë episode simptomatike. Ato tregojnë një dështim të dyfishtë. Dështimin e shtetit, që nuk funksionon në mënyrë institucionale. Dështimin e qytetarit, që nuk sillet në mënyrë sociale. Në Shqipëri ndryshimet strukturore kanë krijuar “individin postkomunist” – zgjedhësin, konsumatorin, sipërmarrësin, taksapaguesin. Por ato kanë krijuar edhe versionin e tij të deformuar: hajdutin e votave, mafiozin, indiferentin, mospaguesin e taksave. Në Shqipëri hallka lidhëse midis qytetarit si individ, dhe demokracisë si sistem mungon.
Këtë dikotomi e ndeshim në dy nivele: së pari, në hendekun e padukshëm midis ndërgjegjeve individuale dhe sistemit social, dhe së dyti, në hendekun e dukshëm midis Shqipërisë së varfër postkomuniste dhe Europës së pasur, post-ideologjike dhe trans-nacionale.
Prodhimi bruto për frymë i Shqipërisë mbetet nën 40% të mesatares botërore. Ai ka ngecur diku midis Kinës dhe Xhamajkës. Niveli i rritjes tonë ekonomike të lë të kuptosh se ndoshta nuk do ta arrijmë kurrë Europën. Borxhi publik ka kapërcyer kufijtë ligjorë. Hyrja në borxhe tek FMN për të kompensuar problemet fiskale dhe strukturore të Shqipërisë është një zgjidhje që s’ka kuptim në ekonominë reale, por që merr kuptim në arenën politike.
Në këtë situatë, Europa është e vetmja shpresë “zyrtarisht e pranuar” për ne. Problemi qëndron pikërisht këtu. Shqiptarët e shohin Europën si shpëtimtaren e tyre, atë që do t’i nxjerrë nga një situatë e pashpresë, që do t’i shpëtojë përfundimisht nga frika e mjerimit, nga mjerimi i frikës. Por tashmë e dimë se europianët prej kohësh nuk duan të shihen nga të tjerët si shpëtimtarë që bëjnë bamirësi duke futur dorën në xhep.
Realiteti është sfidues. Lidhjet më të suksesshme strukturore të Shqipërisë me Europën në terma financiarë janë ato me krimin e organizuar. Nëse shohim ekonominë, lidhjet më të suksesshme strukturore Shqipëri-Europë krijohen nga fasonët, industria që shfrytëzon koston e ulët të krahut të punës për të prodhuar mallra që shiten në Europë me marzh fitimi minimal për Shqipërinë. Pra, në një kuptim të përafërt me atë që na jep Luhmann, kemi të paktën dy shembuj lidhjesh të suksesshme strukturore Shqipëri-Europë. Të dyja, jo edhe aq të përshtatshme për ne.
A është i interesuar sistemi politiko-ekonomik shqiptar të integrohet realisht në sistemin europian? A kemi ne interes për sinergji substanciale, përtej bashkëpunimit të shkëlqyer në fasoneri dhe bashkëveprimit efektiv në krim? Përgjigjja është: po dhe jo. Po, në nivelin e diskurit publik. Çdo politikan shqiptar që do thoshte se s’na intereson Europa, do të kryente vetëvrasje politike. Pra po, jemi të interesuar, në nivelin e korrektesës politike. Si çdo vend tjetër, Shqipëria krijon dhe riprodhon auto-narrativën e vet. Në këtë auto-narrativë përfshihet përshkrimi i BE. Europa akuzohet prej nesh se “nuk i interesojmë”. Europën e perceptojmë si tejet të madhe, të zhvilluar, të komplikuar, amorfe, e cila duket pikërisht si e ardhmja: e paqartë.
Ndër shqiptarët ekziston shpresa se, në një mënyrë apo në një tjetër, BE do t’i ndihmojë. Nga ana tjetër, shumë prej tyre e shohin shtetin e tyre si një shtet të dështuar. Një shtet të gjunjëzuar përballë korrupsionit, varfërisë, poshtërsisë, propagandës, politikës së ditës. Nëse marrim të dyja anët e sistemit binar Europë–Shqipëri, duket qartë se lidhja midis një “diçkaje të madhe, të pasur, komplekse, të painteresuar” nga njëra anë, dhe “diçkaje të vogël, të varfër, tribale, të dështuar”, s’mund të jetë veçse problematike.
Ndoshta sot marrim si të mirëqenë tezën se lëvizja e lirë e kapitalit nuk mund të bllokohet nga delegacione të dobëta parlamentare, nga qeveritarë jokompetentë, nga doganierë të pakrehur, apo nga kufij shtetesh. Në teori, dobësitë e shteteve nuk e bllokojnë lëvizjen e kapitalit global në depërtimin e tregut. Në praktikë, ato e kufizojnë atë. E dëmtojnë atë. E deformojnë atë. E “rilindin” atë sipas formës dhe imazhit të tyre.
