Nga Ilir VATA
Ekspozeja e sistemit të drejtësisë është rrëqethëse, pasi pjesë e këtij sistemi janë njerëz të paaftë, të pashkollë, të inkriminuar me diktaturën dhe krimet e saj, të inkriminuar me korrupsionin. I vetmi produkt që mbolli drejtësia është korrupsioni masiv “shkolla e re e drejtësisë shqiptare”. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë të gjejmë mekanizmin pse e drejta nuk funksionon në Shqipëri? Vullnet i kujt nuk është aktiv? E drejta është shenjtëruar nga zoti, pasi rregullat e para udhëzohen nga fjalët e shenjta e më vonë shekuj më parë popujt ushtruan pushtetin e tyre në forma të ndryshme derisa datojnë dhe të drejtat zakonore si e drejta romake apo në rastin tonë e drejta Ilire e kësisoj në të drejtën zakonore shqiptare që në rrugëtimin e saj nuk ka një fillesë të mirëfilltë, por ka një jetë të kodifikuar më shumë se 600 vjet.
Kjo përpjekje shekullore e kombeve dhe e shqiptarëve në veçanti ka qenë një sakrificë sublime, por për shqiptarët e trishtë, pasi për vetë historinë e trishtë që ka Shqipëria, legjislacioni në kohë dhe legjislacione të ndryshme janë orvatur e kanë zënë rrënjë në të drejtën shqiptare, sa sot kemi një legjislacion të ndërthurur e gati hibrid e që kohët e fundit është anuar nga familja evropiane e kryesisht italiane.
Në këtë kontekst, larmia e legjislacioneve ka përmirësuar vetë të drejtën shqiptare madje e rendit atë si normë juridike në tërësi, si një e drejtë perëndimore dhe krahasuese me vendet e tjera perëndimore. Në sfondin historik e drejta zakonore shqiptare jo se është kokëfortë, por në shekuj ka mbijetuar përballë asimilimit, madje që në kohën e Bizantit kur trojet shqiptare ranë nën sundimin e perandorisë, bashkë me të drejtën bizantine ishte në pozitë dhe e drejta zakonore shqiptare. Kështu, ndër shekuj pushtime të tjera si ato osmane ngërdheshën të drejtën zakonore shqiptare me të drejtën otomane, sheriatin por sërish pushteti juridik ndërshqiptar ishte e drejta zakonore. Pushtues të rinj e shkolla të reja juridike, e sërish e drejta zakonore shqiptare arriti të jetë zot i së drejtës për shqiptarët, madje dhe sot pas një periudhe qindravjeçare ajo shërben si burim kryesor dhe në të drejtën shqiptare në pozitë sepse është një e drejtë që ka baza dhe mundet të përmirësohet, përshtatet dhe të jetë funksionale.
Pra, shqiptarët kanë institucionin e tyre të së drejtës përsa i përket burimit kryesor dhe format e së drejtës janë përmirësuar ndjeshëm, kur në legjislacionin shqiptar, në kohën e Mbretit Zog zuri vend e drejta që u njësua nga “kodi i Napolonit” dhe e drejta perëndimore. Në periudhën e mëvonshme, e drejta ruse zuri vend e kryesisht në diktaturë, sa dhe sot Kodi ynë Penal dhe e drejta në tërësi në rrugëtimin e saj është miksuar mes shkollave të ndryshme të së drejtës.
Por ajo që na bën të shqetësohemi është fakti, pse nuk funksionon e drejta në Shqipëri, kur ajo ka traditë, ka rrënjë, ka pjesë të legjislacionit autokton, ndërthuret në kohë të ndryshme me shkolla të ndryshme? Por e drejta ashtu siç kërkon vullnet të individit apo institucionit që të marrë jetë, kërkon dhe institucionin e vënies në lëvizje të së drejtës në tërësi, duke u orientuar te parimet kryesore siç është në rastin tonë Kushtetuta. Institucionet e ushtrimit të së drejtës janë hallka e mos ushtrimi të së drejtës shqiptare, pasi ata janë të paafta në tërësi, të implikuara me politizimin e së drejtës për interesa palësh apo grupesh shoqërore, për arsye korruptive dhe për shkak të injorancës së thellë që zotëron në këtë sistem. Roli i shtetit në këtë mes, zbehet pasi ai është një gamë më e gjerë se sa e drejta, ndonëse kjo e fundit është thelbi i një shteti demokratik kur kemi parasysh Shtetin e së Drejtës, për të cilin pretendojmë ta kemi udhërrëfyes. Por dhe nuk mund të përjashtohet Shteti nga përgjegjësia për mos ushtrimin e së drejtës. Madje ai është përgjegjës në kuptimin e madh sepse ka dhe çelësin institucional për të vënë në lëvizje institucionin e së drejtës, pasi zotëron çelësin e ligjbërjes nëpërmjet demokracisë së përfaqësuar.
Në këtë kuptim, shteti i vjen në ndihme mosfunksionimit të së drejtës jo vetëm nga mungesa e vullnetit, por se në tërësi ai është një faqe ku pasqyrohet e drejta. Pra, nëse themi se kemi një shteti hibrid, patjetër mund të themi se drejtësia është e tillë vetëm në kuptimin institucional se në parim ata janë institucione të ndryshme, pasi e drejta në tërësi ka larminë e saj dhe mundet të jetë e kushtëzuar në llojin e saj. Kurse Shteti është hibrid kur ai nuk përfaqëson asnjë model të llojit të shtetit, pra vjen nga humbja e konturit politik, rregullave, respektimit të së drejtës në tërësi, pra kur nuk funksionon dhe për këtë është përgjegjës!
Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë të gjejmë mekanizmin, pse e drejta nuk funksionon në Shqipëri? Vullneti i kujt nuk është aktiv? Se kur shikon të drejtën shqiptare si normë juridike në tërësi apo si legjislacion dhe vendet më të zhvilluara bëhen ziliqare, sigurisht që ka nevojë për përmirësim, por ajo është në ditët e saj më të mira, por kur shikon sesi funksionon ajo, zëre se nuk është egzistente, madje bëhet aq primitive sa pushtetin e saj e ushtron në mënyrë të njëanshme me shpërblim, duke u bërë pjesë e një bastardimi që nuk ka të krahasuar.
Vetëm këto 23 vite sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka prodhuar aq shumë padrejtësi sa dhe diktatura nuk mund të krahasohet me të, ndonëse mori jetë njerëzish. Kurse e drejta e post diktaturës dhe sistemi i drejtësisë ka mbjellë padrejtësi sa do të duhen dekada të rikuperohen. Ekspozeja e sistemit të drejtësisë është rrënqethëse, pasi pjesë e këtij sistemi janë njerëz të paaftë, të pashkollë, të inkriminuar me diktaturën dhe krimet e saj të inkriminuar me korrupsionin. I vetmi produkt që mbolli drejtësia është korrupsioni masiv “shkolla e re e drejtësisë shqiptare”.
















