Faik Krasniqi: Institucionet krijohen nga shumica! Ngërçit politik të shkaktuar pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, sipas të gjitha gjasave ka filluar t’i vije fundi.
Tendencat e PDK-së për ta zgjedhur kandidatin e saj për kryetar të parlamentit dhe formimin e Qeverisë, duke përllogaritur në numrat dhe mbështetjen që e disponojnë, përfundimisht do të dështojnë, pasi i janë shterrur të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Publicisti Faik Krasniqi thekson se, pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë kemi dy koalicione: koalicionin LVAN që kanë shumicën parlamentare me 63 deputetë, dhe koalicionin e PDK-së me 35 deputetë.
Sipas tij, në demokracitë parlamentare, institucionet formohen nga partia apo koalicioni që ka shumicën parlamentare.
-Partia apo koalicioni që ka dalë e para në zgjedhje, pasi t’i shterren të gjitha mundësitë brenda afatit kushtetues, për formimin e institucioneve, i hap rrugën partisë së dytë ta zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe formojë Qeverinë”, thekson publicisti Faik Krasniqi. Spas publicistit Krasniqi, koalicioni i PDK-së duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që as kryetari i Kuvendit nuk mund të zgjidhet, por as Qeveria të formohet nga pakica, por nga koalicioni që ka shumicën parlamentare. ‘Në asnjë shtet demokratik nuk ka ndodhur që institucionet të formohen nga pakica, e kjo gjë s’do të ndodh as në Kosovë. Pretendimet e PDK-së, se vetëm atyre iu takon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë, janë pretendime të kota dhe tentim që në forma jodemokratike dhe jokushtetuese të ngelin në pushtet’, përfundon publicisti dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi.















