Nga Shenasi RAMA
Gjendja e ekonomisë së një shteti në krizë është e krahasueshme me gjendjen e shëndetit të dikujt që ka diabet. Nuk ka rëndësi se sa ëmbëlsira han ai i sëmuri, sa kërcen në dasëm, sa herë thotë se jam i rilindur etj., diabeti bën punën e vet dhe e shkatërron nga brenda. Dhe këta sundimtarët tanë e sidomos Kuvendi i Lumturisë Kombëtare së bashku me Kryeministrinë e Lumturisë Kombëtare dhe Opozitën e Lumturisë Kombëtare duket sikur nuk duan të pranojnë se ky është realiteti ku gjendemi, d.m.th. se jemi në Krizë… Shkurt e shqip, ekonomia e jonë është e shkatërruar, në krizë të thellë, në stanjacion dhe në tkurrje të dukshme. Në terrin e përgjithshëm informativ, kur INSTAT është pjesë e Kryeministrisë së Lumturisë Kombëtare, dhe rrallë del të thotë të vërtetën, është e vështirë të gjinden të dhëna të sakta për gjendjen e ekonomisë. Mirëpo edhe aq pak sa del në shtyp e nga INSTAT, si analizat e gjakut, të tregojnë gjendjen e vendit dhe ajo është shumë e keqe. I sëmuri ka rilindur me propagandë, por është duke ngordhur nga kriza ekonomike.
Nga një anë, sa doli lajmi se bankat e rriten fitimin me 71 milionë dollarë në nëntëmujorin e 2014. Sukses i dukshëm! Po kush i beson??? A është vetë fitimi apo është rritja e fitimit??? Sepse të gjithë bankat tona të niveleve të ndryshme janë angazhuar në një seri mashtrimesh që të ngrenë qimet e kokës, d.m.th., duke llogaritur të gjithë hilet që bëjnë si psh duke i nxjerrë paratë e pataksuara jashtë, duke deklaruar borxhe të paqena tek bankat mëmë, duke mbuluar humbjet relative , etj., etj. Sepse jo më larg se dy vite më parë, fitimi i bankave gjatë vitit 2012, mbas të gjithë hileve, ishte diku tek 350 milionë dollarët! Dyshoj se kjo shifër është fitimi shtesë, por nuk ka rëndësi kaq shumë kjo. E shëndeti i bankave është shëndeti i diabetikut…
Ajo që ka rëndësi është se shoqëria, shteti, familja dhe ndërmarrjet shqiptare janë të mbytura në borxhe pikërisht tek këto banka. Siç shihet në këtë artikull tek MAPO, gjendja e ndërmarrjeve shqiptare është e rëndë. Ja çfarë thotë gazetarja pa komentuar më gjatë mbi efektet: “Më shumë se 53% e ndërmarrjeve pohojnë që aktualisht kanë një hua për të paguar. Ndërmarrjet raportojnë rritje të përdorimit të huasë për kryerjen e një investimi ndaj përdorimit për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra. Sipas sektorëve, kjo prirje reflektohet nga sektorët e industrisë dhe të shërbimeve. Huaja për ndërmarrjet mbizotërohet nga ajo në monedhën europiane. Rreth 70% e tyre raportojnë huamarrje gjatë 5 viteve të fundit (22.9% në vitin e fundit), ndërsa 71.4% pohojnë se duhet ta shlyejnë huanë brenda 5 viteve të ardhshme. Pesha e ndërmarrjeve që kanë përdorur pasuri të paluajtshme si kolateral për garantimin e huasë është 74.6%, 3 p.p. mbi nivelin e mesatares afatgjatë. Për sektorin e industrisë, peshën më të madhe e zënë ndërmarrjet që raportojnë një vlerë të kolateralit në një interval prej 50-100% të vlerës së huasë, në sektorin e shërbimeve kryesojnë ndërmarrjet me një vlerë të kolateralit deri në 50% të vlerës së huasë, ndërsa në sektorin e ndërtimit pesha më e lartë i takon ndërmarrjeve me një vlerë të kolateralit mbi 120% të huasë së kolateralizuar. Për 86.7% të tyre vlera e huasë nuk e kapërcen vlerën e kapitalit të firmës. Për 68.8% të bizneseve, pagesa e huasë zë deri në 20% të totalit të të ardhurave të tyre dhe për 23.1% të tyre pagesa e huasë zë 20-50% të këtyre të ardhurave”. Shumica e borxheve është në Euro dhe leku po bie, kështu që nuk duket fort gjendje e mirë.
Nga ana e vet, Kryeministria e Lumturisë Kombëtare deklaron me një cicërimë (Twitter, Tëitter, ciu-ciu) se po përmirësohet ekonomia!!! Ja të shohim eksport-importet. Si thotë (me siguri Genc Kondi) tek Shqiptarja.com, “në prill dhe në qershor deficiti i llogarisë korrente në Shqipëri u zgjerua për të tretin tremujor radhazi me 20.7% në shkallë vjetore. Deficiti tregtar u përkeqësua -17.6%, si pasojë e rënies 5.8% të eksportit dhe rritjes në vazhdim të importit të mallrave, 8.2%”. Nga ana tjetër, bilanci i shërbimeve u kthye në terren pozitiv; megjithë rënien në transport, të ardhurat nga turizmi ishin 37.9% më të mëdha, ndërkohë që u rritën shumë (87.5%) të ardhurat nga ri-eksporti (fasonët), të cilat tani klasifikohen tek shërbimet”.
