Ish ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ngjarjen në Kongresin amerikan e ka cilësuar si të njejtë me atë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Në Kosovë këtë deklaratë janë duke e trumpetuar me të madhe disa politikanë, media dhe analistë. Por, këta janë duke e bërë këtë gjë me qëllim të denigrimit të një partie politike dhe një politikani dhe njëkohësisht me qëllim të ngritjes të një krahu tjetër politik me individët e tyre.
Ajo që ka ndodhur në Kongresin amerikan nuk është e njejtë me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës. Dje në Amerikë është sulmuar Kongresi nga jashtë, nga huliganët dhe rrugaçët. Në Kuvendin e Kosovës, me rastin e hudhjes së gazit lotësjellës, ngjarja ka ndodhur mbrenda institucionit dhe nga vetë politikanët opozitarë që punojnë në këtë organ. Në rastin e Amerikës, me qëllim që ngjarja të duket popullore, rrugaçët janë ftuar që ta sulmojnë Kongresin nga njeriu i cili është në pushtet kurse në rastin e Kosovës është e kundërta. Në Kosovë opozita brenda Kuvendit e ka ‘sulmuar’ pushtetin dhe këtu nuk kemi të bëjmë me përzierjen e njerëve nga rruga.
Sikur Delawie të ishte menduar vetëm pak, ngjashmërinë e djeshme të Kongresit do ta gjente në rastin e sulmit të Kuvendit të Maqedonisë që u bë në vitin 2017. Me këtë rast rrugaçët nga jashtë e sulmuan Kuvendin dhe me porosi të pushtetit. Njësoj sikur që ndodhi dje në Amerikë. Në të dy rastet kemi të bëjmë me dhunë dhe demolim. Kemi të bëjmë edhe me vdekje. Deputeti shqiptar Zijadin Sela u rrah për vdekje por tjetër punë është që ai nuk vdiq.
Në të dy rastet, pra në Maqedoni dhe Amerikë, reagimi i rrugaçëve, të cilët në fakt duhet të quhen terroristë, ka ardhur si rezultat i urrejtjes që kultivon dhe promovon politika. Në Maqedoni urrejtja kundër shqiptarëve është institucionale sikur në Amerikë që këtë të keqe e ka promovuar Donald Trump gjatë mandatit të tij.
Deklarata e pavend e Dealawie është duke u përdurur nga dallavergjitë e Kosovës për qëllime politike të një pale kundër tjetrës. Kjo është e rrezikshme pasi që flet për faktin se edhe në këto zgjedhje në Kosovë nuk do të kursehen as gënjeshtrat agresive dhe mashtrimet e politikanëve, mediave dhe analistëve.