“Shpirti i Shqiptarit ka qenë anarkist dhe kështu nuk ka patur kurrë ide Shteti”-thoshte iluministi i ditur Vangjel Koça. Si rezultat i kësaj mendësie, skena jonë politike, historikisht ka qenë e dominuar nga rriqra e mikrobe t’ zi, siç thoshte Gjergj Fishta, apo kusarë-siç pohonte Eqrem bej Vlora. Madje, shpeshherë, me vetëdije apo pa të, kemi kontribuar në shenjtërimin e kësaj kategori dhe kemi përulur kategorinë tjetër që vërtet ka sakrifikuar për shtet. Për të shpjeguar këtë fakt, mendoj se mjafton të përmendin Luigj Gurakuqin, i cili, trazon ndërgjegjen e përgjumur shqiptare.
Ndaj, në politikën tonë, gjithmonë, është dashur që të tjerët-pra të huajt- të bëhen dorëzanë për mosmarrëveshjet tona.
Ndaj, historia jonë është e mbushur me politikanë që veç vizionit për pushtet, s’kanë pasur asnjëherë vizion për shtet.
Ndaj, zgjidhjet për fatin tonë, i kërkojmë gjithmonë jashtë nesh.
Kjo është filozofia e fatalitetit, epidemi që ka përfshirë jetën tonë politike dhe jo vetëm atë.
Mos harroni: Kosova dhe shqiptarët, arritën të mbijetojnë historikisht në saje të miqve amerikano-europian.
Ndaj, pikërisht sot, kur këta na qortojnë me të drejt, duhet ta kthejmë gishtin kah vetvetja dhe të gjejmë shkaktarin për të këqijat tona brenda nesh.
Tracey Ann Jacobson, ka tagrin dhe të drejtën politike, historike e morale të na qorton, këshillon, rekomandon.
Dhe ne, duhet të kemi kurajo po ashtu ta gjykojmë të keqen brenda nesh, njëherësh duke brohoritur si shoqëri e qytetëruar me një jo të zëshme kundër retorikës antiamerikane e antieuropiane.
Mjedis ynë është i ndotur moralisht, politikisht e kulturalisht. Këtë e dimë gjithë dhe nganjherë me gjysëm zëri e pranojmë. Megjithatë, duhet gjendet një pakicë, që t’i përthithë pohimet e ambasadores Tracey Ann Jacobson dhe t’i kuptoj si kërkesë, thirrje, grishje, që politikës t’ia heqim tisin e zi dhe ta shohim ashtu siç vërtet është. Me vite e kemi refuzuar një gjë të tillë. S’kemi dashur përballje. Dhe kemi bashkëjetuar me të keqen, tinëzisht. Tash është koha të synojmë ta zëvendësojmë atë.
Kush do t’i birësojë institucionet e Diasporës?
Petrit Kuçana Si peshku pa ujë kanë mbetur disa ngrehina institucionale që kanë për emërues të përbashkët fjalë diasporë. Kaq...
















