Nga Sami Neza
Të gjitha gazetat gjeneraliste kanë përafërsisht një strukturë të produktit të tyre. Në përgjithësi diferencimi i produktit mediatik shprehet më shumë në cilësinë e shkrimeve, përqindjen e prodhimit të përmbajtjes nga vetë gazeta, prioritetet në tematika dhe dizajni teknik. Por ky diferencim është i zbehtë, pra nuk lë gjurmë të forta dhe vetëm një lexues i vëmendshëm dhe i përditshëm mund ta konstatojë.
Gazetat me një strukturë normale të dhomës së lajmeve referuar tirazhit të tyre (të paktën 15 reporterë në redaksi) kanë një prodhim të vetin të përmbajtjes së gazetës që mund të shkojë pak më shumë se 50 për qind. Pjesa tjetër merret nga interneti, deklaratat e shtypit apo portalet lajmeve online. Gazetat e tjera që kanë në strukturën e tyre jo më shumë se 7-8 reporterë kanë një përmbajtje të huazuar deri në 80 për qind të shkrimeve të botuara në gazetë. Huazimi kryhet pothuajse nga të njëjtat burime si për gazetat e mësipërme.
Diferencimi më i madh bëhet për shkak të tematikave i cili shfaqet më dukshëm në faqen e parë. Por edhe ky lloj diferencimi është midis grupeve të gazetave dhe më rrallë mes gazetave, një për një. Disa gazeta si Shekulli, Mapo, Standard, Koha Jonë, Dita, Tema, 55 dhe deri diku Panorama shënojnë prirje për tituj kryesorë me politikë, ndërsa gazeta të tjera si Gazeta Shqiptare, Shqiptarja.com, Panorama pasqyrojnë më tepër lajmet e kronikës zë zezë në faqen e parë të gazetës. Gazetat Tirana Observer, Telegrafi kanë prirje të përfshijnë në faqet e tyre më së shumti lajme utilitare, një zakon i mbajtur më herët nga Metropoli. Gazeta Shqip, Shqiptarja.com kombinojnë të gjitha mënyrat por në dallim nga të tjerat Shqip vendos në qendër edhe lajme ekonomike apo financiare.
Prej vitit 2011 gazeta Shekulli ka bërë një diferencim të fortë të produktit nga gazetat e tjera duke shndërruar plotësisht strukturën e brendshme editoriale të gazetës. Por ky diferencim i produktit i shkaktoi asaj dëm në treg duke sjellë ulje të shitjes gati përgjysmë. Pavarësisht këtij fakti gazeta prej tri vitesh po vazhdon të këmbëngulë në këtë lloj strukture editoriale me besimin se lexuesit do të përshtaten me këtë formë të re të paraqitjes së përmbajtjes së gazetës dhe ndërkohë edhe me atë koncept të ri editorial.
Përsa i përket dizajnit teknik pothuajse të gjitha gazetat kanë të njëjtën strukturë të faqes së parë ndërsa në faqet e brendshme ka më tepër larmi. Faqja e parë është një miks mes tabloides dhe klasikes me ndonjë përjashtim si Shqip, 55, Standard që kanë në përgjithësi një faqosje klasike të faqes së parë. Në qendër të faqeve të para për shumicën e gazetave është një foto e madhe që lidhet më së shumti me një ngjarje të rëndësishme të ditës. Ka një titull kryesor dhe një deri në tre tituj të tjerë që mund të konsiderohen si tituj të dytë. Ndërkaq në rripa më të ngushtë në anët e faqes janë të rreshtuar lajme më pak të rëndësishme si dhe komente apo analiza, herë pas here të ndjekura nga pjesë të shkurtra teksti.
Lufta për të zënë tregun dhe për të rritur industrinë: Ky shteg i zhvillimit të konkurrencës është shprehur më së shumti në fillim të viteve 2000 kur biznesi filloi të financonte në shtypin e shkruar duke mos u trembur nga kostot jo të vogla të hyrjes në treg. Muaji i parë i publikimit të një gazete shkon në një kosto nga 4.5 milionë lekë deri në 8 milionë lekë. Kjo solli edhe rritje të titujve të shtypit të shkruar. Por duke filluar nga viti 2007 kur numri i gazetave të mbështetura me biznese u rrit edhe më shumë mungon entuziazmi i financuesve për të mbajtur një shtyp konkurrues në treg. “Investitorët e medies kanë humbur atë optimizmin, i cili ka ekzistuar në vitet kur i kanë hapur këto media. Ndoshta për shkak të rrethanave politike, apo vendimmarrjeve të ndryshme këtu, atje. I kanë humbur ato benifite që më parë i siguronin me anë të medies dhe s’kanë më interes”, shprehet ish-kryeredaktori i gazetës Shekulli, Adrian Thano.
