ALDA BARDHYLI
Në historinë e Shqipërisë së shekullit XXI, Ismail Kadare është padyshim jo vetëm shkrimtari i madh që i erdhi vendit në kapërcyellin e dy kohëve, asaj të trazuar e gati-gati tragjike të komunizmit, por dhe të trancizionit të gjatë nga i cili po përpiqemi të dalim, si për të shuar me emrin e tij të gjitha mëkatet tona. Ashtu si cepat e shamisë së kaltër që i duken nga xhepi i xhaketës, këtë fillimvjeshte ashtu dhe letërsia e tij, i ka dhënë botës imazhin e një Shqipërie fantastike, me një folklor e gjuhë të pasur, tepër e rëndësishme në embrionin e Europës ku synojmë të shkojmë. Kadare e ka çuar Shqipërinë në Europë shumë kohë përpara se ne ta kërkonim hyrjen në të. Në kohën kur Europa as që dukej në horizont, Kadare me intuitën që kanë vetëm shkrimtarët, e mbrojti vendin e tij përmes gjuhës, i bindur se embrioni i saj ishte po aq i rëndësishëm në trungun e pemës së gjuhëve indoeuropiane, dhe se identiteti i këtij populli që po jetonte një nga diktaturat më të egra në historinë e vendeve ish-komuniste, nuk ishte tjetër veçse europian. Kadare zbuloi shpirtin perëndimor të shqiptarëve, duke u bërë një kronikan i madh në librat e tij, e duke i treguar botës (librat e tij botoheshin në Francë gjatë kohës së komunizmit), diktaturën e Hoxhës. Ai ishte lidhur fort pas gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar, besonte në idealet dhe rrënjët humaniste europiane të shqiptarëve. Në asnjë vend komunist një shkrimtar nuk u përball hapur me regjimin sa Kadare. Në kohën kur një mekanizëm i tërë shtetëror, shihte me lupë gati çdo fjalë brenda rreshtit të një fjalie, ai arriti t’i shpëtonte “syrit të tiranit” përmes narracionit dhe figurave të tij tepër të zgjuara, duke i treguar botës zymtësinë e soc-realizmit, e duke ngjallur shpresë për një botë të re. Vetëm një mendje e mbrapshtë mund të thotë sot se Kadare ishte një shkrimtar që i shërbeu regjimit…Por në Shqipërinë e 2014-s, ku dritat e Europës duket se janë hapur më në fund, dhe pse raportet me të shkuarën ende nuk janë zgjidhur, një kor “kritikësh” apo “shkrimtarësh” emri i të cilëve është i lidhur ngushtë me eksponentë të së shkuarës, ngrenë herë pas here një stuhi sulmesh në media kundër shkrimtarit, për të lidhur domosdoshmërisht letërsinë e tij me diktaturën, një zhurmë që synon të largojë vëmendjen nga veprat e tij. Ky kor i cili duket se orkestrohet nga e njëjta dorë, që priste me ankth një “shkarje të tij” gjatë komunizmit, vazhdon ende të dalë hapur në media sot, duke sfiduar kështu ndërgjegjen tonë kombëtare, me kritikat e tyre. Në asnjë vend ish-komunist, apo perëndimor sot, intelektualët dhe mendimi përparimtar nuk do të heshtte përpara fyerjeve të herëpashershme që i bëhen ndërgjegjes së tyre (shkrimtarit). Në këtë tablo groteske të këtij shtatori tiranas, Kadare sheh përtej “rrugicës të së vetmuarve”, kështu e quan ai shëtitjen në rrugicën e gjatë të Liqenit Artificial me humor, teksa pi kafenë e mëngjesit. Portreti i tij dhe biseda me të është si të lexosh librat që shkruan. Në fjalët që i dalin natyrshëm, ai zbulon atë shqiptarin e madh, që ndodhet brenda tij, atë që historia do ta shohë nesër si mbrojtësin më të mirë të shqiptarëve, këtij populli të gjendur shpesh në kurthe dhe interesa ballkanike.
A janë akuzat e ngritura kundër tij, duke u nisur dhe nga debati i fundit i hapur nga Nasho Jorgaqi, një njollë që kërkohet t’i vendoset atij me ngulm pikërisht për shqiptarin e madh që e shfaq natyrshëm, dhe shpeshherë ashpër sa herë fatet e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit (Kosovë, Maqedoni) janë gjendur, në përballje historike, ku zëri i shkrimtarit ka shtyrë procese dhe i ka shpënë një hap më përpara Europës. A nuk duhen parë kritikat ndaj tij, një sulm ndaj këtij procesi kaq të vështirë dhe të mundimshëm të shqiptarëve për t’u konsoliduar si një shtet në këtë Ballkan që zien nga përvojat e së shkuarës? Kë do të trishtonte një çmim Nobel, për gjuhën dhe kulturën e një populli, që gjithnjë i ka shpëtuar asimilimit? Ndërsa kritika ndërkombëtare prej kohësh ia ka dhënë shkrimtarit Nobelin, në Shqipërinë e tij zërat në agoni të së shkuarës, vazhdojnë ashtu në grahmat e fundit të përhapin mjegull, në rrugën që dikur do jetë e paqtë…A nuk është e trishtueshme të shohësh këtë kor, tek hedh notat më të këqija mbi ndërgjegjen tonë? Kauza e kritikave që i bëhen shkrimtarit kanë të bëjnë me disidentin e munguar, një kauzë që bie poshtë nëse lexon librat e tij. Do ishte gabim të shihej ky shkrimtar si një figurë e heshtur gjatë diktaturës. Në një vend ku shkrimtarët vazhdimisht persekutoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadareja shkroi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe subversive që kanë dalë nga Europa Lindore socialiste. Kadare i ka bërë sfidë diktaturës që teQyteti pa reklama më 1959-n e deri te Hija dhe Piramida në fund të viteve 1980. Botimi i romanit të tij më të fundit Mjegullat e Tiranës, një dhuratë që shkrimtari i bëri lexuesit, duke i dhënë mundësinë të lexojë një dorëshkrim të tij të hershëm, ngjalli debate në shtyp. Ky roman bashkë me naivitetin e shkrimit të parë, të shpalos shenja të një disidence të hapur te studenti i dikurshëm i letërsisë, që aspironte të bëhej shkrimtar.
