Fadil LEPAJA
Nëse rastësisht mendoni ta vizitoni shtetin e Floridës, në SHBA, mos provoni ta lidhni elefantin për orën e parkimit të veturave! Dijeni se do të paguani sikur të kishit parkuar një automobil.
E nëse shkoni në Atlantë, nëse në të njëjtën mënyrë doni të veproni me gjirafën… mos e bëni këtë! Është e ndaluar me ligj, që kjo shtazë ekzotike me qafë të gjatë të lidhet në vendparkim! Nuk po tregoj barsoleta. Janë ligje! Këto ligje ende janë në fuqi në këto shtete dhe nëpër media u përfolën si kuriozitete.
Po lexoja kështu kuriozitete në këtë monotoni të krijuar nga bllokimi i Parlamentit! E kuptuam këto ditë se ligjvënësi në këtë vend nuk i beson rinisë, por e lë fatin e vendit në deputetin më të moshuar, e cila as për një çast nuk ia lëshon karrigen deputetes më të re. Nejse, krejt muaji më iku me kuriozitete.
Pra, po lexoja për një ligj tjetër të çuditshëm, kësaj radhe në Britani të Madhe. Nëse dikush, qoftë edhe si vizitor rasti, vdes në ndërtesë të Parlamentit britanik, ai domosdo do të varroset me shpenzime të shtetit.
Madje, edhe me nderime të larta shtetërore! Kështu, sigurimi i ndërtesës duhet të jetë gjithnjë i vëmendshëm! Nëse dikujt i bien të fiktë brenda Parlamentit, ata për preventivë duhet të nguten që të njëjtit t’i nxjerrin jashtë sa më shpejt. Nuk i dihet! Ky ligj thuhet të jetë ende në fuqi, në njërin nga vendet me demokraci më të zhvilluar në botë, ku siç po shihet ende ka ligje të tilla që të bëjnë për të qeshur.
Por, askush nuk qesh. Nuk jepen statistika, por gjithsesi njëherë do të ketë ndodhur diçka e tillë! Prej andej ligji! Ligjet e tilla flasin për natyrën pragmatike të ligjvënësve në këto vende! Është paraqitur problemi dhe e kanë nxjerrë normën! Kështu, dikush e ka lidhur elefantin ….dhe, sot e kësaj dite ligji vepron si preventivë! Mos e lidhni … as gjirafën , urdhëron ligji! Ata, nuk e lidhin!
Duke e njohur maninë e kopjimit të ligjeve dhe ekspertët e shumtë të UNMIK-ut të sjellë nga vende me përvojë të begatë demokratike nga Afrika apo Azia, të cilët na patën ndihmuar në fazën e parë pas çlirimit, nuk do të çuditesha po të përvidhej në ligjet tona edhe ndonjë ndalesë për elefantë, gjirafa apo ndonjë luan. Deri më tani, jemi mirë !
As kemi tentuar të lidhim elefantin për shtyllë elektrike, se orë parkimi nuk kemi e as ndonjë gjirafë nuk e kemi angazhuar për të lexuar orët e rrymës, nga të cilat shkarkohen faturat astronomike. Pastaj, ne orët e rrymës i mbajmë lart! Por … këtu nuk po flasim për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, sepse ligj ka, por … treg nuk ka! Ka, monopol!
Nejse, po flisnim për ligjet e çuditshme, të cilat megjithatë për ndonjë arsye i kanë mbijetuar kohës edhe pse duket krejtësisht absurd edhe vetë fakti se janë nxjerrë ligje të tilla.
Por…ende nuk kemi filluar të flasim për ligjet ose Kushtetutën, në vendin tonë! Fillimisht, do të ishte me rëndësi preventiva për Parlamentin. Kjo nuk vlen për vizitorët! Vlen vetëm për deputetin më të moshuar. Përgjithësisht, deputetët janë të shenjët, si pati thënë njëherë një ish-deputet për ish-kolegët e tij, gazetarët. Janë të privilegjuar.
E sidomos më i/e moshuari/a! Si e kemi parë, kjo është rregulluar edhe me Kushtetutë! Kështu thonë interpretuesit tonë të ëndrrave, ups, të normave kushtetuese! Një deputet/e falë moshës së thyer mundet lirisht ta humbë ndjenjën e masës dhe të kohës dhe ta zgjasë seancën sikur Shehrezadja rrëfimin në përrallat e 1001 netëve.
