Rexhep KASTRATI
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “Ne kemi nevojë që të zgjidhim të gjitha problemet duke folur, por nga ana tjetër, qeveria serbe është dashur të tregojë që nuk lejon përbuzjen e shtetit dhe popullit të saj”, dhe u krijua përshtypja se ka zbutur tonin dhe qëndrimet krahasuar me qëndrimet e mëparshme, sidomos ato pas ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Dhe natyrisht se pas asaj retorike nacionalshoveniste që arriti kulmin me deklaratën e presidentit Nikoliq që kërcënoi se shqiptarët e Kosovës do t’i dëbojë në Shqipëri.
E që kujton deklaratën e Sheshelit në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar, sipas të cilës shqiptarët le të shkojnë përtej Bjeshkëve të Nemura, deklarata e Vuçiqit sikur lë përshtypjen e zbutjes së toneve dhe qëndrimeve. Mirëpo, e vërteta është se Vuçiq ka thënë në një mënyrë tjetër atë që ka thënë më parë, pasi që në pjesën e dytë të deklaratës së tij, ka një përpjekje për të mbrojtur dhe për të arsyetuar gjithë ato deklarata dhe veprime nacionalshoveniste që u bënë pas ndeshjes, sepse tha qartë “por nga ana tjetër, qeveria serbe është dashur të tregojë që nuk lejon përbuzjen e shtetit dhe popullit të saj”. Pra shihet qartë se për Vuçiqin tërë ajo histeri në stadium dhe jashtë tij, pra edhe në politikë vazhdon të trajtohet si një reagim për të mos lejuar përbuzjen e shtetit dhe të popullit. Dhe arsyetimi i mëparshëm dhe fillestar i Beogradit pas histerisë nacionalshoveniste në stadiumin e Partizanit në ndeshjen Serbi – Shqipëri ishte se serbët u provokuan dhe iu cenua krenaria kombëtare me dronin që kishte fluturuar bashkë me një flamur ku ishte një hartë dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Pra, shihet se Vuçiq nuk ka ndryshuar qëndrim, por vetëm ka thënë me një mënyrë tjetër atë që ka thënë më parë ai dhe zyrtarët më të lartë të shtetit serb.
Dhe kush njeh retorikën politiko-diplomatike të Serbisë, kush njeh sjelljen institucionale dhe joinstitucionale të Serbisë gjatë viteve dhe dhjetvjetshëve të fundit, e kupton fare lehtë se Serbia vazhdimisht ka shpërfaqur fillimisht retorikë të fortë nacionalshoveniste, e pastaj ka ndryshuar retorikë, por që në thelb kanë shfaqur të njëjtat mesazhe që ka shfaqur nëpërmjet retorikës së fortë nacionalshoveniste. Kjo ka ndodhur gjatë zhvillimeve në Koaci, në Bosnjë, në Kosovë dhe në tërë zhvillimet e mëvonshme. Serbia njëherë ka tmerruar fqinjët dhe botën me deklarata dhe qëndrime të forta nacionalshoveniste, duke vënë në siklet qarqet diplomatike botërore, të cilat qoftë për shkak të raporteve të ndryshme gjeopolitike e gjeostrategjike, qoftë për shkak të historisë së raporteve të shtetve të veçanta me Serbinë, qoftë edhe për ndonjë klauzolë të dokumenteve ndërkombëtare, e ka pasur të pamundur që të bënte gjë përballë gjithë asaj histerie nacionalshoveniste serbe. E vetëdijshme për këtë, Serbia ka rritur shumë retorikën nacionalshoveniste, e të cilat i ka shoqëruar edhe me veprime gjenocidale.
Dhe kur them këtë kam parasysh gjithë atë retorikë nacionalshoveniste serbe të shpërfaqur kundër shqiptarëve gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, por edhe retorikën e shpërfaqur kundër të tjerëve. Dhe kjo retorikë duhej t’u paraprinte veprimeve gjenocidale të kryera kundër këtyre popujve. Dhe kur me veprimet e tyre gjenocidale arrinin kulmin edhe me efekte në terren, serbët sikur zbutnin qëndrimet dhe shprehnin gatishmëri për dialog dhe kompromis. Dhe rasti i Bosnjës është rasti më tipik që e pasqyron këtë lloj strategjie serbe, pasi që derisa nuk e pushtuan mbi 70% zë territorit të saj, serbët ushtruan një gjenocid të tmerrshëm kundër boshnjakëve, dhe kur arritën qëllimin e tyre, atëherë u ulën dhe bënë kompromis, i cili u siguroi 49% të territorit të Bosnjës. Edhe në Kosovë, serbët ndoqën të njëjtën strategji: retorikë dhe veprime nacionalshoveniste dhe gjenocidale kundër shqiptarëve derisa nuk arritën që të realizojnë ndarjen e brendshme etnike të Kosovës.