Po vetëm përgjatë vitit 2011 dhe 2012 u hapën dy gazeta të reja Shqiptarja.com dhe Dita. E para është një kombinim multimedial me pronësi gazetarë ndërsa e dyta është gazetë e përditshme gjeneraliste e mbështetur nga një biznes. Por as dalja e këtyre dy gazetave nuk ka ndryshuar sjelljen e aktorëve të tjerë në treg siç ka ndodhur në vitin 2000, në 2004, në 2007 kur gazeta të reja hynë në treg, hyrje që u shoqëruan me shndërrime të tregut të gazetave të përditshme.
Kërcënimi i hyrësve të rinj: Ky lloj kërcënimi varet nga barrierat e hyrjes në treg dhe kundërveprimit të prodhuesve ekzistues, kërcënimi i zëvendësuesve, fuqia e furnitorëve dhe fuqia e blerësve.
Barrierat e hyrjes: Tregu i medies së shkruar konsiderohet si një nga tregjet me më pak rregulla. Karakterizohet nga një numër i madh gazetash të përditshme me një tirazh të vogël. Shtimi i titujve nuk ka çuar në rritjen e lexuesve, përkundrazi në rënien e tij.
Tregu nuk ka barriera hyrëse ligjore (barriera e prekshme). Deri në vitin 1993 gazeta duhej të regjistrohej në ministrinë e Drejtësisë. Që prej atij viti, kushdo mund të hapë një gazetë, mjafton të regjistrojë subjektin që krijon gazetën në qendrën kombëtare të licencimeve pas vitit 2010, ose më parë në drejtorinë e tatimeve.
Në rastin e hyrësve të rinj kundërveprimi i produkteve ekzistuese ka qenë i ndryshëm në kohë të ndryshme. Deri nga viti 2005, hyrja e titujve të rinj në treg shoqërohej me ndryshime në gazetat e tregut, ndryshime që vëreheshin në ulje të çmimit të shitjes, ndryshime në dizajnin editorial dhe teknik. Pas vitit 2005 tregu ka qenë në përgjithësi indiferent ndaj hyrjeve të reja. Dalja e dy gazetave të reja në vitin 2011 dhe 2012 nuk është shoqëruar me reagim tregu qoftë në çmim e qoftë në përmbajtje. Bile në 2011, një numër gazetash rritën çmimin e shitjes nga 20 lekë në 30 lekë. Në përgjithësi gazetat e reja që janë krijuar pas vitit 2005 kanë zënë vendin e tyre në treg në nivelin e gazetave mesatare por pa prishur shumë renditjen dhe pa u shoqëruar me transportim të konsumatorëve nga produktet e vjetra në produktet e reja (bën përjashtim gazeta Dita).
Por ndërkaq me uljen e cilësisë së përmbajtjes së gazetave ka rënë vlera e barrierave të paprekshme.
Pak gazeta kanë një reputacion të mirë tek lexuesit, besimi i konsumatorëve të gazetave është i lëkundur, edhe pse kjo shkallë besimi referohet dhe për llojet të tjera të medieve si ato të televizionit apo mediat online.
Edhe barrierat e prekshme janë të dobëta. Kërkesa për kapital për hapjen e një gazete është lehtësisht e përballueshme nga biznese që sigurojnë fitime të larta si në ndërtim, industri ushqimore apo tregun financiar. Kosto mujore për muajt e parë të botimit shkon nga 4 milionë lekë deri në 8 milionë lekë për një titull gazete varësisht nga trajtimi i kostos. Fillimisht ajo ka një kthim të barabartë me vlerën e shitjes së gazetës në treg apo abonimeve dhe nuk kalon më shumë se 20 për qind të investimit. Por me kalimin e kohës kthimi i investimit rritet. Por meqë gazetat në Shqipëri përgjithësisht nuk vlerësohen nga kthimi i investimit por nga realizimi i influencave, fakti se gazeta del me humbje nuk përbën një barrierë serioze për ata që kanë vendosur të financojnë gazetat.