Por, për të gjithë që Parlamentin e shohin si fushë të luftës, ku me të gjitha mjetet duhet “vrarë” pala tjetër, kjo është një zbrazëti, një pistë ligjore mbi të cilën munden të vallëzojnë hareshëm interpretuesit tonë zyrtarë të ëndrrave.
E karrigia e drejtuesit të Parlamentit, paraqitet si barrikadë e cila duhet të mbahet me çmimin e jetës. Pra, kushdo që jep shpirt duke e mbrojtur pushtetin … po e dini tashmë për çka është fjala!
Por, ne nuk u besojmë ligjeve! Krejt i rregullojmë me Kushtetutë! Këtë e ka bërë të mundur Kushtetuta më e komplikuar në botë e krijuar prej një hibridi ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë për konservimin e krizave.
Se krizat ndërkombëtare janë biznes që financohen nga buxheti ndërkombëtar. Janë para për të cilat nuk jep llogari askush. Në fakt, një krizë që zgjidhet shpejt nuk është krizë që ia vlen! Ne nuk merremi me elefantë dhe gjirafa! Ne e lidhim shtetin për sahatin …e KEDS-it. Edhe të partisë!
Pra, te ne e shenjtë është Kushtetuta! Sikur gjithë librat e shenjtë, nga kjo jetojnë edhe interpretuesit. Kushtetuta do të duhej të ishte një kulm mbi të gjithë, pra një normë që e përfaqëson dhe mbron interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Por jo, krejt është… interpretim? Desha të them, obligim kushtetues! Është e paraparë me Kushtetutë, Flora!
Ata që janë në pushtet, për shembull, janë bërë të sofistikuar! Nuk e shkelin Kushtetutën kurrë. Edhe nëse e shkelin ata nuk e shkelin! Sepse, vetë e interpretojnë!
Kushtetuta jonë është e re, në moshë! Megjithatë, me një biçikletë fëmijësh e kanë nxjerrë në rrethrrotullimin tonë (para)politik! Po e interpretojnë sipas dëshirës!
Kështu, sido që të rrotullosh globin mbi tavolinën tuaj, ana qeveritare do të jetë e shndritur nga dielli! Cilën dalje të kapësh përsëri del deri te një rrethrrotullim tjetër.
Opsesioni i shtetit me rrethrrotullimet ka bërë një ndërveprim me semaforët, i cili domosdoshmërisht krijon kaos. Derisa në rrethrrotullime kalon i forti, në semafor kalon vetëm nëpër dritë të gjelbër. Ky kombinim i rregullave me anarkinë e kontrolluar ka prodhuar bllokadë institucionale.
Mos u dëshpëroni, ky nuk është rregull global! Por, së paku kështu ndodh te ne. Ka vende ku Kushtetutat janë të thjeshta dhe të qëndrueshme dhe nuk është aq e komplikuar sikur te ne, aq sa duhen interpretues me imagjinatën e shpjeguesit të ëndrrave.
Është e tillë dhe nuk e ndërron dot, sepse ligjvënësit janë kujdesur që runa zot, mos të bie vendimmarrja te qytetarët. Se qytetarëve nuk u zihet besë! Qytetarët te ne gjithnjë janë të dyshimtë për diçka! Dikur për nacionalizëm dhe irredentizëm, ateizëm e tani për islamizëm!
“Armiku i jashtëm” te ne gjithnjë ka qenë më i fuqishëm se i brendshmi dhe na ka mashtruar! Kështu që, shpesh kemi votuar kundër vetes! Nuk bënë të rrezikojmë!
Kështu, ka ligje të atilla të cilat fillimisht të bëjnë të qeshësh dhe kur e kupton se ato janë në fuqi edhe në vende me demokraci të zhvilluar…nuk qesh më! Byrokracia është fuqi e verbër e cila e tejkalon vullnetin e qytetarëve.
Mos qeshni! Mos e lidhni elefantin për orën e parkimit e as gjirafën pranë orëve të KEDS-it! Ups, pranë orëve të parkimit, po mendoja! Kanë thënë: “ku dhemb dhëmbi…”!
Edhe demokratët kinez sikur ne: më 2007 sollën një ligj, i cili klerikëve budistë të Tibetit u ndalonte reinkarnimin! Por, te ne nuk bënë punë! Po mendoja në vetvete: Kush janë qeveritarët tonë? Reinkarnim i kujt?
Jo mor jo! Te ne ka demokraci! Sidoqoftë, mos e lidhni devenë për semafori, se… ngatërrohen ngjyrat!















