Burhan Seferi
Ende pa filluar, e dijë se do të hasi në paragjykime të ashpra nga tifozët e anës së majtë dhe anës së djathtë. Por, kritikat janë të mirë se ardhura, sepse ato vetëm se e përmirësojnë mendimin dhe konkludimin e dikujt. Thuhet se pa kritikë, nuk mund të kemi një shoqëri të shëndoshë.
Situata në Lindjen e Mesme çdo ditë e më shumë po përkeqësohet. Fuqitë botërore, përderisa vazhdojnë sulmet ajrore dhe ato “tokësore” (duke i ndihmuar PKK-së terroriste), organizata të ndryshme terroriste vetëm se po “mbijnë edhe më shumë”. Një organizatë shpallet në Gaza, tjetra në Jordani, tjetra në Libi, Tunizi dhe vende tjera. Ajo që i dallon këto organizata prej organizatave në të kaluarën, është se, për dallim nga të kaluarat që i jepnin një përkrahje shpirtërore krerëve të Al-Kaidës, këto këmbëngulin që këtë përkrahje ta gëzojë kreu i ISIS-it, Abu Bakr al-Bagdadi.
Asnjëherë nuk do mundet të jepet një konkludim se kundër kujt po luftohet? Pas ngjarjeve në Kobane, shumë analistë dhe ekspertë luftarak që kritikojnë politikën amerikane në Lindjen e Mesme, kanë parashtruar pyetje që meritojnë të meditohet:
Sikur presidenti sirian, Bashar al-Assad ta kishte okupuar Kobanen, a do ishin ndihmuar kurdët nga perëndimi?
Organizata kurde PKK, në vitin 1997 është shpallur si organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit, a meritojnë që të ndihmohen terroristët kundër terroristëve, duke e ditur se SHBA-të munden që ta humbasin një aleat të fuqishëm siç është Turqia, e cila ka kritikuar ashpër këtë?
A është ky një sulm për t’i mbrojtur interesat e SHBA-ve në Lindjen e Mesme apo është thjeshtë një sulm kundër terroristëve, e nëse pretendohet se është kundër terroristëve që vrasin civil të pafajshëm, pse iu dha përparësi ISIS-it para regjimit sirian, i cili ka vrarë mbi 200.000 gra, pleq, fëmijë dhe burra të pafajshëm?
Pyetjet do vazhdojnë, por përgjigjet vështirë së do fitohen.
Se historikisht arabët janë ballafaquar me padrejtësitë e shteteve perëndimore, nuk e mohon askush, njëjtë sikur që u ka ndodhur shqiptarëve. Janë “vizatuar” kufij me vizore, ashtu siç i ka konvenuar dikujt, për diçka.
Sulmet ajrore që vazhdojnë t’i sulmojnë bazat e ISIS-it, nuk sollën diçka të re, përkundrazi, përderisa kanë vazhduar sulmet, ISIS vazhdon të okupojë territore dhe rafineri të reja, të fundit, janë rafineritë e gazit “Hayyan” dhe “Hajer”, me të cilat, regjimi sirian në të kaluarën është mburrur.
Okupimi i territoreve ka vazhduar edhe në Irak, vrasjet e sunitëve që bashkëpunojnë me qeverinë irakiane janë top temë në çdo gazetë dhe portal, provincat e Anbarit tanimë janë nën kontroll të tyre. Përderisa e shkruaj këtë shkrim, raportohet se janë sulmuar disa provinca në Iran.
Gjatë festës së “Ashurës”, shiitët në Arabinë Saudite janë sulmuar nga përkrahësit e ISIS-it, duke i lënë disa të vdekur dhe shumë të plagosur, në Bahrein dhe Jordani është shumëfishuar përkrahja e tyre, Mosuli i Irakut është shndërruar në një bazë ushtarake ku në urat e qytetit ushtrojnë xhihadistët e rinj.
Sipas Washington Post, numri i terroristëve që i janë bashkëngjitur ISIS-it vetëm muajt e fundit, numëron 15.000 xhihadistë.
E gjithë kjo duhet të analizohet seriozisht dhe mos të lihet “anësh” për t’i mbrojtur politikat e jashtme të ndonjë shteti, apo për ta mbrojtur fronin e ndonjë mbreti zullumqarë, siç është ai i Arabisë Saudite.
Muajve të fundit kam menduar thellë për një opsion më të mirë për Lindjen e Mesme, edhe pse këtë opsion, nuk jam i pari që e them, por as i fundi që do ta them.
