Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka prodhuar dilemën nëse në këto zgjedhje do të mund të garojë lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se çdokush që ka një vendim gjyqëesor të plotëfuqishëm për një vepër penale në tri vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet dhe nuk mund të ketë mandat deputeti.
Kurti dhe tre ish-deputetë të Vetëvendosjes janë dënuar për shkak se kishin hedhur gazlotësjellës në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani e ka quajtur absurd dhe kaotik aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, nëse aplikohet ky standard, ka rrezik që Kurtit t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje.
“Kontradikta kryesore është në mes të pjesës operative nën II dhe paragrafin 260. Ky paragraf bën dallimin në mes të atyre që nuk mund të kandidohen dhe tregon pse dhe kur, si dhe kur humbet mandati. Në rastin e humbjes së mandatit, Gjykata e ka ruajtur normën kushtetuese, kurse në rastin e kandidimit ka thënë se çdokush që ka një vendim për një vepër penale përjashtohet nga mundësia për kandidim”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, Kurtit mund të ndodhë që Kurtit të mos i lejohet as të zgjidhet kryeministër.
“Nëse çështja shkon në Gjykatë sërish, me këtë standard të tanishëm, garant që nuk e lejojnë të jetë as kryeministër. Nuk ka interpretim tjetër, tash e tutje”, ka thënë Hasani.
Mendim tjetër ka Blerim Sallahu, këshilltar ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, heqja e të drejtës për të garuar në zgjedhjet e ardhshme nuk vlen për Albin Kurtin dhe për të tjerët që kanë pasur dënime alternative.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në përmbajtje, shpreh rrethanat e rastit konkret të humbjes së mandatit për të dënuarin me burg, z. Arifi (deputeti Etem Arifi, vota e të cilit për Qeverinë ‘Hoti’ u vlerësua kundërkushtetuese), ndërsa devijimi i përmbajtjes së këtij Aktgjykimi te një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi”, është shprehur Sallahu.
“Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera, për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast. Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë ‘kufizim i pandërprerë’ për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e së drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se të gjithë kandidatët për zgjedhje do të verifikohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Do ta zbatojmë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse na obligon Kushtetuta që t’i zbatojmë të gjitha vendimet. KQZ do të marrë vendim për kandidimin e Kurtit ose të të tjerëve. Ne do ta bëjmë verifikimin e kandidatëve nëpërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku do të dorëzohen të gjitha listat e kandidatëve dhe në bazë të konfirmimeve do të vendosim”, ka thënë Daka.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka komentuar fare aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që mund ta penalizojë atë të mos përfshihet fare në listën e kandidatëve të kësaj partie për depytetë të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, të tetës pas luftës në Kosovë.




















