Për analistin nga Kosova, Lumir Abdixhikun, njëkohësisht drejtor i Institutit për Hulumtime Zhvillimore – “Riinvest”, në raste të persekutimit gjithëpopullor dhe dhunës policore të ushtruar ndaj shqiptarëve, partitë politike në Maqedoni duhet të kalojnë mbi interesat vetanake, të pushtetit e karriges, e të ndërtojnë unitet nacional në mënyrë që shqiptarët të kenë një zë të unifikuar karshi represionit maqedonas.
“Fatkeqësisht, shqiptarët në Maqedoni, siç dhe ndodhë rëndom, zgjedhin përçarjen partiake para kërcënimeve nacionale – një tipar që po na kushton shumë si komb. Problemi i shqiptarëve në Maqedoni është shumë më i thellë se sa ky i shpërfaqur tani; në të vërtetë, procesi, protestat dhe në fund dhuna janë vetëm produkte të një politike regresive e anti-shqiptare të shpërfaqur atje tash e sa kohë”, shprehet Abdixhiku për portalin Almakos lidhur me protestat e fundit që janë duke u zhvilluar në Maqedoni.
Sipas Abdixhikut, edhe mungesa e investimeve në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi e në sektor privat, i kanë bërë regjionet shqiptare mjaft fragjile dhe buzë shpërthimeve si këto të fundit.
“Përballë një diskriminimi ekonomik, politik e shoqëror, shqiptarët e Maqedonisë janë lënë anash edhe nga bashkëkombasit e tyre në Kosovë e Shqipëri, të cilët përndryshe paraqitjet e vizitat në Shkup e Tetovë i kanë përdorur për qëllime të konsumit politik të brendshëm nga vinin. Pra, në vend të prodhimit të ideve e projekteve konkrete që do të zbutnin pabarazitë e shqiptarëve atje, shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë recitonin vargje turbo-folk-nacionaliste të vilajeteve; në vend të senzibilizimit të çështjes shqiptare në Maqedoni botërisht, Kosova e Shqipëria kanë qenë të zëna me mbulimin e anomalive politike që i prodhonin vet”, thekson Abdixhiku kur pyetet lidhur me rolin e Kosovës dhe Shqipërisë në raport me shqiptarët e Maqedonisë.
Sipas tij, në mungesë të një qendre politike shqiptare, që do t’i mbronte interesat e kombit në gjithë rajonin, shqiptaret bëhen sërish mjete të ushtrimit të dhunës e presionit, siç kanë qenë gjithherë.
“Maqedonisë përndryshe i nevojitet një klasë e re politike, që mbanë qëndrime evropiane – jo me fjalë, por me vepra e me mendje – e që kanalizon rrjedhimisht klasën e vjetër politike në pension, e pakënaqësitë e vazhdueshme të shqiptarëve në zgjidhje. Në të kundërtën, skena të tilla do të na përsëriten vazhdimisht, ashtu siç na përsëriten tash e 25 vjet rresht”, thotë Abdixhiku lidhur me të ardhmen e Maqedonisë.
