Duke e pasur parasysh “këmbëngulësinë” dhe rrezikshmërinë e ISIS-it dhe duke e pasur parasysh fuqinë dhe politikën e SHBA-së dhe aleatët e saj, them se opsioni më i mirë është të negociohet me terroristët. Këtë e thotë edhe Michael Tomasky, një kolumnist liberal amerikan në një shkrim “We Should Negotiate With Terrorists. We Always Have”.
I pari që e ka thënë sloganin e kotë “Ne nuk negociojmë me terroristët”, është ish-presidenti amerikan, George W. Bush, i cili edhe pse e ka pasur si rregull, disa herë e ka thyer. Mu ai, gjatë një marrëveshjeje me xhihadistët e Filipinës, ka paguar 300.000$ për t’i liruar dy misionarë amerikan.
Në botë, negociatat me terroristët nuk janë diçka e re.
Ish presidenti rus, Boris Jelcin, ka negociuar me terroristët çeçen, duke i pranuar në zyrën e tij.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka negociuar me talibanët për shkëmbimin e të burgosurve, ku për një zyrtarë të lartë amerikan, administrata e Obamës liroi pesë taliban të burgosur prej burgut famëkeq të Guantanamo Bay.
Presidenti i Jemenit, Abdullah Saleh, i cili është i njohur si president që ka punuar nën urdhrat e SHBA-së, ka negociuar me organizatën xhihadiste “Ansar al-Shariah”, këtë e ka pranuar edhe myftiu i grupit, Ibrahim Ar-Rubaish në një deklaratë për myslimanët në Jemen.
Qeveria e Filipinës, tanimë i ka përfunduar negociatat me organizatën terroriste të “Abu Sayyafit”, duke u dhënë disa ishuj që të sundohen nga ata, duke deklaruar se tanimë luftës dhe gjakderdhjes në Filipinë i erdhi fundi.
Presidenti i Somalisë, Ahmed Sherif i cili është i legjitimuar nga administrata e Barak Obamës, disa herë ka shprehur gatishmëri për të negociuar me organizatën terroriste “Shabaab al-Muxhahidin”.
Qeveria e re libiane, pas rrëzimit të presidentit Moamer Gaddafi, ka negociuar me grupet xhihadiste për t’i lënë të lirë që të funksionojnë në disa qytete, siç është Benghazi.
Tanimë e kemi edhe një negociatë të re, ku SHBA-të të cilat e kanë shpallur si organizatë terroriste PKK-në, negociojnë kundër ISIS-it, siç edhe njihet motoja se “armiku i armikut tim është miku im”.
Nëse e duam paqen, duhet të bëhet hapi i parë për paqe. Në këtë luftë, SHBA-të janë të futura në luftë prej dy fuqive tjera: izraelite dhe ato të mbretërve arab. Izraelit nuk i konvenon që të rrëzohet Bashar al-Assadi, sepse pastaj rrezikohet shteti i tyre, ndërsa mbretërve arab nuk u konvenon zgjerimi i territoreve të ISIS-it, sepse do të rrezikohen fronet e tyre.
Opsioni më i mirë për Lindjen e Mesme, janë negociatat, na pëlqejnë neve ose jo. Ky është një realitet i hidhur që duhet të përtypet.
Arsyetimet e kota se ata vrasin civil, dhunojnë gra, rekrutojnë fëmijë, në këtë botë që është shndërruar si një fshat, falë botës virtuale, nuk do ta mashtrojnë askënd. Regjimi sirian, irakian, saudit, i Koresë së veriut, kinez, egjiptian, Afrikës Qendrore, Kashmirit, Myanmar dhe regjime të tjera janë të njohura për këto krime, e bota as që ka intervenuar për tu dhënë fund.
Në Afrikën Qendrore, ekstremistët të krishterë ushqehen me mishin e myslimanëve.
Në Kashmir, ekstremistët budist vrasin fëmijë të vegjël të myslimanëve.
Në Burma (Myanmar), qeveria vret civil të pafajshëm që përkatësohen në fenë Islame.
T’i lëmë ëndrrat, ta bëjmë hapin e parë. Botës i nevojitet e paqe, e paqja arrihet vetëm nëse jemi të interesuar për të, e nëse nuk jemi të interesuar atëherë të mos proklamojmë slogane të kota.
Ronald Reagan thotë: “Paqja nuk do të thotë mungesë e konfliktit, por aftësia për ta trajtuar konfliktin me mjete paqësore”.
















