Shkruan: Agim Muhaxheri
Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj së bashku me deputetët e partive të tyre, pa “izën” e Florës (Brovinës), mbajtën “seancën” e tyre në Kuvend, paralajmëruan shkarkimin e saj nga posti i kryesueses së seancës konstitutive të Kuvendit. Ofensiva e tyre shkaktoi “tërmetin”. Partia e Hashim Thaçit u kundërpërgjigj me ofensivë. Paraqitjen e tyre e cilësoi si “veprim antikushtetues”. A do të digjen “nënshkrimet për shkarkimin” e Florës?
Politikanët e luajnë lojën e tyre.
Tash doli në skenë “gjimnastika” politike sipas asaj: Kush kujt do t’i lë këmbët e arushës në dorë.
E bëjnë luftën psikologjike për t’i thyer nervat rivalit politik. Në fushë të mejdanit, kush është më i forti, i zgjedhin emisionet televizive. Këtu kundërshtarin e “bombardojnë”, i nxjerrin zorrë e mushkëri. Nuk i kursejnë fjalët. Në shtëpitë televizive shitet edhe patriotizmi.
Popujt e qytetëruar “folklorin patriotik” e kanë dërguar në muze, ne merremi ende me të.
Edhe pas 15 vjetësh të çlirimit merremi me kartën e patriotizmit kush është më patriot se tjetri.
Populli nuk ua dha votën të lozet me këtë kartë, por ta drejtojnë shtetin, ta zhvillojnë ekonominë, të sigurojnë mirëqenien për qytetarët.
Ky popull është lodhur nga kopallat e politikanëve. Shumica janë të rrëzuar për tokë. Shtresa e mesme mezi përthekon muajin me muaj, ndërsa oligarkia rron në kullat e fildishta dhe ha me “lugë të dukatit”.
Demokracia nuk e ka që një pakicë të ha me lugë të dukatit, e shumica me lugë të drurit.
Të gjithë e zëmë në gojë demokracinë, veprojmë kundër demokracisë.
Fjala “demokraci” rrjedhë nga greqishtja që kuptimi i saj i parë do të thotë: qeveria e popullit. Demokracia nënkupton sundimin e ligjit. I ke votat, e merr pushtetin, nuk i ke – rri në opozitë. Pra, qeveris ai që ka shumicën e votave në Kuvend, jo pakica.
Pushteti s’merret me zor, ngase atëherë kemi të bëjmë me anarkinë.
Rivalët politikë që e bëjnë luftën si në arenën e gladiatorëve, i thyejnë shtizat sipas asaj: Ne i fituam zgjedhjet, ne qeverisim…
Llafazanët nuk i përmendin numrat, votat. Përmendin retorikën: Ne jemi partia që i fitoi zgjedhjet dhe pikë.
Ndërkaq, ata të VLAN-it, që i kanë numrat, rivalëve të tyre u drejtohen: Ju e keni kapur shtetin. Nëse rrini në opozitë do t’u burgosim. E përmendin burgun. E tutin arushën me shoshë, apo?
Fjalët e ashpra në debatet televizive cilësohen si “incidente” demokratike. “Incidentet” janë të lejuara në demokraci.
Shikuesit janë të prirë t’i shikojnë duelet e nxehta. Përfitojnë edhe kanalet televizive, ngase në këtë mënyrë e shtojnë shikueshmërinë e emisioneve të tyre.
Luhet loja politike. Rivalët shikojnë kush po hy në “ofsajd”, kush po e shkel procedurën, që sërish t’i dalë punë Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese nuk ka punë tjetër, ajo merret me atë se ndonjë veprim është kushtetues apo antikushtetues. Ajo merret me “procedurat”. E shkel procedurën, të jep “kartonin e kuq”.
Flora (Brovina) e PDK-së e shtyu seancën konstitutive të Kuvendit, të paralajmëruar për 2 tetor.
A është Flora “dues ex machina”?
Kë e ka vetë Flora ta shtyjë seancën?
E bëri këtë krye në vete, apo kështu i kanë thënë shefat e partisë së saj?
Jo vetëm Flora, por as shefat e saj s’mund ta uzurpojnë Kuvendin.
