“Halil Matoshi është një fashist i pavetëdijshëm, prandaj i pafajshëm” – është teza përmbyllëse e Blerim Latifit nga e cila më vjen të vjell – sepse isha viktimë e fashizmit dhe jam i dëshmuar me shkrimet dhe analizat e mia nga prizmi i një mendimi liberal, tash e tre dekada.
Blerim Latifi në kundërreagimin e tij nuk ka bërë asgjë më shumë vetëm se i ka përsëdytë “gjetjet” e tij për kinse-fashizmin tim.
Dhe natyrisht i ka thelluar spekulimet e tij teorike dhe retorike, por që nuk i rrëzojnë tezat e mia themelore.
Unë nuk e kam akuzuar Latifin pse është këshilltar politik i Kryeministrit dhe qasja ime nuk e pati poenten tek ky fakt, porse çuditërisht reagimi i tij erdhi i ndërlidhur me “debatin” tim me këtë mendësi turmash, prandaj edhe ishte shqetësues për mua.
Natyrisht se nuk vë shenja barazimi mes Latifit që mendon dhe di të shkruajë dhe përfaqësuesve më tipik të turmave.
E para: Ai më cilëson stalinist përse ia them një të vërtet se si këshilltar i Kryeministrit nuk është dashur – jo sëpaku në momentumin e dhënë – kur ish komandantë të luftës përmes bashkëdyzimit me turmat dhe tifozeritë ultrafashiste, përmes përligjjes së gjyqit të turmave, mësyjnë linçimin tim publik.
Ndërlidhja e shkrimit të tij me mendësinë e turmave del në pah me faktin se pikërisht togfjalëshi im “patriotizëm kushtetues”, të cilin e zbërthen Latifi, kishte të bënte me Remin dhe Selimin, unë sapo kisha deklaruar se ndihem patriot kushtetues, ndaj patriotizmit të tyre arkaik, të shekullt 19.
E dyta: Unë e kam përdor sintagmen “patriotizëm kushtetues” në kuptimin që e përdor Habermas, kur i referohet BE-së si shtëpi e përbashkët e evropianëve, të cilët secilën ditë harrojnë ngapak se kush janë dhe nga vijnë për ta zëvendësuar ndjenjën e nacionalizmit dhe prejardhjes etnike me vlerat e përbashkëta europiane. (Shih tek “Perëndimi i përçarë” në kontekst të konstitucionalizimit të së drejtvs ndrkombëtare dhe shih definicionin shkollor tek linku: http://en.wikipedia.org/wiki/Constitutional_patriotism.}
Sipas definimit të Wikipedias, Patriotizmi Kushtetuese (Verfassungspatriotismus) është një koncept që ndërlidhet me filozofin gjerman Jürgen Habermas, edhe pse koncepti ka origjinën nga dijetari politik Dolf Sternberger. Termi i referohet një situate ku një individ apo grup ndjen një afinitet politik për normat, vlerat, dhe në mënyrë indirekte, procedurat e një kushtetutë liberale demokratike. [Müller, Jan-Werner. “Constitutional Patriotism”. Foreign Polcy (May/June.]
Habermas e ka përdorur atë për herë të parë tek gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung të 23 Maj 1979 – Dita e kushtetutës gjermane (Ligji themeltar.) Ky koncept është bërë një pjesë e rëndësishme e teorive postnacionaliste dhe ka qenë me ndikim në zhvillimin e Bashkimit Evropian [Lacroix, Justine (2002). “For a European constitutional patriotism”. Political Studies 50 (5): 944–958. doi:10.1111/1467-9248.00402.] dhe është konsideruar si një cilësi e rëndësishme e europianizimit. (…)
Sipas parimit të patriotizmit kushtetues habermasian, shtetësia shpesh mbështetet në një kuptim të vlerave të përbashkëta, në vend se të mbështetet në një histori të përbashkët, ose te prejardhja etnike e përbashkët.
Mua nuk më ka interesuar të thellohem në historinë e këtij nocioni, që Latifi e shpie më tej.
Fundja, unë nuk po bëja studim, por reagim gazete.
Latifi, në këtë vazhdë nuk ka pse shqetësohet për mundësinë e shpartallimit të BE-së, ngase s’paskësh mundur dot të miratojë një Kushtetutë unike, sepse mendësia e tillë që moti e pati shpallur të vdekur BE-në, sidomos me rastin e përplasjeve me Britaninë e madhe, krizën greke dhe mbi të gjitha referendumet në Skoci dhe Kataloni, por ja që BE-ja u konsolidua pikërisht në Edinburg dhe në Barcelonë dhe pikërisht duke mbizotëruar koncepti i “patriotizmit kushtetues” e jo ndjenjat nacionaliste dhe etnike.
“Unë e kam quajtur Matoshin një publicist stalinist, ngase i kërkon nacionalizmit shqiptar të bëjë autokritikën e Shqipërisë së Madhe, njësoj si Stalini u kërkonte viktimave të tij të pranonin fajet të cilat ata në realitet nuk i kishin bërë.” – Shkruan Latifi pa iu dridhur dora, paçka se unë nuk u kam kërkuar askujt të bëjë autokritikën, unë thjesht e kam shprehur mendimin tim për këtë çështje. “Shqipëria e Madhe” ju qoftë falë juve – unë mendoj ndryshe.
Kaq ishte z. Latifi.
Porse shqiptarët edhe të bënin “autokritikën latifiane” s’do ishte gjë e shëmtuar, sepse një kreaturë e tillë “Shiqpëria e madhe” ka qenë një fakt i shëmtuar historik, pra e jetësuar gjatë fashizmit italian, 1941-1943.
Dhe këtij fakti të dhimbshëm i shmanget me lehtësi të padurueshme Latifi.
