Ndricim Ciroka (PhD)
U bënë shumë raste brenda një kohe të shkurtër kur në Shqipëri grabiten me maska dhe pa maska mjetet e blinduara që transportojnë paratë e bankave. Nuk di të ketë një vend tjetër që të ndodhin kaq shpesh dhe në këtë mënyrë, kaq hapur, grabitje të tilla. Grabitja e fundit(më falni e radhës, sepse e fundit nuk mund ta themi); ishte e Rinasit, e të vetmit aeroport kombëtar, vend i rëndësisë së veçantë. Dhe kjo ndodh pak orë pas deklarimeve nga qeveria, se janë rritur masat e sigurisë në aeroport si rezultat i akteve terroriste që ndodhën pak ditë më parë në aeroportin e Stambollit.
Mirëpo, në një situatë të tillë, dua të parashtroj disa pyetje (nuk po kërkoj shumë besoj?)
Ministria Brendshme a ka për detyrë që ta sigurojë tërë hapësirën ku përfshihet edhe aeroporti i Rinasit, edhe pse pretendon se aeroporti është me outsorsing (atëherë për ç’ arsye është ngritur komisariati i Rinasit)?
A mund të quhet dështim edhe për Shërbimin Informativ Kombëtar, aq më tepër që sasitë e grabitjeve janë të shumave të tilla që e fusin detyrimisht çështjen në detyrat e shërbimit informativ. Nëse IMSI Catcher masin nivelin ajrit në burgje, po në aeroport nuk e masin.
Një perceptim i gabuar po i serviret publikut nga media, në lajmet që shoqërojnë ngjarjen e Rinasit; gjithnjë kanë për slogan “grabitje me armë”. Në të vërtetë, grabitësit vetëm një herë kanë gjuajtur në ajër, si për qejf, ashtu sikur qesim me armë në dasma e në fitore futbolli. Pra, as shkëmbim zjarri, as rezistencë nuk është shënuar. Gjithsesi, këndvështrimin tonë po e kanalizojmë në një linjë tjetër . Cili është reagimi i shtetit dhe i institucioneve të tij? A mund të krahasohet ai me qëndrimet dhe reagimet e shteteve të tjera të cilat janë përballur dhe përballen me situata të tilla?
Ministrja e transporteve të Belgjikës, Zhaklin Galant, dha dorëheqjen vetëm se në një nga aeroportet belge u verifikua se aeroporti nuk i plotësonte kushtet e sigurisë.
Në Irak, sapo është dorëhequr ministri i brendshëm, Muhamet El Ghabani, si pasojë e disa shpërthimeve kamikaze ku humbën jetën disa persona.
Në Francë, shefja e kabinetit të drejtësisë, Christine Taubira, dha dorëheqjen për shkak të marrjes së shtetësisë franceze nga disa persona që konsiderohen se kanë lidhje me terrorizmin.
Në Gjermani, ministrja Schavan jep dorëheqjen, pasi u përfol për plagjiaturë në studimin e saj të doktoraturës, diku jo më afër se para 33 vitesh. Në Austri, Kancelari dha dorëheqjen vetëm e vetëm se humbi popullaritetin tek kolegët e tij. Shembuj të tillë dorëheqjeje ka shumë. Po këtu kur, e pse jo?
Këtu, me gjithë këto skandale, kaq zbuluar, kush po jep dorëheqjen nga këto të `integruarit` dhe të `civilizuarit e mëdhenj`. Apo, këta modernët tonë nuk marrin për model të lartpërmendurit. Këto marrin për model qeveri krejt të korruptuara, ku shtetit i vjen era korrupsion e as nuk mban qëndrim kush e as që i japin llogari kujt!
I tërheq vëmendjen opinionistëve të qëndrojnë në kërkesat për dorëheqje duke e marrë si masë penalizuese, sepse nëse krimi nuk ndëshkohet, të jeni të sigurtë se do të masivizohet, pasi në këto raste, rrugë të mesme nuk ka.













