Çfarë ka ndodhur në Kosovë, është saktësisht kështu:
Para 1999, Kosova qe nën Serbinë dhe pa asnjë aleatë.
Pas 1999, Kosova është pa Serbinë dhe me aleatë të mëdhenj.
Kjo përmbysje, që s’gjendet fjalë ta shterrojë ngjarjen si përcaktim, kalëron shpejt në kohën e shtetit më të ri dhe sjelljen e politikanëve të tij, fatkeqësisht si duke u mbështjellë me harresë, siç mbi hekur shfaqet ndryshku, sidomos shpejt në mjedis me igrasi. Ka shenja të pakundërshtueshme se sëmundja e rrezikshme e harresës po avitet. Kjo diagnozë mendohet, por nuk thuhet, dhe nuk merret bari kurues, ndërsa ajo kërcënon.
Nga trashëgimia gojore e shqiptarëve, gjatë represionit të pafund serb, është përcjellë dhe rrëfyer gjithmonë nëpër oda, tubime, dasma, morte dhe klube, kjo fabul domethënëse për vëmendje përballë harresës: Kur dy shqiptarë, të përfshirë në grindje, sherr e si mos më keq me shoqi – shoqin, serbi në kulm të gazmendit e urdhëroi fqinjin e vet serb: “Fute kryet në thes! Nga birat e thesit shih, kënaqu e qesh sa të mundesh. Po e qite kryet e të panë shqiptarët duke u gajasë me ta, e ndërpresin sherrin dhe kjo është keq për ne”.
Kjo po ndodh midis dy vendeve fqinj: Politika shqiptare të lë përshtypjen sikur ka harruar se 15 vjet më parë ka qenë nën çizmen serbe. Politika shqiptare sillet e shkujdesur sa thua që ajo harron se Kosova ka qenë pa aleatë. Politika shqiptare sikur shpërfill që, nuk është e lehtë të kesh fqinje një Serbi armiqësore e agresive, që e trazon vendin me ata pak të vetët që ka aty. Politika shqiptare sikur nënvleftëson se Karla del Pontet nuk shkruajnë vetëm libra. Politika shqiptare sikur nënçmon se s’ka veç një Dick Marty. Të bëhet sikur politika shqiptare kujton që është folklorizëm kumti i sherrit mes shqiptarëve dhe kryet e serbit në thes.
Ndërsa lufta bëhet për pushtet, politika shqiptare sikur nuk vëren që Serbia e mban kryet në thesin e vet historik, i cili nuk është as i vjetëruar, as i grisur e as i hedhur në plehrishten e kohës. Serbia e mban kryet thellë në thesin e saj për të fshehur kënaqësinë, që Prishtina të mos e ndërpresë sherrin politik, mundësisht sa më gjatë. A nuk nuk mbahet mend propozimi pa jehonë shqiptare i presidentit Boris Tadiç që nga Brukseli, kur Beogradi e pati ftuar Tiranën për të biseduar mbi ndarjen e Kosovës, ndërsa presidenti i tashëm Nikoliç ekuacionin politik të Serbisë e ka me tri zgjidhje: bashkim me BE duke u integruar, mosbashkim me BE kundër Rusisë dhe kurrë njohje Kosovës? Thesi serb, në këto kohë, nuk është prej fijesh liri, bezeje pambuku apo thurjesh sintetike. Ai mëton të jetë kostum me prerje europiane, i stërholluar me properëndimorizëm, por me përzjerje të serta dhe qepje ruse. Beogradi sillet qartësisht këmbëngulës: pavarësisht bisedimeve, ai ka për strategji pengimin, të cilësohet Kosova shtet i dështuar, të përcjellë në Bruksel kumtin se Serbia është shtet i fortë perëndimor ballkanik, madje kryeministri serb falenderoi SHBA për mbështetjen ndaj reformave, por Uashingtonit dhe Brukselit u përsëriten tri fjalë kundër shtetit të ri: Kurrë njohje Kosovës!
Harresa tjetër do të ishte foshnjëri politike: Kosova s’kishte aleatë, tani ka aleatë të fuqishëm e të mëdhenj. Por sikur ka filluar ndryshkja e mendimit për të kuptuar që, miqësia është si sjellja e dy miqve pranë zjarrit të ndezur: nëse të dy, herë njëri e herë tjetri, vënë shkarpa mbi prush, zjarri nuk shuhet kurrë. Por, nëse njëri hedh krane në zjarr e tjetri vetëm ngrohet, atëherë ai do të mërzitet, nuk do të hedhë më e zjarri shuhet. Aleancat nuk mbahen me deklarata rastesh, shprehje dashurie, shtrëngime politike, mospëlqime të heshtura, madje as edhe me histori. Aleancat kërkojnë veprim të brendshëm të mençur dhe bashkërendues, sidomos nga një shtet i ri, i vogël, me kundërshtarë të egër afër dhe larg, për çlirimin e të cilit janë kryer sakrtifica biblike dhe shpenzuar miliarda të panumërueshëm.
Politika shqiptare e ka të domosdoshme ndërmendjen, se thesi serb është edhe sot e kësaj dite dhe se aleanca fatlume është arritur me përpjekje titanike, në bazën e të cilës, si gur themeli është sakrifica e popullit, vizioni i Presidentit Rugova dhe ndjeshmëria ndaj lirisë e SHBA, që kryesoi luftën humane. Kumti i Uashingtonit dhe Brukselit që, “politika të gjejë vet zgjidhjen”, mund të ketë edhe dy lexime: i pari – më dashamirësi – politika e Kosovës le të stërvitet me vështirësitë e gjetjes së zgjidhjeve të duhura, për t’u maturuar kësisoj në veprim; i dyti – më qortuesi – politikanët janë të pazotë të gjejnë zgjidhjet, Kosova nuk është në gjendje të ecë me këmbët e saj.
Kosovës, shteti demokratik dhe vendi i zhvilluar, i duhen për popullin e vet, por rrethanat e djeshme, të sotme dhe të nesërme të saj, e detyrojnë të mendojë se politika duhet t’i arrijë zgjidhjet e duhura edhe për “inat” të Serbisë, e cila ka e do të ketë aty një prani penguese, të dukshme e të padukshme, për të vërtetuar tezën e shtetit të dështuar.
