Ndodhi e (pa)pritura. Hyri në Kuvend “buldozeri”. Aty zunë vendet 63 deputetë nga radhët e Vetëvendosjes, LDK-së, AAK-së dhe Nismës. Munguan rivalët e tyre politikë, ata të PDK-së, por edhe përfaqësuesit e minoriteteve.
Kuvendi i ngjante një koshere bletësh. Aty ishin një numër i madh i gazetarëve, fotoreporterëve dhe kameramanëve që incizonin gjendjen. Gazetarët bëjnë punën e tyre, informojnë. Informimi është kategori kushtetuese.
Gazetarët nuk e shkelën procedurën!
Mbase kohëve të fundit e ndeshim të përdoret shpesh termi juridik “procedurë”, “shkelja e procedurës”. Mu për shkak të procedurës çështja vajti në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese u mor me procedurën.
Vendimi i Kushtetueses është “i trashë”. Citohen nenet e Kushtetutës, por edhe të Rregullores së punës të Kuvendit.
Vendimi i Kushtetueses ka dhe shumë pika. Përmendet pika 126 dhe ajo 127.
Partia e Hashim Thaçit dhe koalicioni i saj, në zgjedhjet e 8 qershorit nuk arritën të marrin votat e duhura për të qenë partia fituese. Këta janë partia e parë, jo partia fituese.
Tjetër është partia e parë, tjetër partia fituese.
Kushtetuesja ua njohu të drejtën që këta ta nominojnë dhe ta paraqesin kandidatin e tyre për kryekuvendar.
Herën e parë u dogj kandidati i tyre Agim Aliu, ndërsa herën e dytë dr. Arsim Bajrami.
Nuk i morën votat e duhura as Agimi, as Arsimi.
Kjo e drejtë nuk është shterur. Në “rëntgenin” e Kuvendit mund t’i fusin edhe kandidatët e tjerë, ta bëjnë këtë 36 herë…
Por sipas një rregulli të pashkruar, po u dogje tri herë e pati puna. Dorëzohu. Rri në opozitë.
“Buldozeri” nuk u aktivizua “të rrëzojë shtëpinë pa leje” të kundërshtarit politik, por u paralajmërua se kjo do të ndodhë “javën e ardhshme”.
Nuk është hera e parë që kryesuesja e Kuvendit Flora (Brovina) të shtyjë seancën konstitutive. Ajo këtë e bëri edhe më 12 shtator.
Përse e shtyri seancën e paralajmëruar më 2 tetor?
A ka ndodhur hataja?
A ka ndodhur “vis maior”, fuqia madhore, tërmeti, vërshimi apo diçka tjetër e pazakontë?
Nuk kishte arsye për këtë, ngase nuk ndodhi as tërmeti, as vërshimi…
Ajo e shtyu seancën të mos ndodhë: E treta, e vërteta, të mos digjet sërish kandidati i tyre dr. Arsim Bajrami për të parin e Kuvendit. E bëri këtë që partia e saj të përfitojë në kohë.
Një rregull e pashkruar thotë se një e drejtë e dhënë konsumohet nëse dështon së realizuari në tri tentativa.
Partia e Thaçit u dogj dy herë. I ka mbetur edhe një tentativë.
Ofensivën e VLAN-it në Kuvend, partia e Thaçit e cilësoi si veprim antikushtetues. Rëndomë në kësi rastesh përdoret shprehja “antikushtetues”,
Kundërshtarët e Hashim Thaçit, liderët e katër partive Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në “seancën” e së enjtes paraqitën protestën e tyre, shqetësimin për ngërçin politik. Bën me dije se ka nisur mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve për ta shkarkuar Florën (Brovinën) nga kryesuesja e seancës konstitutive të Kuvendit.
Kundërshtarët e Thaçit nuk janë ilegalë, po deputetë legjitimë që kanë dhënë betimin në Kuvend. Ata të enjten qëndruan në shtëpinë e tyre, në Kuvend.
Kundërshtarët e Thaçit kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të vazhdojnë procedurën rreth vazhdimit të seancës konstitutive të Kuvendit.
A do të digjen “nënshkrimet për shkarkim”, ngase Flora ndërkohë mund të caktojë seancën?
E mira e së mirës është të ulen gjakrat.
Të mbizotërojë arsyeja, jo emocionet.
(Autori është analist për çështje juridike)
















