Shkruan: Xhavit Haliti
Jemi në fund të tetorit, ndërsa Republika e Kosovës vazhdon që prej zgjedhjeve të 8 qershorit të funksionojë me kryeministër dhe ministra në detyrë. Gjendje tepër shqetësuese për Kosovën që për gati pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare nuk arriti ta përmbyllë procesin e krijimit të Kuvendit, duke zgjedhur kryesinë e tij dhe formimin e Qeverisë së re. Edhe ky zhvillim politik nuk është i paprecedent evropian. Belgjika mbeti shumë kohë pa qeveri pas zgjedhjeve, por të mos harrojmë se Kosova pothuajse me asgjë nuk është në të njëjtin pozicion me Belgjikën.
SHBA-ja, BE-ja, por edhe kancelarja gjermane, miqtë dhe mbështetësit tanë të mëdhenj ndërkombëtarë, duke na njohur mirë politikisht, kanë preferuar kësaj here të mos ndërhyjnë në këtë situatë. Ata, në respekt të veçantë të pavarësisë dhe sovranitetit tonë shtetëror, na e lanë në dorë zgjidhjen e konfliktualitetit mes forcave politike të paszgjedhjeve të 8 qershorit. Ambiciet, që mendoj se janë më shumë personale sesa partiake, për marrjen e pushtetit në Kosovë, e lanë shtetin tonë të ri në boshllëkun e deritashëm institucional. Dhe ndodhemi në situatën e pafavorshme kur nuk kemi Qeveri dhe Kuvend paszgjedhor, në kohën kur për herë të parë ftohemi dhe marrim pjesë në Samitin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor në Beograd, në Samitin e njëkohshëm të Ministrave të Ekonomisë po ashtu në Beograd dhe në Samitin e Beogradit që pritet të mbahet nga 31 tetori deri më 2 nëntor me pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Këto janë disa nga zhvillimet e Kosovës në këta 5 muaj që me dashje apo pa dashje kanë kushtëzuar çorientim.
Çorientim e rritje mosbesimi te qytetarët për partitë politike
Prandaj s’është çudi që ndodhemi, krahas sfidash tjera, përballë çorientimit politik dhe social e rritjes së mosbesimit të qytetarët ndaj partive politike. Kosova politike ka më së 6 muaj (periudha para e pas zgjedhore) që vetëm shfryen, por nuk mund të veprojë. Dhe pothuajse është shndërruar në një kënetë politike. Pasojat negative të kësaj situate i përjetojnë në radhë të parë qytetarët e rëndomtë. Anëtarët dhe simpatizantët tanë, përgjithësisht elektorati i PDK-së dhe aleatëve të saj, ia dhanë votën në shumicë MISIONIT TË RI dhe e nxorën fitues të zgjedhjeve. Zhvillimet paszgjedhore ishin përpjekje të vrazhda për ta zhvlerësuar votën dhe përcaktimin e tyre demokratik, për ta kaluar PDK-në politikisht, jo ligjërisht, nga forcë fituese në forcë opozitare. Prandaj, me të drejtë, më të çorientuarit dhe më të pakënaqurit janë votuesit e PDK-së, që ani pse me votë janë në mazhorancë, më pas u shpallën nga Blloku si humbës të zgjedhjeve. Por, mendoj se të pakënaqur janë edhe votuesit e LDK-së, që për hatër të shmangies nga pushteti të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, ia falën postin e Kryeministrit një partie me përqindje më të vogël të votave. Falja e pushtetit ekzekutiv, i vetmi pushtet me mundësi reale për plotësimin e interesave të mbështetësve partiakë, ngjall natyrshëm pakënaqësi te votuesit e LDK-së. E gjithë kjo pakënaqësi e akumuluar nga kriza politike sigurisht që ka kosto dhe këtë kosto do ta paguajnë si partitë politike fituese të zgjedhjeve ashtu dhe shkaktarët e ngërçit aktual politik në Kosovë.
Frenim i njohjeve dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar
Ngërçi aktual politik gjithsesi që është reflektuar negativisht edhe në raportet ndërkombëtare të shtetit tonë, që për pasojë ka edhe frenimin e njohjeve dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Ka kohë që asnjë shtet afro-aziatik, anëtar i OKB-së, nuk po deklarohet si njohës i pavarësisë së Kosovës. Mendoj se ky është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve më të fundit në Kosovë. Prandaj them se ngërçi paraqet edhe një ushqyerje politike të racizmit të egër serb, që shprehet hapur përmes sloganit të tij historik: “Shqiptarët nuk mund të bëjnë dhe mbajnë shtet”. Është e qartë: zhvillimet tona aktuale politike ju shkojnë për shtati jomiqve të shtetit të Kosovës.
Zhgënjim dhe kritika nga miqtë tanë të mëdhenj
Liria dhe shteti i Kosovës është projekt i qytetarëve të saj, madje edhe në përmasa gjithëkombëtare, porse në radhën e akterëve vendimtarë të jetësimit të tij janë edhe partnerët politikë të saj, evropian dhe veçanërisht ata amerikan. Prandaj edhe zhgënjimi dhe kritikat e të gjithë këtyre së bashku janë të mëdha.
Qëndrimin politik dhe diplomatik të SHBA-së e përcolli para ca ditësh senatori Christofer Murphy, sipas të cilit “SHBA-ja është thellësisht e frustruar nga mungesa e progresit për formimin e qeverisë së re”.
Vështirësi për realizimin e misionit të Edi Ramës në Beograd
Ngërçi politik në Kosovë gjithsesi që reflekton dhe paraqet vështirësi edhe për realizimin e misionit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd. Racizmi i shtetarëve serbë, i shprehur përmes “barbarisë” dhe “paaftësisë” shtetformuese të shqiptarëve, i shfaqur pas 14 tetorit, e përsërisë, natyrisht që ka parasysh dhe përdor si argument mbështetës situatën politike dhe institucionale të Kosovës pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Prandaj, Kryeministrit të Shqipërisë, që më 10 nëntor do të shkojë në Beograd, do t’i duhet të përballet dhe të japë përgjigje edhe për ngërçin politik në Kosovë. Zgjidhja e ngërçit politik nga partitë politike para vizitës së 10 nëntorit do të ishte pozitive edhe për politikën shqiptare në përgjithësi.
Kosova e fitoi lirinë, sepse arriti t’i shfaqet botës e njësuar. Kosova do të shënohet në hartën zyrtare botërore si shtet i ri dhe i suksesshëm në Evropë, kur politika partiake do të japë prova se di të qeverisë, të dialogojë demokratikisht dhe të respektojë votën dhe ligjin. Besoj që në pak ditë, këto parametra do të respektohen dhe të realizohen. Zgjidhja është emergjente.
















