Nga Alfred Lela
Nuk kam njohje me Alba Malltezin. As edhe një përshëndetje. Di që punon te shqiptarja.com, ku ka një kolumnë që e quan ‘Periferi’ dhe që është e shoqja e një gazetari italian, sipërmarrës mediatik në Shqipëri që prej vitit 1991, Karlo Bolinos. Nuk frekuentojmë të njëjtat qarqe mediatike apo kulturore dhe, besoj, nuk ndajmë të njëjtat ide politike.
Kisha një ide të vagullt për pamjen e saj të jashtme, të tillë, sa as e kuptova që ishte ajo kur mu duke s’e e pashë, një të diel paradite, para një jave, në hollin e një hoteli në Dardhë të Korçës. Më shtynë t’i lexoj një shkrim dy ditë më pas, të cilin e kish titulluar ‘Tradhtia e Dardhës’, frymëzuar, me sa kuptova, nga ajo paradite fatkeqe (për të) në holl.
Pavarësisht këtyre dasive apo mosnjohjeve, që më kanë detyruar ta ‘dënoj me mosqenie’ Albën, nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Siç nuk mund të jetë as e kundërta: që unë të mos ekzistoj se Alba dëshiron kështu. Duam s’duam, na lidh profesioni, qyteti, gjuha. Qoftë edhe mungesa e ujit, dritave apo parqeve.
Shkrimi i Albës te sajti i vet më bëri të kuptoj megjithatë se Alba dëshiron apo kërkon që mua, dhe nja 30 vetë të tjerë, të mos na lidhte asgjë me të. Madje as Shqipëria. Pra, të na zhbinte e zhbënte me gjithsejt.
Zorrën qorre të kësaj dëshire nxirrte Alba te ‘Tradhtia e Dardhës’. Aty fliste, ndoshta pa u menduar, ose pa e zotëruar fakultetin e të menduarit, për gërdinë që i shkaktonte Rrethi Liberal i Dardhës, një nismë e FLE që mblidhej atje për herë të dytë. Një aktivitet privat, me para private, nën sipërmarrje e vullnet privat, të një grupi njerëzish që kanë ose jo lidhje me Universitetin Europian të Tiranës. Ndër ta, edhe unë. Nuk e di si janë ndjerë të tjerët, keq ma merr mendja, por për vete u kaplova nga parehatia e një të ‘dënuari me mosqenie’.
Shkrimi më rifreskoi edhe portretin e së dielës paradite zhytur në një nga kolltukët e hollit të hotelit në Dardhë. Paskërkësh qenë Alba Malltezi, gruaja në fytyrën e së cilës lodronte hija e pabesë e një parehatie.
Kthehemi nga kujtimi i një surrati te teksti i një deformimi, keqkuptimi i të cilit, si hardhucë, rrëshqiste nëpër fjalë pa bërë dëm, por duke shkaktuar krupë. Pas një tirade për paratë e marra me kredi (kujtohuni: kredia është një akt kapitalist-Enver) të shkatërruesit njëherë-e –përgjithmonë, të Shqipërisë, Henri Çilit, Alba me hjekat e një shpirti që kërkon të dalë prej marazi, por jo pa marrë me vete ç’të mundet, sikletosej nga qenia e 30 njerëzve që shihte në Dardhë.
Poshtërsia këtu fillonte. Te fraza ‘mos na e ndotni Dardhën…’. E përkthyer: mos shkelni në Dardhë (lexo: Bllokun tonë malor)! Alba bëhej kështu segregacionistja që ‘zezakët’ i do në shkollë më vete, autobus më vete, kishë më vete, shkurt në një geto. Pra, robëri, centralizim, autokraci. Pak a shumë si në kohë të Enverit. (A e do Enverin Alba? Më shumë se Karlon?)
Paradoksi është se ‘zezakët’, përfshirë edhe ish-këshilltarin e Thatcher-it, David Frost, ishin mbledhur në Dardhë bash për të kundërtën e kësaj ideje: për lirinë. Lirinë, e cila sipas liberalëve të çon tek e vërteta, apo të vërtetën që sipas konservatorëve, të çon te liria. Për rendin spontan të gjërave, sipas Hayeck-ut.
Po idetë e Albës, cilat janë? Një grua pa tekst është një grua pa ide, do të ishte një përfundim i parë dhe cinik të cilin, sa më takon, nuk guxoj ta arrij. Shqetësimet e saj, që nuk mund të klasifikohen si ide, sepse shqetësimet janë primordiale, i kanë edhe zogjtë të cilët, për një shqetësim shtegtojnë, sillen rreth kulturës ojq-iste. Ka aty pak merak për çështjet e grave, pak brerje mjedisore, aroma e ndonjë recete gatimi, shenja udhëtimesh. Me pak fjalë, një gjysmë shtëpiake e lumtur shartuar me një gjysmë gazetare të shqetësuar.
Ne u mblodhëm në Dardhë për idetë tona (dhe për qejfin tonë po deshe), jo të Albës. Ndoshta Alba ka në kokë një ‘luftë markash’ apo lobesh, por nuk ka ndershmërinë intelektuale ta thotë. Ndërton te Henri Çili dhe njerëzit e atij rrethi rivalitetin për hatrin dhe paradhomën e pushtetit. Nuk ka shqetësim Shqipërinë, por atë që mund ose mund të mos marrë i shoqi, Karloja, nga pushteti. Shqipëria për Albën është ‘Ferma e kafshëve’, ku disa janë më të barabartë dhe më të lirë se të tjerët. Nëse këta disa nuk janë ajo dhe Karloja, të tjerët janë të këqijtë ndotës.
Ky është ‘Operacioni Alba’, një hile që kërkon të paraqitet si virtyt. Ashtu siç margarina kërkon të jetë gjalp.
Kush nuk e mban mend margarinën, që jepej me detyrim bashkë me racionin e vajit në kohën e ‘ndihmës së popullit italian për popullin shqiptar’, Operacionit Alba, në vitin 1991?!
Atëherë, në uri e sipër, e morëm margarinën bashkë me Karlon. Përzierja e tyre ka prodhuar, me sa duket, Albën.
‘Njeriu i ri’ i tranzicionit nuk ka brirë.
