Nëse duam ta shohim Shqipërinë të fillojë përshtatjen reale ndaj BE-së, duke pranuar pozitivisht BE-në si mjedisin e saj të jashtëm, atëherë duhet të kemi të qartë se shoqëria shqiptare duhet që fillimisht të perceptojë një “interes real” për të bërë diçka të tillë. Mbi të gjitha, ajo duhet ta ndjejë veten të aftë dhe të zonjën ta ndjekë dhe ta realizojë interesin e saj. Në të kundërt, ajo që do të marrim do jetë vetëm frustrimi i radhës. Kësisoj do t’u ekspozohemi më tej grushteve të euroskeptikëve konservatorë apo majtistë europianë, si dhe shuplakave të euroskeptikëve tanë prodhim vendi. Goditjet do të na vijnë nga të gjitha anët.
Ndoshta ajo që duan shqiptarët është të paktën një nivel reciprociteti me BE. Ajo që shpesh na ofrohet është një diskurs i zbrazët kondicionaliteti që shumica prej nesh nuk e kupton. Shqiptarët përballen me kushte pas kushtesh, gjithmonë e më teknike, gjithnjë e më burokratike, kushte të cilat alternohen me valë të befasishme lëshimesh “politike”. Si shqiptarë, ne nuk qenkemi të aftë të “meritojmë” ndonjë gjë, gjithçka që mund të shpresojmë janë “lëshimet” e radhës. Lëshimet na bëhen si një favor politik. Ato na mohohen politikisht, për shkak të situatës politike në vendet anëtare. Kjo marrëdhënie është disfunksionale. Është koha për të vepruar, që situata të ndryshojë.
Por, si mund të vijë ndryshimi?
Është e qartë që marrëdhënia jonë me BE-në nuk mund të jetë simetrike. Shqipërisë do t’i duhet të ndryshojë shumë nga brenda, që të mund të fillojë të afrohet me BE. Por ky afrim duhet të ketë kuptim në logjikën e vetë shoqërisë shqiptare, para se të mund të flasim për përshtatje strukturore. Me fjalë të tjera, ne duhet ta shtyjmë veten të interesohemi në nivel shoqëror për Bashkimin Europian. Duhet të gjejmë mënyrat për ta bërë këtë. Nga ana tjetër e medaljes, vetë BE duhet të jetë në gjendje të absorbojë më shumë Shqipëri reale, Shqipëri të vërtetë, çka duket se në disa raste nuk arrin ta bëjë. Europianët duhet të jenë në gjendje të analizojnë siç duhet edhe një realitet të vogël, si Shqipëria, në mënyrë që të jenë të efektshëm në absorbimin e saj. Morali i tepërt nuk ndihmon analizën.
Në përmbyllje, dëshiroj t’i kthehem edhe njëherë titullit “Për një metabolizëm europian”. Metabolizëm do të thotë krijim, zbërthim, absorbim. A do të munden shqiptarët të metabolizojnë Acquis-in europian, institucionet europiane, marrëdhëniet tregtare, pluralitetet, konkurrencat, aleancat funksionale, pabarazitë europiane? A do të mundet BE të metabolizojë shoqërinë shqiptare, institucionet, traditat, ekonominë, mangësitë strukturore, traumat e saj? Traumat dhe mangësitë e veta?
Sfida është kjo. Ajo na vjen e paketuar me një kondicionalitet tipik europian: nëse Europa nuk e mbështet Shqipërinë ta kërkojë prej së brendshmi bashkimin me të, ajo do marrë atë që meriton: ose Shqipërinë jashtë Europës, ose një Shqipëri që realisht nuk e meriton të jetë pjesë e saj. Nëse, nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë ta shohim Europën si një ëndërr të mjegullt, atëherë ajo që do të marrim nga Europa do të jetë pikërisht kjo – një ëndërr e mjegullt.
Pika fillestare, sine qua non, për të zgjidhur ngërçin e dy sistemeve auto-referenciale që nuk bashkëveprojnë natyrshëm me njëri-tjetrin është komunikimi real. Zgjidhja burokratike e problemit është ndërtimi i qendrave të komunikimit. Kohët e fundit BE ka ngritur dhe pajisur një Qendër të Komunikimit Europian në mes të lagjes më luksoze të Tiranës. Qendra mban një logo kolosale me flamurin europian që e vesh plotësisht fasadën e saj. Sipas meje, kjo nuk është mënyra e duhur për t’i komunikuar Bashkimin Europian Shqipërisë.
*Fjala e mbajtur në Osteuropa Forum














