XHELAL NEZIRI
E ndjekur nga krizat dhe trazirat e vazhdueshme, Maqedonia gjithnjë e më shumë lë përshtypjen e një shteti që assesi nuk arrin të funksionojë ose të një shteti të dështuar. Konflikti ndëretnik i vitit 2001, ku maqedonasit dhe shqiptarët etnikë ishin në prag të një lufte qytetare, si duket nuk është marrë seriozisht nga politikanët e gjeneratës së re, e cila tani më është faktorizuar në skenën politike të vendit. Nga pesë nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, dokumentit që solli paqen në Maqedoni, të gjallë janë vetëm dy – ish-lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe ish-lideri i VMRO-së Lubço Georgievski. Tre të tjerët – ish-presidenti i shtetit Boris Trajkovski dhe ish-liderët e PDSH-së dhe PPD-së, Arbën Xhaferi dhe Ymer Ymeri, tani më nuk janë në mesin e të gjallëve. Pothuajse e gjithë gjenerata e politikanëve që ishin të involvuar në menaxhhimin e konfliktit tani më janë ndërruar me aktorë të rinj. Të gjallë politikisht nuk janë as dy nënshkruesit e gjallë fizikisht. Gjithçka duket të jetë harruar nga ajo që ndodhi para 14 viteve.
Në vend të ndërtimit të një shteti qytetar, ku të gjithë do të jenë të barabartë me të drejtat dhe detyrimet kundrejt shtetit, kemi një kthim të heshtur të projekteve monoetnike, të cilat thelluan ndarjet dhe vazhdojnë të nxisin një reprizë të vitit 2001, por me përmasa më katastrofale.
Periudha e trazirave dhe luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë solli ridefinim të kufijve në Ballkan. Ky proces i përgjakshëm rezultoi me formimin e shteteve të reja kombe, siç është rasti me Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe të shteteve multietnike – Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.
Maqedonia filloi të imponohet si shembull i funksionimit të një shteti multietnik. U përmend si model i mirë i kohabitimit ndëretnik dhe ndër-religjioz, i cili do të mund të zbatohej në shtetet tjera me një shoqëri të diversifikuar.
Ishte kjo periudha pas konfliktit, kur të gjithë aktorët politikë e kishin të qartë se vetëm fati i ka shpëtuar nga rrëshqitja drejt greminës ose shkatërrimit. Liderët politikë, edhe pse me performanca korruptive, ishin të vetëdijshëm se zgjedhjet e 2002-shit ishin një shans i dytë për karrierën e tyre politike, një mundësi plus për qytetarët që të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe një hapësirë shtesë për zgjidhjen e problemeve me mençuri dhe pa përdorim të dhunës.
Në vitin 2005 vendi mori statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), duke filluar kështu procesin e harmonizimit të sistemit shtetëror me këtë union. Në vitin 2003 Maqedonia ishte pjesë e Grupit të Adriatikut, në të cilin ishin edhe Shqipëria dhe Kroacia, si tre shtete kryesore ballkanike për anëtarësim në NATO. Projeksionet ishin që vendi në vitin 2008 të bëhej anëtare fuqiplote e NATO-s, kurse në vitin 2013 edhe e BE-së. Një hapërim të cilin e përmbushi vetëm Kroacia, e cila në Samitin e Bukureshtit, bashkë me Shqipërinë, mori ftesën e anëtarësimit në NATO, kurse në korrik të vitit 2013 u bë pjesë e BE-së.
Politikat e rrezikshme
Vetoja greke në Bukuresht ishte momenti që paralajmëroi një kthesë më dramatike në Maqedoni. Edhe pse qeveria dhe presidenti i atëhershëm i shtetit kishin pranuar një zgjidhje kompromisi për kontestin 20-vjeçar të emrit me Greqinë (Republic of Macedonia – Skopje), Greqia sërish përdori veton si mekanizëm për bllokimin e Maqedonisë për të marrë ftesë për anëtarësim në aleancën veriatlantike. Kjo veto ishte edhe një demant për presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, George Bush, i cili një ditë më parë deklaroi se nuk ka dyshim që edhe Maqedonia do ta fitojë anëtarësimin.
Që nga viti 2008 qeveria e Maqedonisë vendosi prioritete tjera: ngufatjen dhe zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe thellimin e armiqësisë me Greqinë, duke përvetësuar historinë antike të rajonit. Një politikë e tillë, me performansa monoetnike dhe monoreligjioze, ishte një kthim prapa në historinë e re të Maqedonisë. Një kthim në rrugë, e cila dihet se do të duhet ta kalojë sërish sprovën e 2001-shit. Ose, një rrugë që vendit i garanton vetëm ndarje ose edhe zhbërje.