Pasi që e arritën këtë, serbët pranuan që të ndryshojnë mënyrë të retorikës dhe të veprimit politik: pas luftës në Kosovë e morën rolin e viktimës, sa që shefja e atëhershme e UNHCR-it, Sadako Ogata, më 2000, deklaronte se viktima dhe agresori në Kosovë janë të njëjtë, vetëm se viktima nuk ka mundur ta bëjë atë që ka bërë agresori. Me fjalë të tjera, ka shembuj sa të duash që dëshmojnë se retorika serbe, si dhe veprimet e tyre bëhen në bazë të një strategjie, e jo në bazë të emocioneve të çastit apo të pamenduara mirë. Edhe ato që ndodhën në fushën e futbollit dhe në një ndeshje futbollistike më 14 tetor, dëshmoi se gjithçka ka qenë e planifikuar mirë dhe me qëllim që të dilte pikërisht te deklarata e fundit e Vuçiqit: “Ne kemi nevojë që të zgjidhim të gjitha problemet duke folur, por nga ana tjetër, qeveria serbe është dashur të tregojë që nuk lejon përbuzjen e shtetit dhe popullit të saj”, e që do të thotë se ne duam dialog, por asi dialogu që nuk na cenon krenarinë e shtetit dhe të popullit tonë. Kjo do të thotë, se serbët janë për dialog sipas kushteve të tyre, e jo sipas së drejtës ndërkombëtare dhe sipas interesave të të gjitha palëve me të cilat zhvillon dialog. Me fjalë të tjera, Serbia do as dialogu që e nxjerr atë të privilegjuar dhe që u mundëson realizimin e interesave të tyre në dëm të interesave të të tjerëve. Se është kështu, dëshmon edhe gjithë procesi negociator me Kosovën, në të cilin proces ka arritur që të realizojë të gjitha interesat e saj në dëm të Kosovës. Dhe tash kur del hapur dëshira e Serbisë për të bërë dialog me Tiranën, dhe për të zgjidhur “të gjitha problemet duke folur”, sikur kthehet jehona e deklaratës së presidentit të atëhershëm më 2011, sipas të cilës “Ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo është saktësisht ajo që po përpiqemi të arrijmë, që do të thotë të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka. Është e thjeshtë.”. Pra, pjesa e parë e deklaratës së Vuçiqit “Ne kemi nevojë që të zgjidhim të gjitha problemet duke folur…”, nuk është asgjë tjetër pos “ne do të dëshironim të zgjidhim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve”, pasi që të gjitha problemet serbo-shqiptare janë probleme që janë krijuar që 100 vjet. Pra, shihet qartë se Serbia nuk ka hequr dorë nga negociatat me Tiranën për një marrëveshje, e në të cilën do të ndodhte edhe ndarja e Kosovës, sepse sipas Tadiqit “Kjo është saktësisht ajo që po përpiqemi të arrijmë, që do të thotë të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka.”.
Dhe edhe pse Tadiq është një socialdemokrat serb, kurse Vuçiq një nacionalist serb, ata nuk kanë pasur dhe nuk kanë qëndrime të ndryshme kur bëhet fjalë për interesat strategjike shtetërore dhe kombëtare të Serbisë dhe të serbëve, por dallojnë vetëm në mënyrën se si synojnë t’i realizojnë ato, sipas strategjisë që e përmenda më lartë të retorikës dhe të veprimeve të forta nacionalshoveniste në fillim për t’u pasuar pastaj nga një retorikë dhe veprime të moderuara dhe properëndimore. Në këtë mënyrë, del se shpërfaqja e një harte ku sipas serbëve duket “Shqipëria e madhe”, në ndeshjen Serbi – Shqipëri. Ose është vepër e shërbimeve sekrete serbe, apo edhe e ndonjë shërbimi tjetër kundërshqiptar, ose është përdorim i atij veprimi për të arsyetuar gjithë atë histeri nacionalshoveniste dhe gjithë ato deklarata po aq nacionalshoveniste të pushtetarëve serbë, si dhe për të riaktualizuar edhe njëherë dëshirën e Beogradit për të negociuar me Tiranën dhe për të realizuar atë që Tadiq e quan “zgjidhje të konflikteve historike që ekzistojnë që 100 vjet mes shqiptarëve dhe serbëve”, dhe në të cilat negociata “të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka”, e që do të thotë rishikim i kufijve ndërmjet Serbisë dhe shtetit aktual shqiptar, e që më tej do të thotë ndarje e Kosovës.
Dhe kjo për Vuçiqin do të thotë zgjidhje “e të gjitha problemeve duke folur”, por pa cenuar atë që ai e quan “përbuzje” e shtetit dhe popullit serb. Për ta riaktualizuar këto dëshira të tij, shteti serb duket se ishte përgatitur që ta bënte gjatë dhe pas ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, ashtu edhe siç ndodhi, pasi që reagimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit serb nuk kishin të bënin fare me ndeshjen futbollistike, edhe pse e përdorinin si bazë, por kishin të bënin pikërisht me strategjinë serbe për ndryshimin e kufijve në rajon, e që strumbullari i gjithë kësaj është në Kosovë. Dhe kjo duhet të jetë pikënisja për ta kuptuar gjithë atë që po ndodh këto ditë, si dhe për të kuptuar strategjinë serbë për krijimin e “Serbisë së Madhe” në dëm të “Shqipërisë Normale”.
