E sa për ndryshimin e klasifikimit nga Standard e Poor, që Ministria e Propagandës Kombëtare ka disa orë që na bombardon, institucionet ndërkombëtare nuk kanë besueshmëri nga një anë sepse nuk kanë të dhëna të duhura, e nga ana tjetër sepse të dhënat që marrin janë të fabrikuara nga Qeveria shqiptare. Kështu, Kryeministria e Lumturisë Kombëtare deklaron se po përmirësohet gjendja ekonomike, S&P e ngriti klasifikimin nga B ne B+, dhe Kryeministria e Lumturisë Kombëtare lëshoi një cicërimë. Mirëpo cili është realiteti???? Si thotë gazetarja e MAPO, Blerina Hoxha që analizon rastin e FMN, ka një dallim të madh midis realitetit dhe gjendjes së vërtetë. Ja çfarë thotë Hoxha, “Një ditë pasi INSTAT tregoi se ekonomia kishte shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit me 0.6 për qind, Fondi Monetar Ndërkombëtar la të pandryshuar dje parashikimin për rritjen ekonomike të vendit këtë vit ( 2.1 %), ndërsa uli pritshmëritë për ekonominë globale në 3.1 % nga 3.2 që ishte parashikimi i pranverës. Por në realitet, në fund të gjashtëmujorit të parë rezulton që ekonomia e vendit të mos jetë rritur me shumë se 0.5 për qind, ndërkohë që pritjet e qeverisë dhe Fondit janë për 2 për qind rritje vjetore”. Nga do të vijë rritja, një Zot e di, ndoshta nga propaganda televizive apo me fiat nga jashtë.
Por gjendja duket më e qartë kur vjen puna tek të ardhurat e shqiptarëve. Një në tre familje shqiptare është me borxhe. Vërehet se “gjatë tremujorit të dytë, investimet e huaja neto u pakësuan 48 për qind në shkallë vjetore. Ndërsa rezervat në valutë të huaj, pas një rënieje njëvjeçare në masën 1.4%, aktualisht janë 1.94 miliardë euro, të afta për të mbuluar 4.3 muaj importe”. Mirë, po çfarë thotë INSTAT i Lumturisë Kombëtare??? Në këtë artikull këtu thuhet se “Ekonomia e vendit po rrezikon seriozisht të hyjë në një fazë të gjatë stanjacioni, pasi treguesi i rritjes ekonomike për të dytin viti radhazi është më shumë afër zeros se sipër njëshit”. Dhe si për ti thënë krejt të kundërtën Kryeministrisë së Lumturisë Kombëtare, sipas një shkrimi të djeshëm: “Situata u bë edhe më pesimiste dje, kur Drejtori i INSTAT-it, Gjergj Filipaj njoftoi se ekonomia e vendit kishte pësuar rënie në tremujorin e dytë të vitit me 0.61 për qind. Në kushtet e një borxhi në rritje, investimesh publike në rënie, mungesë injektimi në ekonomi nga rritja e rrogave dhe pensioneve, kërkesë e dobët dhe prurje valutore nga jashtë gjithnjë e në rënie, ka pak gjasa për përmirësime të dukshme këtë vit. Beteja e institucioneve financiare në vend mbetet të mbajnë në territor pozitiv treguesin e rritjes për të mos rënë zyrtarisht në recension ekonomik”.
Gjendja ekonomike është e rëndë dhe fajin e kanë të gjithë këta. Ata që e lanë në këtë gjendje, ata që vazhdojnë të qeverisin edhe pse përgjegjës për këtë gjendje, dhe këta që e morën shtetin duke e ditur në çfarë gjendjeje ishte por ishin të etur për pushtet. Me gati një gjysëm milioni emigrante me letra, pa letra e sezonale të kthyer, me një papunësi që me kopshtarët e bahçeve që i themi bujqësi mbetet tek 1 milion, me një borxh qe është rritur deri ne 72%, me heqje e kërcënime për heqje nga puna deri ne dhjetra mijra vetë, me një zullum të paparë në 5% që zotëron e sundon vendin, me një skllavëri totale ndaj të huajve, dhe me një sistem bankar që thith çdo pikë gjaku e energjie financiare, me një borxh të huaj që duhet paguar me 600 milionë dollarë në vit, me një shoqëri të mbikredituar, me të ardhura të pakësuara nga emigrantët, me një inflacion të heshtur e dobësim të fuqisë blerëse, me kredi në euro, me piramida arsimore, ekonomike, e tenderore-shtetërore që nuk bëjnë tjetër por krijojnë terrenin për shkatërrimin e mëtejshëm të kombit njeri nuk din se çka me thanë… Këta sundimtarët tanë ndërrojnë kostume përditë, mobilojnë zyrat, bëjnë pushime në Maldive e Abu Dabi, e na shohin nga lart poshtë si të ishim skllevër të tyre, e duan të na bindin se jemi më mirë!!!
Edhe kaq pak të del e të mjafton që të vesh në dyshim suksesin e arritur. Jemi në krizë, ekonomia nuk gënjen. Diabetiku që thotë jam mirë e han ëmbëlsira, në rastin tonë, hallvë e bakllava propagandistike, mund të mbahet pak me insulinat e institucioneve të jashtme, dhe me pak hile, mirëpo nuk është i shëruar dhe në fakt është tejet i sëmurë. Por shumë nga dibetikët jetojnë në një gjendje mohimi ku nuk e pranojnë të vërtetën derisa iu plas sëmundja dhe duhet t’iu pritën gishtat e këmbët. Deri atëherë, Paria e Lumturisë Kombëtare, dhe në veçanti Kryeministria e Lumturisë Kombëtare do të vazhdoje me këtë avazin e Rilindjes propagandistike.
