Jeta e Tiranës përshkruar në këtë libër, e parë jashtë kontekstit të kohës nuk ndryshon shumë nga ajo e qyteteve europiane. Erotika naive apo tradhtia, marrëdhënia me fetë mund të merren si tema të guximshme nga një i ri që në prozën e tij të parë. Kadare e botoi dorëshkrimin, duke e quajtur një dhuratë pa e besuar se në atdheun e tij, përçmohen dhe dhuratat. Aludimet e ngritura në shtyp mbi vërtetësinë e hershmërisë së shkrimit janë një fyerje që ne i bëmë shkrimtarit, i cili kreu një akt të lartë sinqeriteti, duke përballur si në një pasqyrë, shkrimtarin me studentin…Por pavarësisht zhurmës që u përpoq të ngrihej mbi këtë roman, nuk u mund të mohohej kënaqësia që jepte leximi i librit, për ccdo lexues që e mori në duar. Në Shqipërinë e rrëmbyer nga problemet, pakkush ka kohë të ndalet te shkrimi, pakkush rrëmon për të vërtetën dhe kjo është ndoshta tragjedia jonë më e madhe. Megjithatë, Kadare beson tek e vërteta, tek e ardhmja që e ndien të bukur në librat e tij. (Mjafton të kujtojmë pritjen e plakës Nurihan, (“Dimri i madh) këtij personazhi të mrekullueshëm që një letërsi ka nxjerrë, me veshët nga radioja që sillte lajmet nga tej larg).
Po le të kthehemi te disidenca? A arriti letërsia shqipe të prodhonte disidencë përgjatë viteve të diktaturës? A duhen pranuar si tillë që letërsia shqipe nuk arriti të shfaqte qoftë edhe një disidencë të heshtur? Është e pavend të mendojmë sot, që një shkrimtar të ngrinte krye hapur kundër regjimit. Opozita e brendshme dhe disidenca ishin të pamundura në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Por përgjatë 40 viteve të shkrimeve të tij në diktaturë, nëse lexojmë librat e Kadaresë sot, shohim që shkrimtari ia ka dalë të sfidojë sistemin. Shqipëria e tij është më e fuqishme në libra se diktatura. Ajo shfaqet ashtu, bashkë me historinë e saj të përsosur në gabime dhe gjithnjë në pritje për të ndryshuar. Kadareja e shfaqi kundërshtimin e tij përmes letërsisë dhe jo në fushën e doktrinës apo ideologjisë. Ai e shprehu sfidën e tij përmes paraqitjes së zymtësisë në jetën e përditshme në socializëm dhe përmes evokimit të fuqishëm të Shqipërisë së lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhës.
Botimi i librit Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i Vetmisë së madhe nga shtëpia botuese “Saras” me autor Met Dervishin, një studim që analizon thellësisht një vepër, përmbys të gjitha kritikat e bëra mbi shkrimtarin, që ka shkruar në përshtatje me zhvillimet politike të regjimit komunist. Ky studim tregon se të gjitha stuhitë që kthehen shpesh mbi shkrimtarin nuk bazohen në leximin e veprave të tij. Pasi këto të fundit tregojnë të kundërtën. Megjithëse romanet e tij diktohen nga historia e diktaturës, ato tejkalojnë historinë aktuale të lindjes së tyre, për të komunikuar me një auditor më të gjerë. Dimri i madh është një rast unikal në historinë e letërsisë shkruar gjatë soc-realizmit kur një shkrimtar përballet me diktatorin e tij. Në këtë përballje nëse e rilexojmë librin sot, shohim se Kadare ka fituar. Ai arriti të ngrinte kultin e Hoxhës dhe në të njëjtën kohë ta hidhte poshtë atë përmes jetës së trishtë të Shqipërisë socialiste që shihet në faqet e këtij libri, apo personazheve që tregojnë njerëzit e vërtetë, brenda një regjimi totalitar. Në këtë libër ashtu si në të gjithë librat e tij të shkruar para ‘90-s, Kadare ka treguar tmerrin e kohës. A nuk është përshkrimi i këtij terreni të zymtë, një shenjë disidence? Ndoshta kjo ishte arsyeja që dorëshkrimi i Dimrit të Madh u ruajt vetë nga e veja e diktatorit, në kohën kur mendohej asgjesimi i librit pas daljes nga shtypi. Rasti i “Dimrit…” është një moment reflektimi mbi të shkuarën, të cilën nga sekretet që mbart përpiqemi ta fshehim, ta mbyllim, ta tjetërsojmë. Por në shekullin XXI, është koha të shpëtojmë prej shtrembërimeve, dhe të shohim tej shumë tej, për të vrapuar aty ku Kadare, na ka çuar me librat e tij shumë vite më parë. Në Europën, ku veset e pandreqshme prej ballkanasi, na kanë vonuar të mbërrijmë.