Mungesa e politikave inkluzive dhe sforcimi i projekteve monoetnike nga ana e qeverisë së Nikolla Gruevskit kanë bërë që vendi sërish të shihet si jostabil. Qeverisja e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së së Ali Ahmetit duket të jetë bazuar vetëm në përmbushjen e disa interesave të bizneseve personale të funksionarëve të këtyre partive. Gruevski dhe Ahmeti e qeverisin vendin që nga viti 2008 dhe nuk mbahet mend ndonjë krizë më e thellë qeveritare. Disa mosmarrëveshje të vogla janë kompensuar dhe zgjidhur në mënyra jotransparente, derisa përplasjet me serioze rezultuan të kenë qenë të kontraktuara me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ku do të thellohej epërsia e VMRO-së qeveritare kundrejt LSDM-së në opozitë. Me një fjalë, Gruevski dhe Ahmeti kanë funksionuar në harmoni të plotë, duke mos pasur asnjë sens për përçarjet që krijohen me politikat dhe projektet etnocentriste të VMRO-DPMNE-së. Që qetësia të jetë ende më e sigurt, lideri i opozitës shqiptare – Menduh Thaçi i PDSH-së, duket të ketë funksionuar po ashtu në harmoni me kryeministrin Gruevski. Kjo gjendje ka shkaktuar dridhje serioze në skenën politike në Maqedoni, me ç’rast faktorë të ndryshëm tentojnë të artikulojnë interesat e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë. Edhe ofertat janë të ndryshme – nga një mbindërtim serioz i Marrëveshjes së Ohrit, me qëllim që të garantohet fryma e saj, e cila e determinon demokracinë konsensuale, e deri te riaktualizimi i referendumit të vitit 1992 dhe jetësimi i projektit të Iliridës, që parasheh një republikë shqiptare në kuadër të Maqedonisë – njëjtë si republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Shpëtimi në NATO dhe BE
Këto politika qeveritare pas Samitit të NATO-s në Bukuresht kanë arritur tre qëllime kryesore: ta zvogëlojnë dukshëm mbështetjen në opinionin maqedonas për integrim në strukturat euro-atlantike, të ngufasin frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe t’i delegjitimojnë faktorët kryesorë politikë te shqiptarët.
Një shtet i tillë, pa respektimin e diversitetit etnik e religjioz si vlerë evropiane dhe pa prioritete të qarta strategjike, duket se e ka lodhur faktorin ndërkombëtar. Samiti i Berlinit, ku u tubuan të gjithë liderët problematikë të Ballkanit, nxori në pah rolin e ri që e merr Shqipëria në Ballkan si shtet model për menaxhimin e diversitetit shoqëror dhe respektimin e saj si vlerë. Për dallim nga Maqedonia, e cila ka shoqëri multietnike dhe multireligjioze, Shqipëria është lavdëruar për politikë të mençur dhe inkluzive në raport me grupet e ndryshme religjioze.
Derisa Maqedonia tani më shihet si një shtet i dështuar, bashkë me BeH dhe Kosovën, Shqipëria favorizohet që qasjen konstruktive dhe politikën e saj inkluzive ta zbatojë edhe në nivel të Ballkanit. Për këtë ka marrë edhe përkrahjen e Berlinit, gjatë takimit me kryeministrat e Ballkanit, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Mungesa e Maqedonisë në rendin e ditës në samitin e fundit të NATO-s, të mbajtur në Uells, flet se kjo lodhje e faktorëve ndërkombëtarë është serioze. Sinjalet e Aleancës janë se vendi ka qenë i përgatitur për anëtarësim para 6 viteve, por kjo nuk do të thotë se kjo ftesë do të mbetet e hapur. NATO-ja po pëson një transformim fondamental si organizatë, gjë që imponon kritere të reja që Maqedonia në mënyrë plotësuese do të duhet t’i plotësojë nëse e dëshiron anëtarësimin.
I fundit sipas rrogës mesatare në rajon dhe i pari me përqindjen e të papunëve, ky shtet i vogël multietnik i rrethuar nga vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, sigurinë e brendshme dhe stabilitetin ekonomik mund ta sigurojë vetëm si anëtare e strukturave euro-atlanike. Çdo alternativë tjetër do të jetë e mirëpritur vetëm për ato struktura që punojnë me dekada për ndarjen dhe copëtimin e Maqedonisë. Kjo ndarje do të ishte edhe një fiasko e madhe për qendrat politike të vendosjes në botë, që investuan shumë mund dhe mjete financiare që ky shtet të jetë shembull i koekzistencës midis grupeve të ndryshme etnike dhe religjioze.
