Stalinistët e jo unë u ikin fakteve historike, e bastisin historinë ose i shtrembërojnë ato dhe i interpretojnë sipas fytyrë së regjjimit, stigmatizojnë të tjerët për ta shpallur veten profet! Të pavdekshëm mbi këtë dhe!
“Ti vuan nga teoritë e komplotit” më thotë ai pa iu dridhur çerpiku, përderisa unë jam viktimë e drejtëpërdrejtë e komunizmit (i burgopsur për cenim të rendit kushtetues jugosllav më 1990), i arrestuar më 1991 dhe 1994, nga forcat e sigurisë së Serbisë dhe i mbajtur në kamp përqëndrimi në Serbi (një vit 1999 -2000) nga fashizmi serb dhe i akuzuar për terrorizëm. I ndjekur, kërcënuar nga eksponentë të partisë në pushtet dhe shkelës të rinj të lirive të njeriut në kontinuitet, madje edhe i sulmuar në rrugë nga po këta eksponentë. E miku im, filozofi Latifi më cilëson se vuaj nga teoritë e komplotit. Farkëtuese e cilësimit të tillë, si “Vuan nga teoritë e komplotit, është paranojak etj.” z.Latifi është organizata e fshehtë, e afërt me PDK-në, SHIK.
Këtë fakt duhet ta dish.
Sa për snobizmin tim, s’dua fare të merrem me konstruktet e Latifit, sepse është e drejtë imja të mendoj ndryshe, të bëj atë “shkëputjen brilante” nga njëmendësia ballkanike, por nuk e bëj këtë që të dukem më “katolik se Papa”, porse e bëj se i përkas mendësisë liberale perëndimore dhe besoj te vlerat e përbashkëta europiane.
E që me “Patriotizëm ligjor” ua tejkaluakam edhe britanikëve që identifikohen me sundimin e ligjit (rule of law) kjo më bë nder dhe më shquan.
E treta: Z.Latifi unë e kam thënë një mendim timin për nacionalizmi shqiptar, i kam thënë dy tre fjali për të, porse nuk e kam sharë me kurrfarë entuziazmi, (bile nuk më shquan entuziazmi fare kur merrem me çështje shqiptarësh).
E kam thënë atë qe e mendoj, e për çka mund të diskutojmë së bashku me Latifin. Derisa serbët ushqejnë nacionalizëm institucional ekspannsionist dhe egalitar – ku marrin pjesë njëjtë si kryepeshkopi dhe kryeministri, shefi i ushtrisë dhe polici, fshatari dhe anëtari i partisë deri tek lideri – Vozhdi – pra është fashizëm koncesual.
Dhe si reaksion ndaj tij shfaqet nacionalizmi shqiptar, që është defanziv dhe që i përket konstitucionalizmit shpirtëror, prandaj është folklorik dhe fshatar. (Latifit ia kam dërguar dhe vegëzen ku mund të shihte dhe të dëgjonte vetë një shembull më tipik se si manifestohet ky nacionalizëm evokues në një odë fshati. Pra, këtë mendim timin e kam faktizuar. Sëkëndejmi, i pari (nacionalizmi serb), godet (sipas modelit të Pogromit (ndodhi me furrat e bukës në pronësi të shqiptarëve në tokën serbe) kurse i dyti, ai shqiptar evokon, duke vizatuar harta mentale me bazë në folklor, në këngët folklorike diku në fshat. Shqiptarët janë nacionalistë reaktivë dhe spontanë (pa doktrinë të qartë nacionaliste), porse kjo nuk dmth. se nacionalizmi i tyre është në rënie.
Të jesh nacionalist sot dmth, të shfaqesh me simptomën e një patologjie shoqërore. Nacionalizmi poashtu është kiç dhe ai mësynë përjashtë (një armik) po nëse ai armik dikur tretet dikah, nacionalizmi shpërthen nga brenda (ai e përjashton tjetrin, qoftë edhe bashkëqytetar e bashkëpatriot, pra është jotolerant.)
Pasi që ka një fuqi të madhe evokuese, rrëshqitja nga nacionalizmi në fashizëm është fare i lehtë. Prandaj e kritikoj nacionalizmin shqiptar.
Kaq.
Pikëpamja ime për një shtet estetik Z. Latifi ashiqare nuk përkon me zbërthimin që ia bën kësaj sintagme Latifi.
Sepse e kam përdor këtë sintagmë vetëm si metaforë, për ta shenjuar një ideal, qoftë edhe romantik, të një vendi ku e hjeshmja, hjeshia shquhen përmbi britmat dhe kakofonitë nacionaliste, dhe ku ndjsia për të bukuren bëhet më e rëndësishme se sa ndjesia për të vëretat e paqortueshme. Pra, këtë sintagmë nuk e kam përdorur në aspektin e doktrinës së Schilerit tek “Cubat” – që Latifi i referohet.
Latifi e di shumë mirë konceptin tim për një Kosovë demokratike e të mirëqenë – ku shquhen vlerat e përbashkëta europiane, për një Kosovë qytetare pa stigmë dhe frikë ndaj tjetrit/tjetrës. Mendoj se nacionalizmi është në rend të parë frikë nga tjetri/tjetra e frika shpie rëndom në dhunë.
“Halil Matoshi është një fashist i pavetëdijshëm, prandaj i pafajshëm” – është teza përmbyllëse e Latifit nga e cila më vjen të vjell – sepse isha viktimë e fashizmit dhe jam i dëshmuar me shkrimet dhe analizat e mia nga prizmi i një mendimi liberal, tash e tre dekada.
E po, me Latifin cok edhe mund të diskutohet, të debatohet – sepse konsideroj unë – demokracia është vetë debati.
Porse për mua këtu merr fund ku debat.
