Një tjetër barrierë që lidhet me kapacitet profesionale të themelimit dhe drejtimit të gazetave sërish është e dobët pasi financuesit e gazetave aplikojnë paga shumë të larta për drejtuesit e gazetave por dhe faqosësit e tyre duke arritur të tërheqin gazetarë me përvojë në drejtimin e gazetave të reja.
Ndërsa kërkesa teknologjike për prodhimin e gazetës është e ulët për shkak se ajo lidhet me pak investime në këtë zë dhe kërkon pak pajisje të cilat gjenden lehtësisht në treg dhe pa qenë nevoja për të përshtatur pajisjet për funksionin që do kryejnë. Pajisjet janë kompjutera, programe të faqosjes, editimit të tekstit, fotografisë, skanerë, fotokopje, aparate fotografikë, aparate telefonikë, regjistrues, printera të dimensioneve të ndryshme, letra të llojeve të ndryshme dhe shtypshkronja rrotative.
Produktet zëvendësuese: Produkte zëvendësuese për informacionin që vjen nga gazetaria print është televizori, radio, rrjetet sociale, faqet online të lajmeve. Secili prej tyre është një kërcënim i përditshëm dhe me energji në rritje. Numri i madh i zëvendësuesve të cilët ofrohen me çmime më të lira sesa gazeta dhe shpesh falas e bëjnë tregun e shtypit të shkruar një treg të pasigurt dhe të paqëndrueshëm. Po ashtu zëvendësuesit mund të merren me lehtësi nga konsumatorët dhe tek-tuk ndodh ndonjë ndryshim i madh pas procesit të zëvendësimit të produktit në print, me gazetari në televizion apo online si dhe me informacionet e siguruara nëpërmjet rrjeteve sociale, kryesisht facebook.
Fuqia e furnitorëve potencialë: Furnitorë më industrinë e medies konsiderohen burimet e lajmit, pra një furnitor krejt ndryshe nga përkufizimi që ka një furnitor në industri të tjera por që megjithatë ka funksione të ngjashme me ta. Burimi i lajmit nuk dominohet më vetëm nga zyrtarë të lartë të politikës apo administratës si ndodhte deri nga viti 2000. Tashmë ai del nga këto zyra por rrugët e shpërndarjes janë shumë më të mëdha dhe shumë më të shpejta dhe vetë burimet e para nuk janë në gjendje të kanalizojnë lajmin vetëm për disa media duke u bërë furnitorë të konkurrencës në treg. Gazetat kanë furnitorë të lajmit zyrat e administratës civile dhe politike, televizionet, zyrat e marrëdhënieve të publikut, organizata joqeveritare, faqe të ndryshme online, rrjetet sociale. Shumë prej këtyre burimeve vijnë të pacensuruar deri tek redaksitë e gazetave dhe pa ndonjë klasifikim paraprak adresash për rrugën e lajmit. Si rrjedhim furnitorët kanë fuqi të ulët në rastin e dhënies së lajmit. Për shkak të misionit të realizimit të influencave në politikë apo biznes të shumë gazetave, furnitorët kanë shumë ndikim në rastin e bllokimit të lajmit në redaksi të gazetave apo në devijimin e tij. Kjo ndikon negativisht në cilësinë e produktit të gazetës dhe ditë pas dite ul besimin e konsumatorit tek ky produkt.
Fuqia e blerësve potencialë: Blerësit potencialë janë lexuesit të cilët në përgjithësi
preferojnë gazeta me çmim të ulët. Të tjerë janë abonentët të cilët kryesisht i përkasin administratës shtetërore. Thithja e gazetës nga administrata me abonime nuk i kalon 300-400 kopje në ditë për një titull.
Blerësit janë faktor që prodhojnë fuqi konkurruese në tregun e gazetave në rastin e përzgjedhjes nga ana e tyre të produktit më të mirë dhe çdo ditë. Në fakt blerësit nuk zgjedhin produktin më të mirë çdo ditë. Sjellja e tyre është tradicionale ndaj gazetave dhe kërkon më shumë se një vit të ndryshohet kjo sjellje për shkak të cilësisë së produktit të gazetave. Ndërkohë që fuqia e blerësve tradicionalë po bie, gazetat duhet të projektojnë një lloj tjetër blerësi që sigurohet nga abonimet në administratën publike, ose lexuesve individualë. Ky është një moment që pritet të diferencojë gazetat për shkak të referimit më të qëndrueshëm tek një blerës potencial.